Si mund të pastrohet njolla e Hollivudit?

Në SHBA abuzimi me femrën është një kulturë e rrënjosur, ndonëse shumë më e maskuar sesa abuzimi me femrat nga sheikët e infektuar nga “sindromi i Dubait.”

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Producenti i famshëm i Holivudit, HarviVainstinu, u dorëzua në polici më 25 maj 2018 dhe doli prej saj me pranga në duar. Ky është epilogu i një sërë akuzash të bëra nga disa aktore ndaj tij me akuzën se i ka ngacmuar seksualisht, madje disa edhe i kishte dhunuar brutalisht. Në mesin e aktoreve që e kanë akuzuar Vainstinin janë Lucia Evans, Selma Hajek, Keti Bekinsale, Gvyneth Paltrov, Kadian Noble, Rouz Mekgovan, EshliXhad dhe Xhesika Hajns. Rrëfimet e disa prej këtyre aktoreve janë tronditëse. Ka prej tyre që kanë rënë në depresione të rënda, ka që e kanë humbur punën, ka raste kur producenti dhunues i ka kërcënuar se do të vriteshin. Pra, krahas dhunës fizike, ato kanë përjetuar edhe dhunë të rëndë psikike. Disave prej tyre u është shkatërruar edhe karriera, por e edhe jeta personale a familjare. Selma Hajek ka deklaruar për gazetën “The New York Times” se “ai (Vainstini) me vite të tëra ishte monstrumi im, më kërcënonte se do të më vriste”. Por, “monstrumii Selmës”, Harvi Vainstini, nuk është i vetmuar në këtë punë të pistë në Holivud dhe gjithandej në SHBA. Kush janë të tjerët?

  1. Dastin Hofmani akuzohet nga Ketrin Roster dhe Ana Grejam Hanter për ngacmime seksuale dhe sjellje të pahijshme. (Njeriu që në një intervistë për gazetën britanike “Guardian” ka rrëfyer se ka qenë pastrues i WC-ve, ndërsa kur shkëlqeu në karrierë, u bë arrogant dhe dhunues!) Hofmani ka kërkuar falje për sjelljet e tij dhe ka thënë se nuk është ai i vërteti.
  2. Morgan Frimani po ashtu është akuzuar për ngacmime dhe sjellje të pahijshme ndaj femrave, për ç’gjë edhe ai ka kërkuar njëfarë faljeje.
  3. Skenaristi dhe regjisori Xhejms Tobak është në mesin e të akuzuarve për ngacmimin seksual të së paku dyqind grave në Holivud.
  4. Aktorja Xhuliana Margulis e ka denoncuar aktorin Stiven Segal për tentim dhunimi.
  5. Aktori Ben Aflek është denoncuar për ngacmim seksual nga aktorja Hilari Barton. “Jam sjellë në mënyrë të pahijshme ndaj zonjushës Barton, për ç’gjë kërkoj falje sinqerisht.” ka shkruar në Twiter Afleku, pas denoncimit që u bë ndaj tij.
  6. Roj Prajs është suspenduar nga Amazon.com, pas denoncimeve të producentes Ise Haket për ngacmime seksuale gjatë xhirimit të një filmi.
  7. Kandidati republikan për senator Roj Mur ka hequr dorë nga karriera politike pas akuzave ndaj tij për ngacmime seksuale.
  8. Shkrimtari dhe moderatori i Foksit, Bill O’Rajlli, po ashtu është larguar nga televizioni, pas akuzave serioze ndaj tij.
  9. Komediani An Franken.
  10. Aktori Kevin Spejsi.
  11. Moderatori i NBC-së, Met Lauer.
  12. Dirigjenti i operës metropolitane, Xhejms Levin.
  13. Mark Harpelini, drejtori politik i EBS-së.

Por, numri i të denoncuarve është shumë më i madh: së paku gjashtëdhjetë të tillë janë larguar nga postet gjatë vitit 2017 në SHBA. Problem më vete është se në mesin e të denoncuarve është edhe presidenti amerikan në detyrë, Donald Trump. Qoftë dhe vetëm numri që u soll si ilustrim, dëshmon se ngacmimi seksual dhe dhunimi në Holivud, po edhe në mediat dhe institucionet e tjera në SHBA, është dukuri. Kjo dëshmon gjithsesi për dominimin absolut të maskulinitetit në shoqërinë amerikane, ku të drejtat e femrës janë të proklamuara, por nuk janë të mbrojtura realisht. Brutaliteti mashkullor e bën ligjin, ndërsa shkëlqimi i rremë i – gjoja lirisë së plotë të femrës – vetëm e fsheh pozitën e saj të diskriminuar.

Këto skandale morbide zbulojnë edhe një aspekt tjetër, sesi maskohet diskriminimi i femrës në shoqëritë neoloberale: ”mundësia” e femrës që të jetë gjysmë e zhveshur nuk është liria e saj, madje më të shumtën as dëshira e saj, por është përpjekje e saj që të përshtatet në kulturën e dhunës mashkullore, t’ua bëjë qejfin bosëve arrogantë të lirive të tyre. Meshkujt arrogantë e pushtetarë duan t’i shohin gjysmë të zhveshura a në bikini dhe ato detyrohen të sillen ashtu, duke tentuar të marrin një rol, të gjejnë një punë. Ky është një version i kamufluar i skllavërisë së seksit në shoqërinë neoliberale. Prandaj, nuk duket bindëse dizanjerja e famshme Dona Karan, kur deklaron se:  “kur shikoni botën e sotme dhe sesi gratë vishen dhe çka kërkojnë, me mënyrën si prezantohen, mund të përfundoni se ato po kërkojnë sherr.” (Ajo më vonë ka kërkuar falje për deklaratën e saj.) Kjo mund të jetë e vërtetë, por si e tillë është pasojë e  “shijeve” të meshkujve arrogantë, që e bëjnë ligjin për fatet e femrave dhe ua imponojnë atë mënyrë zhveshjeje e sjelljeje.

Rrjedhimisht, krahas punës së madhe që ka bërë “#MeToo”, ajo përpjekje nuk mjafton.  Këto raste zbulojnë krizën e moralit dhe krizën e qytetërimit, i cili i është dorëzuar konsumerizmit dhe hedonizmit të pafre. Pasioni për t’u kënaqur kërkon para, ndërsa paratë i kanë ata që duan të kënaqen për vete, duke u shkaktuar dhimbje të tjerëve. Prandaj, përfundimisht, është e qartë se sheikë arrogantë dhe pasionantë pas seksit nuk ka vetëm në shtetet arabe të petrolejit, por edhe në zemrën e demokracisë, në SHBA. Edhe në SHBA abuzimi me femrën është një kulturë e rrënjosur, ndonëse shumë më e maskuar se abuzimi me femrat nga sheikët e infektuar nga “sindromi i Dubait”. Për këtë arsye, këtë epidemi nuk mund ta luftojë e vetme organizata “#MeToo”. As ligjet nuk mund ta ndryshojnë esencialisht këtë gjendje. Këtë luftë duhet ta bëjnë bashkërisht Krishterimi dhe Islami, në një front të përbashkët kundër diskriminimit të femrës, kundër abuzimit të lirisë, kundër së keqes. Abuzimi me femrën në Holivud dhe gjithandej institucioneve mediale e kulturore në SHBA nuk ka në vete asgjë kristiane. Abuzimi me femrën në shtetet e petrolejit, po edhe diskriminimi i saj në ato shtete e shoqëri kuazimuslimane të Azisë dhe Afrikës, të cilat nuk janë shkëputur nga barbaria fisnore, nuk ka të bëjë asgjë me Islamin. E kundërta është e vërtetë: neoliberalizmi, dubaizmi dhe barbaria fisnore e kanë sfiduar keqas Krishterimin dhe Islamin. Dhe, ende nuk e kanë marrë përgjigjen adekuate prej tyre.

Harvi Vainstin, që në ditën kur u pa të dilte nga policia me pranga në duar, e bleu lirinë e vet me kaucion për vetëm një milionë dollarë. Kjo gjë dëshmon gjithsesi se nëse i ka rënë fama personale, nuk ka rënë fuqia e sishokëve të tij, madje deri në zyrën ovale. Ata do të vazhdojnë ta modifikojnë retorikën, yshtjet, taktikat, sjelljet dhe veprimet abuzive, por aty do të mbeten, pushtetarë të pasfidueshëm. Derisa ta marrin një përgjigje morale të parevokueshme të shoqërisë së rikthyer në besim edhe shoqërisht efektive, e jo vetëm deklarativisht./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne