Mjekja endokrionologe, Yllka Themeli shpjegon çdo gjë rreth tirodes. Si mund ta kuptojmë nëse kemi strumë (gushë) të tiroides, si mjekohet struma e tiroides dhe si mund ta parandalojmë

Tiroidja është një problem i shumë njerëzve. Mungesa e jodit është një ndër shkaktarët e problemeve me tiroiden. Mjekja endokronologe, Yllka Themeli shpejgon gjithçka që duhet të dimë për tiroiden. Si mund ta kuptojmë nëse kemi strumë të tiroides, si mjekohet stuma e tiroides dhe si mund ta prandalomë.

Çfarë përfaqëson gjendra tiroide dhe pse është e rëndësishme per organizmin tonë?

Tiroidja është një gjendër në formën e fluturës, që gjendet në pjesën e përparme dhe të poshtme të qafes. Ajo peshon 30-40 gram dhe ne njerezit që nuk kanë mungesë të jodit ajo nuk mund të shikohet dhe as të preket. Për të gjykuar mbi përmasat, strukturën dhe vaskularizimin(furnizimin me gjak) e kësaj gjendre, përdoret ekografia e tiroides, që është një egzaminim i thjeshtë dhe jotraumatik.

Tiroidja është një gjendër endokrine, pjesë e sistemit endokrin të organizmit, ku përfshihen të gjitha gjendrat që prodhojnë hormone. Megjithëse e vogël nga madhësia, gjendra tiroide është mjaft e rëndësishme për organizmin, pasi hormonet që prodhohen në të, T3-trijodtironina dhe T4-tiroksina, janë të domosdoshme për proçesin e rritjes së organizmit, zhvillimin fizik dhe intelektual të tij, si dhe për shumë proçese të shkëmbimit të lëndëve në trupin tonë (proçese metabolike).

Proçesi i formimit të këtyre hormoneve në tiroide është i varur në mënyrë të drejtperdrejtë nga sasia e jodit që organizmi ynë përvetëson nëpërmjet ushqimeve natyrore dhe ujit të pijshëm, pasi jodi është elementi kryesor që mundëson formimin e T3 dhe T4.

Çdo njeri ka nevoje të pervetësoje rreth 200 mikrogram(0,2 miligram) jod në ditë, sasi kjo e mjaftueshme për nevojat e organizmit. Nëse kjo sasi nuk arrihet të merret, gjendra tiroide do të funksionojë në mënyrë të sforcuar për të prodhuar hormonet, situatë kjo që manifestohet me zmadhimin e saj. Pikërisht ky zmadhim kompesator që bën gjendra tiroide, si pasojë e funksionimit të saj të sforcuar, quhet strumë (gushë) e tiroides.

Mungesa e jodit është një problem në mbarë botën, apo i vendit tonë në veçanti?

Mungesa e jodit është një problem me të cilin është përballur e gjithë bota. Kjo për faktin se, si pasoje e veprimeve mijëra vjeçare të faktorëve natyrore si shkrirja e akullnajave, bora, shirat dhe përmbytjet e lumenjve, jodi është përqëndruar në dete dhe oqeane. Pra, jodi egziston, por jo në vendin e duhur, në tokë, ku rriten dhe riprodhohen produktet e ndryshme ushqimore që furnizojnë organizmat e gjalla.

Në vendet e zhvilluara kjo mungesë e jodit është kompesuar prej vitesh nëpërmjet politikave shëndetsore te orientuara drejt shtimit të sasisë së jodit në produkte ushqimore më shpesh të konsumueshme nga popullata, si uji, kripa, mielli, vaji, etj.

Në vendin tonë ende konstatohet ky fenomen, veçanërisht në zonat e thella, që ndodhen larg detit.

Stafi i klinikës ku unë punoj ka realizuar konsulta në zona si Skrapari, Përrenjasi, Gramshi, Kuçova, Lushnja, Elbasani, Korça, Kukësi etj, ku janë konstatuar struma të mëdha dhe të vjetra, me kokrra në brendësi(struma multinodulare), pasoje e deficiencës së thellë jodike të këtyre zonave.

Mungesa e jodit mund të reflektohet me dëmtim të cilësisë së jetës, pasi ajo mund të shkaktojë ndjesinë e lodhjes, përgjumjes gjatë ditës, ndjesinë e të ftohtit, tharje të lekurës, rënie të flokëve, ngadalësimit të lëvizjeve dhe të proçeseve intelektuale, si ulje të memorjes dhe inteligjencës, nervozitet, kapsllik, shtim të pashpjegueshëm në peshë (ndjesinë e fryrjes), etj.

Si mund ta kuptojë një person nëse ka strume të tiroides? Çfare shqetësimesh mund të ketë në këtë rast?

Struma e tiroides tek një person mund të jetë e shkallëve të ndryshme, nga struma e vogël, difuze(uniforme), e padallueshme, deri në strumat e mëdha, me noduj(kokrra) në brendësi, te cilat janë problematike jo vetëm estetikisht, pasi me kalimin e kohës ato mund të shkaktojnë pasoja serioze për shëndetin.

Vetë vendosja anatomike e gjendrës tiroide, afërsia e saj me rrugët e kalimit të ajrit(trakene) dhe të ushqimit(ezofagun), si dhe me nervat rekurente(përgjegjës për zërin), bën që në rastin e strumave të mëdha të kemi probleme nga shtypja e këtyre strukturave, që manifestohet me vështiresi në frymëmarrje, vështiresi në gëlltitje, si dhe probleme me zërin (ngjirje, dobësim, humbje të zërit). Këto struma zakonisht janë të vjetra, dhe jane karakteristikë për zonat me mungesë të madhe të jodit(zonat endemike).

Në përgjithësi strumat e vogla nuk japin shqetësime. Ato evidentohen zakonisht në kontrrolle të rastësishme, gjatë egzaminimit ekografik. Ky është tipi më i shpeshtë i strumave, që haset kryesisht tek femrat dhe nuk shoqërohet me çrregullim të funksionit të gjendrës. Një strumë e tillë mund të qëndrojë për një kohë të gjatë pa ndryshime, por mund të pësojë edhe rritje të përkohshme në periudha të caktuara si  puberteti, shtatzania, laktacioni(periudha e ushqyerjes me gji), menopauza, stresi emocional, etj. Pikërisht në këto periudha ku struma pëson rritje është i nevojshëm fillimi i mjekimit.

Në rastin e strumave të mëdha situata është e ndryshme. Ato mund të mos japin asnjë shqetësim tek pacienti, por në pjesën më të madhe të rasteve, veçanërisht kur rriten në drejtim te kafazit të kraharorit, mund të shkaktojnë tek pacienti dhimbje në gjoks, vështirësi në frymëmarrje dhe gëlltitje, si dhe ngjirje të zërit. Kur pacienti referon për këto shqetësime, duhet të jemi mjaft të kujdesshme në drejtim të vlerësimit të strumës, pasi këto shenja mund të jenë treguese për praninë e një kanceri në gjendrën tiroide. Kjo ka vlerë veçanerisht për strumat që janë shfaqur kohët e fundit, që janë rritur për një kohë të shkurtër dhe me përmasa të mëdha, si dhe janë të dhimbshme.

Në rastet kur struma shoqërohet me çrregullim të funksionit të tiroides, përkatësisht me shtim (hipertireoze) ose me ulje (hipotireoze) të funksionit, pacienti do të manifestojë shqetësimet e këtyre patologjive, për të cilat mund të ndalemi gjerësisht në numrat e ardhshëm.

Si mjekohet struma e tiroides?

Kjo është e lidhur ngushtë me faktin nëse kemi të bëjmë me një strume të thjeshtë, pa çrregullim të funksionit të tiroides, apo ajo është pjesë e një patologjie tiroidiene si hipertireoza apo hipotireoza. Kjo vlerësohet me anë të analizave të gjakut, ku dozohen hormonet tiroidiene dhe stimuluesi i tyre hipofizar (që prodhohet në tru), si dhe dozohet jodi në gjak dhe në urinën e 24 orëve.

Nëse rezulton një strumë e thjeshtë nga niveli i ulet i jodit në organizëm, se pari duhet të sigurohen dozat ditore normale të jodit. Kjo realizohet duke shtuar konsumimin e produkteve ushqimore të pasura me jod, por edhe duke e marrë jodin nga goja në formën e tabletave. Përderisa struma është pasojë e funksionimit në mënyrë të sforcuar të tiroides për të prodhuar hormonin e saj, dhënia e këtij hormoni të gatshëm nga goja në formën e tabletave e përmirëson ndjeshëm strumën. Ky mjekim rekomandohet për disa vite, sepse është mjaft i rëndësishëm për parandalimin e zmadhimit të mëtejshëm të gjendrës tiroide.

Shumë shpesh paciente me shqetësime të palidhura me strumen (gjendje anksioze, neuroza, etj)  insistojnë për t`u trajtuar në mënyrë kirurgjikale, pra për ta hequr tiroiden nëpërmjet operacionit. Trajtimi kirurgjikal në këto raste nuk ka sens, pasi operacioni jo vetëm qe nuk do t’ua largojë shqetësimet këtyre pacienteve, por edhe nuk do të evitojë  rishfaqjen e strumës, për sa kohe që nuk është larguar shkaku i vërtetë i saj, që është mungesa e jodit.

Në rastin e strumave të mëdha, që përbëjnë problem estetik, apo që kanë shkaktuar shqetësime serioze nga shtypja lokale, rekomandohet heqja kirurgjikale e tyre dhe mjekimi për gjithë jetën me hormon të tiroides.

A parandalohet struma?

Në shfaqjen e një strume tiroidiene ndikojnë shumë faktorë, si origjina gjeografike, mënyra e ushqyerjes, sasia e paket e jodit në ushqim dhe ne ujin e pijshëm, marrja në sasi të madhe dhe shpesh e ushqimeve strumogjene (lakra, lulelakra, brokoli, panxhari, rrepa, patatja e eger, meli), përdorimi i medikamenteve ose i disa substancave që permbajnë  jod ( lëndë kontrasti që përdoren për skanera, urografi intravenoze, etj). Edhe faktori familjar është mjaft i rëndësishëm, veçanërisht nëse patologjitë tiroidiene i ka pasur një i afërm i gradës së parë (nëna, babai, motra, vëllai, vajza).

E rëndësishme është të sigurohet nevoja ditore e jodit nëpërmjet ushqimit dhe ujit të pijshëm. Kripa e jodizuar është një burim i mirë i jodit, nëse jodizimi i saj është real. Vetëm ¼ e një lugë çaji kripë përmban jo pak, por 95 mikrogram jod. Gjithashtu rekomandohet ushqyerja me prodhime deti 2-3 herë/javë, ku më të pasura me jod janë barbuni, merluci, levreku, si dhe algat e detit. Edhe perimet e fresketa, veza dhe produktet e qumështit përmbajnë sasi të rëndësishme të jodit. Në personat e kequshqyer, suplementet me multivitamina janë gjithashtu të rekomandueshme.

Duhet patur parasysh qe jodi është një element thelbesor për rritjen e fetusit gjatë shtatzanisë. Një nënë me mungesë të jodit mund të lindë një fëmijë me prapambetje të zhvillimit mendor. Për këtë arsye, niveli i jodit në organizëm në këtë periudhë, si edhe më pas në periudhën e laktacionit(të ushqyerjes me gji) duhet të jetë i ruajtur, madje edhe më i lartë sesa në popullatën normale, për shkak të nevojave të dyfishta, të nënës dhe të fetusit për jod. Kjo realizohet nëpërmjet ushqyerjes së larmishme të nënës, të pasur me komponentet e mësipërm ushqimore, si dhe nëpërmjet marrjes së tij nga goja në formën e tabletave. Kjo e fundit duhet të bëhet vetëm pas vlerësimit të gjendjes nga ana e mjekut specialist endokrinolog. /Gazeta Shendeti/

89