Shqiptarëve u mohohet hyrja në Europë – Rekord bllokimesh në 2017. Kufijtë grekë më të ndaluarit

Fluksi i lartë i azilkërkuesve mund të mos ketë bërë që shqiptarëve t’u anulohet lëvizja e lirë në hapësirën Schengen, por padyshim që ka dhënë efekte negative. Gjatë vitit që lamë pas, u është mohuar hyrja mbi 32 mijë shqiptarëve.

Të dhënat janë të pasqyruara në raportin e “Frontex” mbi analizën e riskut për vitin 2018. Shqiptarët janë kombësia e tretë më e përjashtuar nga Europa, pas ukrainasve me 37 mijë hyrje të mohuara dhe rusëve me 36 mijë hyrje të mohuara.

Arsyeja kryesore është ashpërsimi i politikave të Greqisë për kalimin e kufirit. Ndonëse kontrollet e rrepta të dokumentacionit për shqiptarët kanë nisur që në vitin 2014, vitin e shkuar Greqia e dyfishoi numrin e refuzimeve.

Burimi: Frontex

Pavarësisht se shqiptarët janë një ndër grupet kryesore të kombësive që tentojnë të kalojnë me dokumente të falsifikuara, kjo nuk ka qenë baza për refuzimet:

  • Ndër 32 mijë raste, gati 11 mijë shqiptarë janë refuzuar për shkak se nuk kanë dokumentacionin përkatës që justifikon qëllimin dhe kushtet e vizitës.
  • 9,331 shqiptarë janë refuzuar në kufijtë europianë për shkak se janë gjykuar si pa mjetet e duhura për të qëndruar në periudhën e deklaruar dhe pa para për t’u rikthyer në vend.
  • 8,363 shqiptarë ndërkohë kanë qenë në listën e alarmit për refuzimin e hyrjes në regjistrin kombëtar.
  • 1,945 shqiptarëve u është mohuar hyrja për shkak se kishin qëndruar mbi 3 muaj gjatë periudhës 6-mujore në territorin e shteteve të BE, një fakt që flet mbi ndërgjegjësimin e ulët të qytetarëve mbi rregullat e lëvizjes së lirë.

Numri i lartë i refuzimeve ka ndikuar në shtimin e rasteve të kalimit të paligjshëm të kufirit me 22%, duke arritur në 6500 kalime ilegale, më shumë se çdo shtet tjetër sa i takon kufijve tokësorë. Po ashtu ka qenë i lartë edhe numri i zyrtarëve shqiptarë në kufij që ndihmojnë shqiptarët të shkelin ilegalisht në Europë. Kjo e dhënë mbështetet nga raportimet e herëpashershme të Ministrisë së Punëve të Brendshme për shpërdorim detyre nga ana e punonjësve kufitarë.

Krahas këtyre problematikave, Shqipëria renditet si grupi i parë edhe për kthimet në atdhe, megjithëse 84% kanë patur një kthim të forcuar, me mbi 21 mijë raste (4-fishi në raport me shtetin tjetër në renditje).

Gjithashtu, Shqipëria renditet shteti i tretë, pas Ukrainës dhe Marokut, me numrin më të lartë të qëndrimeve të paligjshme në një shtet të Bashkimit Europian.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne