Si po kthehet ari në bilancet financiare në para

Çfarë po ndodh me rezervat botërore të arit? Në tregun e arit mbizotëron klima e luftës së ftohtë.

Për herë të parë në 50 vjet, vitin e kaluar, bankat qendrore blenë mbi 640 tonë lingota ari, pothuajse dy herë më shumë se në 2017, duke arritur nivelin më të lartë që nga viti 1971, kur Presidenti amerikan, Richard Nixon, e mbylli epokën e standardit të arit, shkruan Alessandro Plateroti për Il Sole 24 Ore.

Fakt interesant është se bankat qendrore europiane, së bashku me ato aziatike, kanë qenë më agresive në blerjet e tyre: për shkak të frikës së krizës së euros dhe ‘luftërave’ të monedhave. Në realitet, dhe kjo është mbi të gjitha e vërtetë në Europë, pas manovrave të mëdha në rezervat e arit, nuk është vetëm mburoja tradicionale ndaj rreziqeve të mëdha, por edhe thirrja e mundësisë. Një thirrje për të cilën pak janë në dijeni, pavarësisht se takimi është vetëm çështje javësh deri më 29 mars 2019. Dita e gjykimit për Brexit do të jetë edhe një ditë vendimtare për tregun e arit.

Është e paqartë nëse me zgjedhje apo rastësisht, Banka Rregullatore Ndërkombëtare në Bazel, e cila njihet edhe si “Banka e Bankave Qendrore” për rolin kyç në sistemin financiar botëror, ka fiksuar në fakt më 29 mars, një takim me historinë: ringjalljen e “Standardit të Arit” (Gold Standard) në botën bankare.

 

Për thuajse 60 vjet, standardi i arit ka rregulluar konvertimin mes arit dhe dollarit duke shërbyer si referencë për vlerën e tregut. Në vitin 1971, Presidenti amerikan, Richard Nikson, i frikësuar nga presionet zhvlerësuese që rrezikonin të fundosnin dollarin në kulmin e Luftës së Ftohtë, këputi kordonin me arin, duke dekretuar fundin e standardit të arit. Tashmë diçka po lëviz në drejtim të kundërt.

 

Ari si para në dorë

“Il Sole 24 Ore” ka gjetur se në mesin e reformave komplekse por të njohura të standardeve për kredi dhe financimin e planit “Bazel 3”, fshihet një alkimi kontabiliteti (termi origjinal: accounting alchemy), e aftë për të kthyer arin në para në buxhetin e grupeve të mëdha bankare. Nga 29 marsi, me vendimin e BIS, zotërimet në ar të bankave komerciale dhe të biznesit do të bëhen “Ekuivalenti në Cash”, (Cash Equivalent), një aset i barazvlefshëm me paranë cash dh si rrjedhojë me “risk zero”. Në fakt, ky është “monetizimi i parë i arit” që nga marrëveshja e Bretton Woods. Ekspertët e quajnë “Gold Remonetization”, procesi invers me atë të “demonetizimit” të arit, i vendosur nga Nixon.

Statusi i njëjtë si obligacionet sovrane

Funksioni i BIS, sipas asaj që raporton “Il Sole 24 Ore”, mbart nënshkrimin e FED, BQE, Bundesbank, Bankës së Anglisë dhe Bankës së Francës, 5 të fuqive të mëdha monetare globale. Në vitin 2016, kur u përcaktuan rregullat e reja të sistemit bankar, të përfshira në paketën “Bazel 3”, Komiteti Qendror i Bankierëve vendosi një normë epokale, të cilën askush nuk e ka diskutuar kurrë hapur publikisht.

Në praktikë, ari në shufra “fizike” ose lingota – pra jo në formën “sintetike” si certifikata – do të konsiderohet nga rregullatorët si ekuivalent i dollarit dhe euros në aspektin e sigurisë së pasurive, duke eliminuar detyrimin për të peshuar rrezikun me qëllim të absorbimit të kapitalit, si me çdo aktiv financiar tjetër, duke përjashtuar (për momentin) obligacionet qeveritare të Eurozonës.

Pika e kthesës nuk është e parëndësishme, për tregun e arit dhe për vetë rolin e rezervave kombëtare të arit. Rezultati është i rëndësishëm: me rregullat e reja të “Bazel 3”, arit i jepet i njëjti status që sot njihet për obligacione sovrane në bilancet e bankave. Këtu lind natyrshëm një pyetje: a është ndoshta promovimi i arit një premisë për të aplikuar një koeficient të ponderimit të rrezikut për letrat me vlerë të qeverisë që mbahen nga bankat?

Që nga kriza e borxhit, objektivi i rregullatorëve ishte në fakt i dyfishtë: t’i impononte sistemit bankar të mbante një kapital të përshtatshëm për të mbuluar shkallën e rreziqeve. Në vëmendje janë kryesisht letrat me vlerë të qeverisë që, sipas rregullave aktuale, mund të mbahen nga bankat pa ndonjë ndikim në pasurinë e tyre. Çështja ka të bëjë kryesisht me vende me vlerësim të ulët si Italia, Spanja, Portugalia dhe Greqia, të cilat janë mbikëqyrur veçanërisht pas krizës së borxhit në vitin 2011.

Bankat e këtyre vendeve, si për të rritur përfitueshmërinë, si për të lehtësuar dhënien e borxhit publik në ankande, kanë peshën më të lartë të letrave me vlerë të qeverisë në Eurozonë. Ky fenomen ndihet veçanërisht në Itali, ku sistemi bankar zotëron 400 miliardë tituj shtetërorë në 2.4 trilionë të borxhit publik.

Çfarë do të ndodhte atëherë, nëse do të aplikohej ponderimi i rrezikut mbi titujt shtetërorë siç dëshiron Komiteti i Bazelit? Pasojat varen nga niveli i ponderimit të rrezikut të aplikuar mbi titujt shtetërorë. Nëse do të ishte i lartë, disa banka mund të ishin të detyruara të zëvendësonin letrat me vlerë me mjete të tjera financiare, duke përfshirë arin, ose të vazhdonin me rritjen e kapitalit.

Në një moment kur tregu heziton të blejë aksione bankare, rreziku i pasojave në stabilitetin e sistemit bankar mund të jetë i lartë. Mjafton të shikoni kreditë derivative (CDS-credit default swap) mbi bankat italiane. Sipas të dhënave të Bloomberg, CDS 5-vjeçare të disa prej bankave më të mëdha italiane janë rritur që nga pranvera e vitit 2018, madje në disa raste, vlera e tyre është trefishuar. Në këtë kontekst, data e 29 marsit po afrohet me shpejtësi.

Shtetet që kanë riatdhesuar arin nga jashtë vendit, duke rifituar kontrollin dhe menaxhimin, ndihen tashmë të mbrojtura nga rreziku që mund të vijë pas 29 marsit, në rast se ata duan të zëvendësojnë bonot sovrane.

Në arsenalin e sistemit, ka një mal me ar prej rreth 33 mijë tonë ari, që vlen 1.4 miliardë dollarë, me kursin e këmbimit aktual.

Kjo përfaqëson 20% të të gjithë arit të nxjerrë në botë në gati 3 mijë vjet. Si zakonisht, vendet më largpamëse dhe të matura – ose ndoshta më mirë të informuara në lidhje me pikën e kthesës në fund të marsit, kanë qenë Gjermania, Holanda, Austria, Franca, Zvicra dhe Belgjika, por edhe Polonia, Rumania dhe Hungaria kanë rifituar kontrollin e rezervave të arit, duke rritur edhe konsistencën.

Kina, Rusia, India dhe Turqia, nga ana tjetër, janë vendet që kanë blerë në dy vitet e fundit më shumë ar se kushdo tjetër, me Moskën që ka likuiduar të gjithë portofolin në letra me vlerë të qeverisë amerikane duke i zëvendësuar me metalin e çmuar. Por problemi është ky: ari nuk ka kthim investimi.

Në vitin 2018, nga autoritetet monetare të çdo kontinenti, por mbi të gjitha në Europë, u blenë 641 tonë lingota ari, ky është niveli më i lartë që nga viti 1971. Manovra nuk ka precedentë dhe mund të shihet në fenomenin e riatdhesimit të arit të shtetit. Shtatë mijë tonë rezerva ari u tërhoqën nga bankat qendrore nga arkivat e Rezervës Federale të Nju Jorkut, ndërkohë 400 tonë kanë dalë fshehurazi nga Banka e Anglisë. Në vitet e fundit, por sidomos në 2018, rritja në çmimin e arit duhet të ishte në rendin e gjërave. Përkundrazi, ari e mbylli vitin e kaluar me një rënie prej 7% dhe një kthim negativ financiar. Si shpjegohet kjo?

Ndërsa bankat qendrore vraponin drejt lingotave të arit “të vërtetë”, në të njëjtën kohë nxisnin dhe koordinonin ofertën e qindra tonë të “arit sintetik” në Londër dhe Nju Jork, ku ndodh 90% e tregtimit të metaleve çmuar. Furnizimi i tepërt e derivateve të arit do të shërbejë padyshim për uljen e çmimit, për të kufizuar humbjet e forta të akumuluara në kontratat e së ardhmes.

 

Kështu, sa më shumë zbriste çmimi i kontratave të së ardhmes, aq më shumë investitorët e shisnin “arin sintetik”, duke shkaktuar rënie spirale, të cilat u shfrytëzuan nga bankat qendrore për të blerë ar fizik me çmime gjithnjë e më të ulëta.

Kina, India, Rusia dhe Turqia praktikisht kanë dyfishuar rezervat e arit në pesë vitet e fundit me këtë sistem. Për të blerë ar, Moska madje ka shitur 20% të obligacioneve të qeverisë amerikane që kishte në rezervar valutore.

Sa e përputhshme është kjo situatë, me detyrimin e korrektësisë dhe transparencës së një banke qendrore? Me siguri, sistemi i krijuar nga anglo-amerikanët “Goldfinger” duket se është bërë qëllimisht pasi kishte abuzime. Kush e di se çfarë do të ndodhë pas 29 marsit…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne