‘Si të dallosh një çifut’: Gazeta polake që u shit hapur në parlament me këtë kryelajm, ndez zemërim

Ligjvënësi polak shokohet kur zbulon se në parlamentin e vendit po shitej një gazetë me udhëzime se si të dalloje hebrenjtë me emër dhe fytyrë dhe të trajtoje “aktivitetin e tyre të dezinformimit”.

E përjavëshmja në gjuhën polake Tylko Polska e krahut te djathtë publikoi një shkrim me titullin, ‘Si të dallosh një çifut’. Qëllimi i artikullit që gjendej në faqen e parë ishte të mësonte lexuesit mbi “emrat, karakteristikat antropologjike, shprehjet, paraqitjet, tiparet e karakterit, metodat e veprimit” të hebrenjve, së bashku me “aktivitetet e tyre të dezinformimit”.

Teksti thoshte gjithashtu: “Si mund të mposhten ata? Kjo nuk mund të vazhdojë më!” Faqja e parë përmbante edhe një fotografi të historianit të lindur në Poloni, Jan Gross. Punimet e tij që flasin për pëlqyeshmërinë polake ndaj Holokaustit gjatë okupimit nazist, e kanë bërë atë një shenjestër të shpeshtë nga të djathtët e vendit.

Në momentin që u zbulua nga ligjvënësi Michal Kaminski, gazeta e botuar nga një politikan nacionalist vendas, po shitej hapur në një sportel të gazetave brenda ndërtesës së parlamentit polak. “Unë e konsideroj një skandal absolut që gazeta të tilla të turpshme të shiten këtu brënda parlamentit, sikur të ishin marrë direkt nga shtypi i kohës naziste,” u tha ai gazetarëve.

Incidenti shkaktoi zemërim në mediat sociale dhe bëri që kritikët kryesorë të akuzonin qeverinë për mosveprim kundër gjuhës së urrejtjes.

“Çfarë do thonë tani politikanët?” shkroi një person. “Polonia është një vend i lirë nga antisemitizmi? Nuk paska ky vend mjete kundër racizmit dhe nacionalizmit?”

Një tjetër e quajti situatën “një turp për parlamentin polak”.

Fakti që gazeta të nxitjes së urrejtjes shiten fare hapur, “për fat të keq demostrojnë injorancën kokëfortë apo madje edhe tolerancën ndaj antisemitizmit në politikë”, tha për mediat grupi polak i anti-racizmit ‘Never Again Association’.

Publikimi u dënua fort nga Abraham Foxman i Ligës Anti-Shpifje me fjalët: “Sa e trishtueshme është për Poloninë dhe për popullin hebre që antisemitizmi vazhdon në kaq shumë forma dhe në kaq shumë vende të Polonisë së sotme.”

Pas reagimeve të ashpra, Andrzej Grzegrzolka, i cili drejton qendrën e informacionit parlamentar, shpjegoi se sportelet e gazetave janë të menaxhuara nga një firmë private e cila është përgjegjëse për përzgjedhjen e tyre.

“Personat që shesin gazetat nuk janë punonjës të kancelarisë së parlamentit,” shkroi ai në Twitter.

Grzegrzolka tha se do të kërkonte që “gazeta me artikuj antisemitikë” të hiqeshin dhe të rishikohej i gjithë materiali që do të publikohej.

Polonia, që drejtohet nga një qeveri e krahut të djathtë, ka parë një rritje të incidenteve antisemite dhe nacionaliste, gjë që ka çuar në skandale brenda vendit dhe në përplasje diplomatike me Izraelin. Në janar, aktivistët e ekstremit të djathtë marshuan nëpër Auschwitz në Ditën Përkujtimore të Holokaustit, duke bërë thirrje në Poloni për “luftë kundër hebrenjve”./rt/Gazeta Impakt

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne