Sinodi i Shenjtë i Kishës Greke kundërshtoi ashpër projektligjin e miratuar në parlamentin grek për të lejuar kujdestarinë e fëmijeve nga çifte të të njëjtit seks. Në komunikatën e bërë publike Sinodi ironizon vendimin e parlamentit duke thënë se sërish “mbizotëroi korrektësia politike” kundër rendit natyror dhe të drejtave të fëmijëve”
“Pas kalimit të projektligjit nga Ministria e Punës që u jep të drejtën çifteve të të njëjtit seks të marrin kujdestarinë e fëmijëve, Sinodi i Shenjtë shpreh kundërshtimin e fortë ndaj kësaj zgjidhje të shtetit për të privuar disa fëmijë nga e drejta e rritjes në një familje normale me standardet e atësisë dhe mëmësisë. Nuk është rastësi që sot populli grek ende beson te familja si një vlerë thelbësore”-thuhet në deklaratë.
Më tej Kisha kujton se është institucioni më i madh i popullit grek dhe për këtë arsye ka të drejtën e diskursit publik, si çdo institucion tjetër social, pa pretenduar imponimin e pikëpamjeve të saj nga shoqëria.
Projekligji u miratua pasi mori mbështetjen e 161 deputetëve nga SYRIZA, dhe dy parti të tjera, ndërsa 103 deputetë votuan kundër. Diskutimet dhe më pas votimi u ndoqën në lozhën e parlamentit nga përfaqësues të komunitet LGTB, mes të cilëve edhe Jason-Antigoni Dein, i cili është personi i parë që i ka paraqitur gjykatës greke kërkesën për t’i hequr gjininë nga çertifikata e tij e lindjes, duke shtuar pranë emrit Jason edhe shtesën Antigoni.
Nisma e qeverisë greke ka provokuar një debat të ashpër, të cilin pas pak vitesh mund ta shohim edhe në Shqipëri në kuadër të përmbushjes së standardeve europiane për mosdiskriminimin gjinor.