Si po i përdor Mediu gratë e PD-së

‘Trafikimi’ i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë nuk është një fenomen i ri në vendin tonë. Që në seancën e parë të kësaj legjislature , kur u votua për zgjedhjen e Gramoz Ruçit si kryeparlamentar, pamë tre deputetë të PD-së që votuan pro tij, duke shkaktuar një ‘furtunë’ në radhët opozitës.

Por ka edhe raste të tjera kur ‘trafikimi’ i deputetëve bëhet për interesa të ngushta deri në kufijtë e banales.

I tillë është ai Fatmir Mediut, kreut të Partisë Republikane, i cili i ka marrë ‘borxh’ Lulzim Bashës 6 deputetë të PD-së për të krijuar grupin e vet parlamentar. Po çfarë përfiton Fatmir Mediu tani që do të ketë grupin e vet parlamentar me 7 deputetë?

Së pari përfiton vetë rritje të rrogës, pasi ka për të qenë kryetar grupi parlamentar.

Së dyti, përfiton dy vende të reja pune për njerëzit e vet. Një këshilltar të grupit parlamentar dhe një sektretar.

Dy parti politike, PD-ja dhe PR-ja, bëhen rrëmujë duke këmbyer deputetët për interesa qesharake që veç me opozitarizmin që i duhet vendit nuk kanë lidhje.

Si për ta bërë më qesharakë këtë pazar mes Mediut dhe Bashës, katër nga gjashtë deputetët që Basha i ka dhënë ‘hua’ Partisë Republikane janë femra. Ato janë Oriola Pampuri, Fatbardha Kadia, Nadire Meçorapaj dhe Lindita Metaliaj.

Thënë kjo, Fatmir Mediu ka për të qenë si ‘veshka mes dhjamit’ me gratë e PD-së në grupin e tij. Do të përfitojë rritje rroge për veten dhe dy vende të reja pune. Ndërkohë dy deputetët meshkuj që u ‘trafikuan’ nga PD-ja për te PR-ja janë Hekuran Hoxhalli dhe Isuf Çelaj.

Rregullorja kërkon të paktën 7 deputetë për të formuar një grup parlamentar, prandaj Mediu hyri në pazar me Bashën. Tashmë Kuvendi i ri do të ketë 4 grupe parlamentare; PS, PD, LSI dhe PR.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne