Si gjermani te “Dimri i fundit”, kryerilindori numëron!

Që nga çasti i parë i protestës së opozitës e në vazhdim agjitpropi i Ramës vazhdon të jetë i mobilizuar tek numri i pjesmarrësve në protestën e opozitës të shtunën e kaluar. Jo se njihet për ndonjë burrë serioz ky që kemi pèr kryeministèr, por i kalon kufijtë e karagjozllëkut kur merret personalisht me replika rreth numrit të atyre që ishin në shesh.

Për fat të keq protestat e manifestimet në Shqipëri historikisht janë matur me numra, sepse ashtu e kanë konsideruar prijësat shqiptarë shqiptarin: turmë, sejmenë, ushtarë. Prandaj mitingjet janë parë përherë si parada ku secili paraqet taborët e vet për të impresionuar kundërshtarin. Ç’ti bësh! Refleks i vjetër, i “politikës së vjetër” nga i cili nuk ka shpëtuar as ky që e ka prodhuar konceptin propagandistik “politikë e vjetër”, Edi Rama.

Komunistët, me shumë çiltërsi, deklaronin se pushteti i tyre ishte sundimi i shumicës mbi pakicën. Edhe neokomunistët që sunduan tranzicionin nuk u shkëputën kurrë prej këtij koncepti, duke besuar se ai që merr më shumë vota bën demokraci duke shtypur ata që nuk ia dhanë votën. Në fakt demokracia perëndimore nuk ka këtë themel. Edhe një individ i vetëm, që ka një problem, dëgjohet dhe respektohet. Palè më 7600, sa ç’numëroi me dron kryetari i rilindjes!

Në fakt numërimi ka nisur shumë më herët. Nga toka! Komisariatet kishin detyrë…..të numëronin! Si tek filmi “Dimri i fundit”. Kush po nisej për në Tiranë? Me kë ishte? Me ç’mjet po lëvizte? Njëlloj si gjermani te Dimri i fundit, ata “që po shkonin për dru” s’i trazonte njeri, por policët e veshur civilë i ndiqnin nga larg, duke u pèrpjekur të … binin në sy. Pra që ata që po niseshin në Tiranë ta merrnin vesh mirë se u “numëruan”…?

…e gjitha, për t’i dhënë lëndë agjitpropit rilindas të shtojë: “Mirë mbështetjen ndërkombëtare e ka humbur krejt Basha, por as të vetët nuk e mbështesin. Ja sa pak erdhën”!

Më pak se çdo protestë tjetë, kjo maratona e opozitës ka nevojë për numra. Çadra, bllokimi i trafikut etj treguan se nuk ka rëndësi “turma” por veprimi. Edhe me 100 protestues mund të bëke shumë më shumë se me 100 mijë? Po! “Çadra” e demonstroi këtë. E gjithë bota është sensibilizuar për epideminë e hashashit në Shqipëri dhe totalitarizmin që njëfarë Edi Rama e ka me qejf ta “mbjellë” në vendin e tij.

E fundit për këtë çështje: mund të numërosh me policë e militantë protestuesit, mund t’i shantazhosh me bukën e gojës e vendin e punës, e t’i pengosh “të bëjnë kuorumin” e një proteste me 600 mijë vetë. Ama në zemër s’ia ka dalë ende asnjë politikan të futet me dhunë. Opozitarizmi është shpirt jo shifër. Sot, edhe për meritë të “çadrës” është përhapur e forcuar edhe në rradhët e rilindjes.

Nga Armir Shkurti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne