Siri – Ndihmat e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar gjenden në vendstrehimet e PYD/PKK-së në Afrin

Paketa ndihmash të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë, e cila varet nga regjimi i Esadit, janë gjetur në strehimoret e organizatës separatiste terroriste PYD/PKK në zonën siriane të Afrinit, në kontrollet e realizuara nga Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtria e Lirë Siriane (FSA).

Gjatë aktiviteteve të vazhdueshme të ushtrisë turke dhe FSA-së në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” – filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të neutralizuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste – janë realizuar kontrolle në vendstrehimet e terroristëve në lokalitetin e quajtur Salkanli, tashmë i spastruar nga prania e organizatave të lartpërmendura.

Në kontrolle janë gjetur paketa me ushqime dhe materiale të tjera jetike.

Brenda paketave janë gjetur broshura të përbashkëta me logot e Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq.

Këto broshura përmbajnë informacione të përgjithshme, të cilat e prezantojnë Gjysmëhënën e Kuqe të Sirisë dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, por edhe vërejtjen se ndihmat bëhen për civilët.

Në broshura gjithashtu kërkohet nga grupet e armatosura që të mos pengojnë mbërritjen e ndihmave tek nevojtarët.

Dihet që regjimi i Esadit ka ofruar asistencë logjistike qysh prej fillimit të luftës civile siriane për organizatën terroriste, e cila e ka shndërruar Afrinin në strofkë të sajën.

Falë korridorit të hapur në Afrin nëpërmjet provincës së Halepit, regjimi ndihmon terroristët që të hyjnë në këtë zonë nga rajone të ndryshme të vendit.

Në përgjigje të pyetjes se “si kanë hyrë ndihmat e Kryqit të Kuq në vendstrehimet e terroristëve në Afrin”, Iolanda Jaquemet, zëdhënëse e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) me seli në Gjenevë, pranoi se vitin e kaluar kanë dërguar në Afrin 5 autokolona të ndryshme me ndihma humanitare.

“Ne kemi dërguar ndihma për rreth 50 mijë persona anëtarë të 10 mijë familjeve të zhvendosura, që strehohen në kampet afër Tell Rifaatit dhe Afrinit (nën pushimin e PYD/PKK-së)”, theksoi ajo.

Sipas saj, autokolona e fundit (me ndihma) ka mbërritur në atë zonë dy muaj më parë.

“Kryqi i Kuq është një organizatë e pavarur dhe jopartiake. Ne s’kemi dërguar kurrë ndihma humanitare për luftëtarët. Ne ia dorëzojmë ndihmat Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë dhe ajo bën shpërndarjen”, shtoi Jaquemet.

Zëdhënësja e ICRC-së vuri në pah se këtej e tutje ata do të monitorojnë vetë nëse ndihmat humanitare mbërrijnë ose jo tek personat në nevojë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne