Shtohet numri i viktimave në Sierra Leone

Pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës që kanë goditur periferinë e Freetown-in, kryeqytetin e Sierra Leones, është shtuar numri i viktimave të kësaj fatkeqësie natyrore.

Shefi i mjekësisë ligjore, Seneh Dumbuya, tha të martën për Reuters se ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë deri tani rreth 400 trupa të pajetë, mes të cilëve shumë fëmijë. Ai tha se bilanci pritet të përshkallëzohet, duke deklaruar se pret evidentimin e të paktën 500 trupave të pajetë. Kërkimet vijojnë. Shira të furishëm kanë përfshirë pjesën më të madhe të qytetit afrikan, ku sipërfaqja e tokës u shemb pas shirave intensive, duke lënë dhjetëra shtëpia të mbuluara nga dheu e balta. Sipas zv. presidentit të Sierra Leones, Victyor Bockarie Foh, me shumë gjasë numri i viktimave mbetet në rritje dhe shifra është e pakonfirmuar për shkak të situatës kaotike dhe dhjetëra personave që tashmë rezultojnë të zhdukur. Pas kësaj tragjedie, që për Sierra Leonen erdhi jashtë çdo parashikimi, qindra njerëz, rrezikojnë të mbeten të pastrehë, ndonëse ende nuk ka një evidencë të dëmeve materiale. Por zyrtarë të menaxhimit të fatkeqësive në Sierra Leone, supozojnë se rreth 2000 njerëz mund të mbeten pa strehë mbi kokë. Zyrtarë të vendit kanë apeluar për ndihmë humanitare të jashtëzakonshme, në mënyrë që të përmbushen disa prej nevojave jetike në këtë situatë alarmante për banorët e Sierra Leones. Shërbimet e emergjencës tashmë prej orësh janë në vendngjarje, në tentativë për të shpëtuar sa më shumë njerëz që mund të jenë të bllokuar nën rrënojat e shtëpive ose ndërtesat e mbuluara nga dheu. Fenomene si përmbytja e rrëshqitja e dheut nuk janë të pazakonshme për Sierra Leonen./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne