Si mund ta ndryshojë Britania mendjen për Brexit

nga Anatole Kaletsky.

Ideja e Brexit po konsiderohet tashmë si e pashmangshme nga votuesit e zhgënjyer, megjithatë një kombinim i opinionit publik me politikën mund të sjellë një përmbysje të referendumit që nxjerr Britaninë nga Bashkimi Europian

Do të jetë 2018 viti kur Mbretëria e Bashkuar do të ndryshojë mendjen rreth daljes nga Bashkimi Europian? Bazuar te ajo që dimë tashmë ndalimi i Brexit është i pamundur. Por çfarë mendonim se dinim për Donald Trump? Apo Emmanuel Macron? Ose, për referendumin origjinal të Brexit? Në kohë revolucionare, ngjarjet mund të bëhen nga të pamundura në të pashmangshme pa kaluar në të pagjasa. Brexit ishte një ngjarje e tillë dhe përmbysja e tij mund të jetë një tjetër ngjarje e tillë.
Pyesni Nigel Farage, ish-liderin e Partisë së Pavarur të Mbretërisë së Bashkuar, i cili papritur tha se referendumi i Brexit të qershorit 2016 mund të përmbysej. “Pala që donte të qëndronte (pro-BE) po drejton çdo gjë,” paralajmëroi Farage partnerët e tij pro-largimit këtë fundjavë. “Ata kanë një shumicë në parlament dhe nëse nuk organizohemi mund të humbasim fitoren historike që ishte Brexit.”
Votat për Brexit dhe Trump shpesh përshkruhen sot si një rezultat i pashmangshëm i faktorëve të thellë socioekonomik si pabarazia apo globalizmi. Në disa mënyra, ky përshkrim është i saktë. Pakënaqësi politike të ndonjë lloji priteshin pas krizës ekonomike, siç e kam arsyetuar prej vitesh.
Por nuk ka asgjë të pashmangshme te disa trazira specifike që kanë ndodhur. Brexit, si Trump, ishte një rezultat i pasigurt i ardhur nga ankthi në sjelljen e votuesve. Nëse vetëm 1.8% e britanikëve do të votonin ndryshe, Brexit do të ishte një fjalë e harruar. Nëse shumica popullore e Hillary Clinton e tre milionë votave do të shpërndahej pak më ndryshe te shtetet, fraza “presidenti Trump” do të ishte qesharake sot aq sa ishte në janar 2016.
Për të ndaluar Brexit në vitin e ardhshëm, katër ndryshime po aq modeste në sjellje duhet të ndodhin. Opinioni publik duhet të shkojë pak më shumë ndaj vendimit të daljes së Britanisë, që tashmë shihet si e gabuar me një marxhinë prej 4%. Politikanët që e përçmojnë Brexit në privatësi duhet të flasin publikisht. Kundërshtimi i arsyeshëm ndaj politikave të qeverisë duhet njohur sërish si një shenjë dalluese e demokracisë, jo si akt tradhtie. Dhe ndjesia e Brexit si i pashmangshëm duhet hequr.
Këto kërkesa janë të ndërvarura. Politikanët do të flasin vetëm nëse ndjejnë se po ndryshon opinioni publik, por opinioni publik do të ndryshojë vetëm me lidership politik të besueshëm. Politikanët janë zhytur në heshtje nëse të gjitha kundërshtimet shihen si anti-demokratike. Dhe nëse Brexit shfaqet i pashmangshëm, përse duhet votuesit të lodhen duke e menduar sërish?
Ndjesia e pashmangshmërisë, sondazhet e opinionit dhe fokus grupet janë ndër pengesat më të rëndësishme ndaj një përmbysjeje. Rreth 30% e votuesve britanikë  e kundërshtojnë BE-në me aq pasion sa do ta mbështesnin gjithnjë daljen, pavarësisht kostove ekonomike, ashtu si ‘baza’ e Trump do të mbështesë gjithnjë presidentin “e tyre” pavarësisht mënyrës si ai sillet.
Por këta euroskeptikë fanatikë nuk do të fitonin kurrë një shumicë pa rreth 20% të votuesve që u interesonte pak Europa, por e trajtuan referendumin si një votë proteste. Shumë prej këtyre votuesve të mëdyshur janë tashmë të bindur se Brexit e ka hequr vëmendjen nga vështirësitë e tyre kryesore në shëndetësi, pabarazi, paga të ulëta, strehim dhe çështje të tjera. Ende, për këtë arsye, ata duan largimin e pashmangshëm nga Europa të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur që vendi t’i kthehet punëve si zakonisht.
Ta zëmë se këto votues do të fillonin të besonin se Brexit, larg nga të qenët i pashmangshëm mund të mos ndodhë kurrë. Ata do të kërkonin që politikanët “të ndalojnë grindjet rreth Europës” dhe të fillojnë të merren me shqetësimet e njerëzve.
Ndjesia e pashmangshmërisë mund të largohet nga ndryshimet e fundit në politikat e brendshme të qeverisë konservatore dhe opozitës laburiste.
Laburistët kanë filluar të kuptojnë se e vetmja mënyrë për të rimarrë pushtetin është duke kundërshtuar Brexit. Analiza e detajuar e zgjedhjeve të 2017 ka treguar se rritja e papritur e mbështetjes për laburistët erdhi prej votuesve të rinj që motivohen nga shpresa për zhbërjen e Brexit. Po të mos kishte qenë për këta votues anti-Brexit, kryeministrja Theresa May do të kishte fituar votat e shumta që parashikoheshin.
Nëse Jeremy Corbyn, lideri i laburistëve, do të bëhet tani “shërbëtorja e Brexit,” siç ka thënë Tony Blair, duke iu larguar opozitës efektive, ata votues të rinj do të ndihen të tradhtuar, partia do të ndahet mes marksistëve dhe qendrorëve, dhe shpresat e saj për të vituar një zgjedhje të përgjithshme do të zhbëheshin. Nëse, nga ana tjetër, laburistët vendosin të luftojnë Brexit, opinioni publik do të ndryshonte me shpejtësi.
Kundërshtimi ndaj Brexit do të fillojë të trajtohet si tipar natyror i politikës demokratike. Laburistët do të fillonin të përfitonin nga gabimet e qeverisë në negocim. Dhe ndjesia e pashmangshmërisë së Brexit do të zhdukej.
Kjo në këmbim, do t’i jepte kurajo konservatorëve pro-europianë. Deputetët konservatorë kanë pak gjasa të votojnë kundër lidershipit të partisë së tyre nëse mungesa e opozitës laburiste lejon qeverinë fitojë gjithsesi. Nëse, megjithatë, opozita e kryesuar nga laburistët do të krijonte një mundësi reale për të ndaluar Brexit, deputetët konservatorë që vënë interesat e shtetit para atyre të partisë do të gjenin veten të vlerësuar për përpjekjen, jo të tallur. Ata mund të llogarisin edhe se karrierat e tyre do të lulëzonin nëse partia e tyre pajtohej me Europën.
Ky zinxhir ngjarjesh tani duket se po fillon. Në dhjetor, May humbi betejën e saj të parë të rëndësishme Brexit, kur deputetët laburistë u bashkuan me 12 rebelë konservatorë për të kaluar një ndryshim që kërkonte një Akt specifik Parlamentar për të miratuar çfarëdo marrëveshje negociohet me BE-në. Kjo do të thotë se nëse çdo plan i Brexit mbledh kundërshtim serioz, qoftë nga nacionalistët fanatikë apo nga konservatorët pro-europianë, kjo mund të përdoret për të shkaktuar një referendum të ri. Pas kësaj arritjeje, fushata e parë ndërpartiake që synon ndalimin e Brexit dhe jo vetëm të shkaktojë dëm duke kërkuar një marrëveshje divorci më të butë, do të lançohet këtë muaj.
Për t’ia dalë mbanë, kjo fushatë do të duhet të bindë pro-europianët e zhgënjyer se Brexit nuk është i pashmangshëm. Do të duhet të tregojë te ata që votuan për protestë, se cilidoqoftë problemi i tyre, Brexit nuk është përgjigjja. Duhet të bindë politikanët laburistë se bashkëpunimi me Brexit është vetëvrasje elektorale dhe të bindë rebelët konservatorë pro-BE se një rebelim i dytë nuk do të jetë i pashmangshëm. Së fundmi, do të duhet që liderët europianë të deklarojnë njëzëri se Britania është ligjërisht e lirë të ndryshojë mendjen për largimin. Këto kërkesa janë sfiduese, por jo të pamundura.
David Davis, konservatori pro-Brexit që tani drejton negociatat e daljes, dikur tha se, “nëse një demokraci nuk mund të ndryshojë mendjen, ajo resht së qeni një demokraci”. Britani është ende një demokraci dhe mund ta ndryshojë ende mendjen për Brexit./Project Syndicate

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne