Si ndryshimi i klimës, nxiti gjuetinë e shtrigave në Evropën Mesjetare

nga Megan Hamilton.

Ne zakonisht mendojmë se ndryshimi i klimës, është një dukuri e kohëve moderne. Por kur një stuhi e madhe po shkatërronte fshatrat e Evropës Qendrore më 3 gusht 1562, duke rrënuar të korrat, vreshtët dhe kafshët nëpër ferma, ajo paralajmëroi një tjetër anomali klimaterike.

Gjatë viteve 1300-1850, Europa dhe Amerika e Veriut u shkatërruan nga katastrofa natyrore vdekjeprurëse, në atë që u njoh si Epoka e Shkurtër Akullnajore. Thatësirat, stuhitë vdekjeprurëse, dimrat e acartë dhe zgjerimi i akullnajave, shkaktuan shkatërrime të mëdha.

Ato qenë kohë të dëshpëruara, dhe të gjithë – sidomos fshatarët – synon të kuptonin arsyet. Sidoqoftë, ishte ndërkohë edhe një periudhë kohë kur mungonte shkenca e studimit të klimës, ndaj supersticionet ishin me bollëk.

Të demoralizuar nga moti i stuhishëm, fshatarët filluan të kërkonin një reagim të shpejtë nga gjykatat mesjetare. Shumë prej tyre u nxitën nga besimi, se shtrigat dhe magjistarët mund të “ndikonin tek moti”, dhe të vidhnin qumështin nga lopët e uritura. Kronikat zvicerane dhe bavareze e dëshmojnë këtë gjë:

“1445, këtë vit pati breshër dhe erë shumtë të fortë, siç nuk ishte parë kurrë më herët, dhe që shkaktoi një dëm të madh… Dhe ka kaq shumë gra, për të cilat thuhet se kanë sjellë breshërin dhe erën, që janë djegur në turrën e druve sipas ligjit”.

“27 maj 1626, të gjitha vreshtat u shkatërruan tërësisht nga ngrica… po kështu ndodhi edhe me grurin e çmuar që tashmë kishte lulëzuar. Gjithçka ngriu, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë me sa mbahej mend, duke shkaktuar një rritje të madhe të çmimit…për pasojë,

mes fshatarëve nisi lutja dhe lypja. Ata pyesnin se përse autoritetet vazhduan t’i toleronin shtrigat dhe magjistarët të shkatërronin të mbjellat. Kështu Peshkopi i ndëshkoi këto krime, dhe persektimi filloi këtë vit…”.

Shtrigat, moti i keq dhe sundimi i mbretit Xhejms VI

Fillimisht, Mbreti Xhejmi VI i Skocisë ishte mosbesues, se shtrigat dhe magjistarët ishin shkaktare të këtij moti jo të mire. Por me sa duket ndryshoi mendjen pas disa sjelljeve të çuditshme të motit. Në fundin e gushtit të vitit 1589, nusja e tij, princesha Ana e Danimarkës,

po lundronte drejt shtëpisë së saj të re dhe tek bashkëshorti që nuk e kishte takuar kurrë.

Nusja 14-vjeçare, e martuar me ndërmjetësim, e nisi udhëtimin e shoqëruar nga 12 anijet më

të mira të flotës daneze, dhe këto drejtoheshin nga admirali danez Peter Mynsh. Deti i Veriut i përfshiu anijet në një stuhi që ishte tipike për stinën dhe vendin.

Me shumë mund, anijey iu afruan disi brigjeve të Skocisë, por nuk mundën të zbarkojnë. Ato u përballën sërish me një stuhi të egër, ndaj u detyruan të ndalen përkohësisht në Norvegji. Mynsh, një veteran i detrave, konstatoi se stuhitë ishin më të stuhishme se zakonisht.

Ai e besonte plotësisht se shkak për to ishte magjia, pasi shkruante ai “duket që ka diçka më shumë në këtë çështje, sesa teprimi i zakonshëm i erës dhe dallgëve”. Koha nuk ishte më pak e keqe gjatë përpjekjes së tretë. Anijet u kthyen sërish mbrapsht në Norvegji.

Danezët pritën një mision shpëtimi të dërguar nga Mbreti Xhejms, por anijet ranë gjithashtu pre e stuhive të egra. U deshën plot 6 muaj që Xhejmsi të takohej më në fund me Anën. I ftohti ekstrem arriti në Edinburg në majin e vitit 1590. Pas një moti të tillë kaq ekstrem, Xhejmsi u bind më në fund se Mynsh kishte të drejtë, për besimin se shtrigat mund të qenë përgjegjëse për shkaktimin e stuhive.

Ai besonte se shtrigat egërsonin qëllimisht motin, për të penguar ngjitjen në fron të mbretëreshës së tij. Kështu, nisi vuajtja dhe ekzekutimi i shtrigave të dyshuara. Shumica ishin gra të moshuara, që u kishin mbijetuar burrave të tyre, dhe që nuk kishin asnjë mjet financiar mbështetës.

Për to, ideja e praktikimit të magjisë ishte tërheqëse, dhe shumë prej tyre pretendonin se kishin aftësi në ndryshimin e motit, veçanërisht në lidhje me ndalimin e stuhive të breshërit. Fermerët, gjithnjë me shpresë se “talented” e tyre mund t’i mbronin të mbjellat e tyre, nisën t’i paguajnë këto gra të moshuara, që jetonin në shtëpi të rrënuara rrëzë pyjeve.

Por disa nga gratë e zemëruara nga mënyra se si po trajtoheshin, premtuan se do të hakmerreshin me fuqi të reja. Shumë njerëz u frikësuan prej tyre, duke besuar se ato mund të thërrsnin djallin, për t’u shkaktuar dëme edhe më të mëdha. Dhe ndërkohë që askush nuk shqetësohej fillimisht kur moti nuk pranoi t’i “dëgjonte”, s’kaloi shumë kohë para se vala e opinionit publik të kthehej kundër tyre në një mënyrë të tmerrshme.

Të nxitur më tej nga zemërimi i mbretit Xhejms, dhjetëra mijëra gra u torturuan dhe u vranë. Ndër të parat ishte Agnes Sampson, “Gruaja e mençur e Keithit”, një mesogrua, shëruese popullore e mirënjohur, e cila u torturua në mënyrë të tmerrshme, derisa pranoi se kishte ndjellë stuhitë që penguan bashkimin e mbretit dhe mbretëreshës së Skocisë.


Natyrisht, përgjegjës për djegien e magjistareve nuk ishte vetëm mbreti Xhejms VI. Ndërsa katastrofa vazhdoi të përkeqësohej, njerëzit filluan të shkonin më shpesh në kishë, veçanërisht pas stuhisë së madhe të gushtit 1562, që shkaktoi errësirë ​​në mesditë dhe vrau shumë bagëti, zogj, dhe rrënoi shtëpi në një hapësirë prej mijëra kilometrash katrorë.

Njerëzit qenë të bindur se kishte mbërritur Dita e Gjykimit. Uri, varfëri, sëmundje dhe migrime masive, pati në të gjitha kontinentet. Në shumë këto vende, priftërinjtë thanë me bindje se një mot i tillë i tmerrshëm, ishte shkaktuar nga shtrigat në bashkëpunim me djallin. Në këto famulli të largëta, nisi plot zell gjuetia ndaj shtrigave.

Në vitin 1484, Papa Inoçenti VIII fajësoi zyrtarisht shtrigat për anomalitë e motit. Në pjesë të mëdha të Evropës Qendrore dhe Jugore, u hapën shumë gjyqe kundër magjistarëve. Në Viesenshtajg të Gjermanisë, u dogjën në turrën e druve 63 gra, dhe vetëm në vitin 1563.

Por kishte shumë Kisha nëpër Evropë, ku njerëzit e kuptuan se moti shkatërrues ishte pasojë e natyrës, dhe jo e disa grave të moshuara që përpiqeshin të mbanin frymën gjallë. Në shumë pjesë të Evropës, njerëzit u interesuan në mënyrë aktive tek shkenca.


Falë ndikimit të shkencës, shumë njerëz u shprehën kundër cilësimit përgjegjës të shtrigave dhe magjistarëve për katastrofën klimaterike. Mjeku Johan Uejer, i oborrit të Dukes Vilhelm nga Julish-Klev, duke përdorur logjikën, vërtetoi me sukses se nuk kishte asnjë mundësi që një grua, magjistare ose jo, të shkaktonte ndryshimin e motit.

Të tjerët në oborre të ndryshme mbretërore në të gjithë Evropën, përdorën ligjin për të shprehur qëndrimin e tyre kundër gjyqeve ndaj magjistareve, duke pretenduar se edhe nëse ishte e mundur që shtrigat të shkaktonin tërbimin e motit, siç pranohet nga Papa Inoçenti VIII, asnjë nga ligjet e Zotit nuk kërkonte ndëshkim kapital për vepra të tilla. Ky kombinim i shkencës dhe ligjit biblik funksionoi, duke i shpëtuar kështu gratë e moshuara dhe të tjerët, nga dënimi mizor i gjyqeve mbi shtrigat.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne