Një punishte që ambalazhonte sasi të mëdha vaji të pakontrolluar u zbulua në lagjen nr. 10 të Korçës. 1 300 litra vaj ishin gati për të dalë në treg për t’u shitur me etiketa në gjuhën greke. Nuk dihet se ka ardhur. Autoritetet thonë se kishte hyrë kontrabandë.

Më 26 tetor, në Sukth të Durrësit u zbulua një magazinë që prodhonte dhe përpunonte tonelata me produkte të ndryshme ushqimore pa licensë, pra të pakontrolluara.

U sekuestruan 2 624 litra vaj ulliri dhe misri, 22 ton salcë domatesh, turshi gogozhare, reçel qershie, komposto kumbulle, etj.

Nuk dihet sa tonelata kanë mundur të dalin në treg, nëpër shtëpitë e shqiptarëve apo restorante.

2 315 kilogram mish e peshk u asgjësuan vetëm në Tiranë po më 26 tetor. Nuk kishin asnjë dokument që të tregonte se ishin produkte të sigurta. Nuk dihej nga vinin, nuk dihej si ishin mbajtur.

Javë më parë, një fabrikë që prodhonte tonelata me pije alkolike e freskuese, të gjitha të falsifikuara, të gjitha të prodhuara në kushte të panjohura, jo nga fabrika të çertifikuara, u zbulua në Shkodër nga emisioni investigativ Stop. Tonelata të tjera ishin tregtuar për vite me radhë nëpër lokalet e mbarë Shqipërisë.

Kjo është ajo çfarë konsumojnë shqiptarët, nëpër shtëpi, bare e restorante.

Janë ushqime që po na helmojnë çdo ditë, pak nga pak, të gjithëve ne.

“Duhet ta pranojmë, duke u skuqur, për hir të së vërtetës, se ne kemi dështuar”, është detyruar të thotë ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi.

Për 4 vjet, nën qeverinë ku ai ka qenë zëvendëskryeministër, shqiptarët kanë konsumuar vazhdimisht ushqime të tilla, të prodhuara kushedi se ku. Ka ndodhur kështu edhe më parë.

Në Kutalli të Beratit, më 25 tetor, një grup fëmijësh të shkollës 9 -vjeçare përfunduan në urgjencë. Kishin konsumuar ushqime që shiten në mënyrë të pakontrolluar.

“Nuk kemi siguri tek produktet që shiten në rrugë”, u shprehën prindërit e mbledhur në qendrën shëndetësore.

Më 18 shtator, 15 pushues nga Kosova përfunduan në spitalin e Durrësit. Kishin konsumuar ushqime në një restorant në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Të dhënat tregojnë se thuajse kudo ku tregtohen produkte ushqimore, ka rrezik. Rreziku në Shqipëri vjen madje që në burim.

Në tetor të vitit 2013 Mali i Zi bllokoi të gjithë kastravecin shqiptar, pasi u gjetën me pëqendrim të lartë të “spiroxamin-ës”, një lloj pesticidi i rrezikshëm kur përdoret në sasi mbi normat e lejuara.

Këtë verë u bllokuan sasi të mëdha të shalqirit të Lushnjes.

Shumë nga prodhimet bujqësore apo blegtorale shqiptare nuk arrijnë dot në tregun europian. Bashkimi Europian nuk i lejon për shkak se mungon siguria ushqimore, sepse autoritetet nuk i kontrollojnë dot domaten, specin, kastravecin, sallatën, pataten etj, si mbillen, as si rriten e as si konservohen, nuk kontrollon dot as nënproduktet e mishit e qumështit.

Të gjitha këto prodhime mbeten këtu. I konsumojnë shqiptarët edhe pse Europa i quan të pasigurta.

Këtyre sasive u shtohen tonelatat me mallrat kontrabandë që hyjnë nga të katër anët e shiten si prodhime të kontrolluara, me etiketa të falsifikuara.

Pasojat e mungesës së sigurisë ushqimore janë fatale.

Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit, i konsideruar si autoriteti më prestigjioz në botë që mat barrën e sëmundjeve në çdo vend, raportonte në maj të këtij viti se sëmundjet vdekjeprurëse në Shqipëri janë rritur me ritme tronditëse.

“Vekjet e parakohshme nga sëmundjet e zemrës janë rritur me 22 për qind, ndërsa vdekjet si pasojë e tumorit në mushkëri janë rritur me 28 për qind. I njëjti trend vihet re edhe për sëmundjet e veshkave, si dhe ato të stomakut”, thuhet në raportin e fundit të këtij autoriteti.

“Që të arrijmë të drejtën e eksportit të produkteve shtazore, drejt BE-së duhet të plotësojmë kërkesat, pra të ngremë sistemin e sigurisë ushqimore”, thotë Niko Peleshi. Por përpara se të mendojë për eksportet, qeveria e tij do të duhet mendojë për atë çfarë konsumojnë qytetarët e saj. /Lapsi

19