Grabitja e dytë e parave që transportonin bankat me avion jashtë vendit ka hapur debate për sigurinë e aeroportit të vetëm në vend, atij të Rinasit.

ICTS Albania, kompania që është e kontraktuar nga Tirana International Airport (TIA) për sigurinë, ka realizuar një qarkullim vjetor prej 309 milionë lekësh, rreth 2.5 milionë euro në vitin 2017, sipas të dhënave zyrtare të bilancit, një shumë kjo që është arkëtuar me qëllim që firma të garantojë sigurinë në aeroport, për të cilin ka të angazhuar 152 punonjës.

Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat janë rritur me pothuajse 20%. Fitimi para taksave ishte rreth 37.5 milionë lekë, me një normë fitimi prej 12%.

Ndërsa në raport me vitin 2014, të ardhurat e kompanitë janë rritur me 30%.

Sipas përshkrimit në bilanc, ICTS Albania ushtron aktivitetin e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas dhe ofron shërbime konsulence sigurie.

ICTS Albania është krijuar në vitin 2005 dhe është 100% në pronësi të ICTS Europe dhe ka si objektiv ofrimin e shërbimeve të sigurimit të aviacionit, detar etj, shkruan monitor.

Ndonëse i ka rritur të ardhurat vit pas viti, për të dytën herë, kompania përgjegjëse për sigurinë në Rinas ka dështuar të ndalojë vjedhjen brenda ambienteve të aeroportit.

Në 30 qershor 2016 u grabit një makinë e blinduar që transportonte paratë drejt avionit, ndërsa dy ditë më parë, grabitësit arritën të futeshin deri në barkun e avionit./Monitor

24