“Shumica e femrave të përdhunuara në Arakan janë të mitura”

Pesëdhjetë për qind e femrave të përdhunuara ose persekutuara në Arakan të Mianmarit i përkasin ose janë nën moshën 18 vjeçe, kanë njoftuar zyrtarët shëndetësorë në kampet e refugjatëve në Bangladesh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas gazetës “The Guardian”, zyrtarët shëndetësorë në kampet e refugjatëve në qytetin Cox’s Bazar të Bangladeshit ku qëndrojnë muslimanë të Arakanit kanë theksuar se bëjnë përpjekje për t’i trajtuar gratë e përdhunuara në Mianmar, të cilat aktualisht gjenden në këto kampe.

“Pesëdhjetë për qind e femrave muslimane të Arakanit të cilat janë përdhunuar dhe i janë drejtuar klinikës sonë janë në ose nën moshën 18 vjeçe. Madje, disa të përdhunuara janë të moshës dhjetëvjeçare, e njëra nëntëvjeçare”, ka thënë Aerlyn Pfeil, akushere në qendrën shëndetësore në Cox’s Bazar të themeluar për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale.

Pfeli thotë se një pjesë e grave nuk i janë drejtuar klinikës nga frika e etiketimit apo akuzave.

“Gjatë bisedave që kam zhvilluar me femra të përdhunuara, kërkesa më e shpeshtë dhe më e dhimbshme e tyre janë rrobat e reja, sepse edhe pse kalojnë javë, ato ende mbajnë rrobat me të cilat kanë qenë pre e përdhunimit dhe sulmeve”, thotë Pfeil.

Ndërkaq, një tjetër specialiste shëndetësore në të njëjtën qendër që ka kërkuar të mbetet anonime, është shprehur se nga bisedat me gratë muslimane, ka mësuar se ushtria e Mianmarit kishte mbledhur të gjitha gratë dhe vajzat në fshatra në një vend, kanë zgjedhur “më të bukurat” në mesin e tyre dhe i kanë dërguar në një vend tjetër.

Specialistja ka thënë se ushtarët më pas i kanë përdhunuar këto gra dhe vajza. “Shumica prej tyre kanë qenë vajza të moshës 12-13 vjeçe”, ka theksuar ajo.

Një grua 27-vjeçare e cila ka ikur nga qyteti Buthidaung i Arakanit për në Bangladesh, ka rrëfyer se si ushtria ia ka vrarë burrin dhe babanë dhe ka përdhunuar motrën e saj 14-vjeçare.

Ajo ka treguar se ushtria ka ndarë meshkujt dhe gratë dhe ka dërguar të gjitha gratë në pyll, duke zgjedhur disa prej tyre.

“Kur morën motrën time, unë qava, por nuk munda t’i ndaloj. Përdhunuan shumë gra dhe vajza. Kur u ndanë nga fshati, unë shkova ta kërkoj motrën time, por u përballa me shumë kufoma. Kur gjeta motrën, ishte në gjendje të atillë, saqë ishte e pamundur ta kuptosh nëse është e gjallë ose e vdekur”, ka treguar më tej ajo.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar afër 300 fshatra.

Mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit kanë ikur në Bangladesh për shkak të sigurisë së jetës. Civilët që largohen nga Mianmari kalojnë në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonave malore./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne