Shtohet buxheti ushtarak i Turqisë

Burimet informative në Turqi njoftuan për shtimin e buxhetit ushtarak të këtij vendi.

Sipas vendimit të fundit të qeverisë turke, për përmirësimin e situatës në ushtrinë e vendit, Ankaraja do të rrisë buxhetin ushtarak deri në 11.5 miliard dollarë deri në fund të këtij viti. Buxheti i ministrisë së mbrojtjes së Turqisë në fillim të këtij viti ka qenë 8 miliard dollarë. Kohë më parë Naci Agbal, ministër i financave në Turqi duke folur mbi shtimin e shpenzimeve ushtarake të këtij vendi, tha se disa prej taksave në vend do të shtohen me 50%. Sipas tij 2.2 miliard dollarë të mbledhur nga shtimi i taksave, do të përdoren për shpenzimet ushtarake. Duhet theksuar se në fillim të vitit 2017, buxheti ushtarak i këtij vendi u shtua me 11% me qëllim që të krijoheshin mundësitë financiare për të përballuar sfidat e sigurisë. Shtimi aktual i buxhetit ushtarak të Turqisë ka ardhur për shkak të kushteve të sigurisë dhe rritjes së presionit në kufijtë e këtij vendi dhe nga ana tjetër për shkak të blerjes së pajisjeve të reja ushtarake nga ana e Turqisë. Këto janë dy situata të cilat e bëjnë të nevojshme ndryshimin e gjendjes së buxhetit ushtarak dhe me këtë rritje ushtria turke mund të përballet me rreziqet dhe të plotësojë nevojat e saj për pajisje ushtarake. Me organizimin e referendumit të jashtëligjshëm të Kurdistanit të Irakut, Turqia ka kërcënuar se nuk do të kursejë asnjë veprim për tu përballur me rreziqet e sigurisë. Në këto kushte Ankaraja ka treguar se është tepër serioze dhe ka nisur të organizojë manovra ushtarake në kufirin e përbashkët të Turqisë me Irakun.

Përveç kësaj ushtria turke po përgatitet për të shtuar praninë e saj në territorin sirian. Duke qenë se rajoni i Kurdistanit të Irakut ka organizuar referendum për ndarjen e tij nga Iraku, nuk dihet nëse ushtria turke do të hartojë një program të përgjithshëm për tu përballur me pasojat negative të organizimit të këtij referendumi, apo jo. Megjithatë shtimi i taksave, në kushtet e uljes së të ardhurave dhe uljes së rritjes ekonomike të Turqisë në vitin 2016, mund të bëhet shkak për rritjen e pakënaqësisë publike dhe për këtë Turqia në koordinim me Iranin dhe Irakun duhet të përpiqet që të parandalojë sa më shpejt copëtimin dhe ndarjen e Irakut. Vazhdimi i gjendjes së pasigurt në kufijtë e Turqisë do të thotë vazhdim i shtimit të shpenzimeve ushtarake dhe ndoshta shtim i pakënaqësisë së popullit turk. Nga ana tjetër rritja e sigurisë së kufijve do të bëhet shkak për zgjerimin e mbështetjes së popullit ndaj qeverisë si dhe do të ndihmojë në zgjerimin e paqes dhe stabilitetit në rajon./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne