Si e shpërbleu me “300 byzylykë” Ilir Meta-Ermal Beqirin nëpërmjet Ylli Manjanit

Papagalli i Facebook, Ylli Manjani, që çuditërisht Ilir Meta e largoi nga të gjithë funksionet e partisë, vetëm për të “cicëruar” lartë e poshtë, ka disa ditë që nuk po ndihet e shihet gjekundi, veçse e dimë se po pushon në brigjet e shtetit grek, ndërsa duhet të takonte ish-kolegët e papërgjegjshëm që freskohen nga vapa, për të marrë njoftimin se veç vendit, ai po digjej edhe vetë!

Çuditërisht Manjani hesht, vërtetë nuk ka dijeni, për një nga problemet që ka përfshirë të gjitha mediat dhe natyrisht është bërë objekt hetimi kryesor nga Prokuroria? Skandali me byzylykët e sigurisë për të burgosurit me arrest shtëpie, siç duket nuk e bënë të ndjehet shumë fajtor figurën e ndershme të LSI-së.

Manjani me të drejtë nuk “ndihet” shumë fajtor, sepse mendon se ka qenë i detyruar të krijonte një skandal të tillë nga ish-kryetari i partisë së tij, presidenti i sotëm Ilir Meta. Si parti pazaresh, e tipit të firmave të biznesit sh.p.k., e cila ka funksionuar në formë kleringu “më jep-të jap”, Manjani i ka borxhe Ilir Metës, sepse nga një punonjës bashkie, e bëri deri Ministër. Borxhet në partinë e LSI-së nuk harrohen!

Skandali që ka shpërthyer sot në media, për abuzimin me 1.5 million euro, të paktën priste një prononcim për një nga të dyshuarit kryesor të këtij tenderi, për 300 byzylykët e sigurisë, por i dyshuari nuk ka çfarë të thotë, e nuk ka kujt t’i drejtoi gishtin, jo sepse nuk e njeh përfituesin, sepse ai vetë i’a ka bërë këtë “dhuratë”, por përfituesi ka një mbrojtës shumë të fuqishëm.

Për të qenë të sinqertë, për të mos e ngarkuar me shumë faj avokatin e Facebook-ut, po i referohemi një investigimi të publikuar sot në media: Përfituesi i kësaj afere skandaloze korruptive është Ermal Beqiraj, personi i vetëm që Meta i ka borxh “jetën”.

Por kush është Ermal Beqiraj, aktualisht përgjegjës i IT-së pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, historia profesionale e të cilit është e lidhur ngushtë me Ilir Metën për 7% e famshëm.

Ermali në fakt është eksperti, i cili hodhi poshtë ekspertizën e amerikanëve për aferën 700 mijë euro brenda “bllokut” të Ilir Metës, të filmuar nga Dritan Prifti, për të cilën Beqiraj nxorri konkluzionet se: Ishte manipuluar! Ekspertiza që i dha Ilir Metës pafajësinë, ishte e dyshimtë dhe i vuri në “pozitë të vështirë” ekspertët amerikan, kur panë se çfarë specialistësh të shquar kishte Shqipëria: Një specialist bravash, një kambist dhe Ermali i partisë!

Eksperti i famshëm i videove, i shoqëruar nga “Baba Taku”, ka qenë dhe një ndër ekspertët teknikë në krye të hetimit për llogari të qeverisë për skandalin e pretenduar të serverit të Tatimeve. Për të gjitha këto qoka, Ermali u shpërblye si drejtor i IT së Hipotekës, pikërisht në pikat nervalgjike të lekut, duke i varur kështu: ujkut mëlçitë në qafë.

Duke qenë “specialist” i nivelit profesionist, ai mendoi të bënte dhe “golin e fundit” pak para largimit, ku me firmën e tij, fitoi në mënyrë të çuditshme tenderin prej 2 miliard lekësh (1.5 milion euro), duke u maskuar me emra përfaqësuesish të tjerë. Për fitimin e tenderit, hyri në lojë Avokati i facebook-ut, Ylli Manjani, në atë kohë ministri i (pa)drejtësisë, i cili me një zbritje taktike prej 200 mijë lekësh që kreu firma e Beqiraj, nxorri fitues Ermalin… si oferta më e mirë.

Përfundimisht Manjani e kreu detyrën e tij, paratë u likuijduan në kohë rekord, brenda 15 ditëve dhe byzylykët humbën prej 8 muajsh, duke u kthyer vetëm ditën e djeshme, pas investigimit dhe denoncimit të mediave!

Ku ishin, nga erdhën dhe çfarë standartesh janë byzylykët që i paguam sa “frengu pulën”, askush nuk e di?! Por minimalisht Prokuroria duhet të marrë urgjentish në pyetje Ylli Manjanin, Ermal Beqirin dhe cilindo që është i përfshirë në këtë vjedhje të hapur të parave publike. Të gjithë personat e përfshirë në këtë vjedhje, duhet të japin sqarim për këtë megaskandal dhe fajtorët të përballen me ligjin… sigursisht, me drejtësinë e re që do të vijë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne