Siria, matësi i vërtetë i qytetërimit të sotëm…

Imam Muhamed B. Sytari*

Imagjinoni se çfarë civilizimi e qytetërimi është ky, që lejon shkatërrimin e djepit të civilizimeve dhe qytetërimeve botërore; Sirinë!

Imagjinoni, kasaphana e Sirisë ka mbi shtatë vite. Qindra mijëra jetë të pafajshme, sa e sa fëmijë të mitur, vajza të reja, nëna me fëmijë në gji e të tjera në pritje të gëzimit të parë…

Vrasje e shkatërrime masive me të gjitha llojet e armëve dhe makinerive të shkatërrimit në masë, thuajse në heshtje botërore!

Sa e sa objekte kulti historike, deri shekullore, të shkatërruara, të djegura e të bombarduara! Varre heronjsh, sahabësh e eulijashë me emër, të dhunuara e të thyera! Nuk shpëtoi i gjallë, as i vdekur nga kjo çmenduri shejtanore!

Miliona muhaxhirë sirianë gjithandej, anembanë botës… (Tek Zoti i gjithësisë, nuk do të tretet asnjë hise e sinqeritetit dhe solidaritetit të asnjë shteti ndaj tyre, njësoj si nuk do të harrohet asnjë barbarizëm e sjellje çnjerëzore e shumëkujt ndaj tyre!)

Imagjinoni tash, përfaqësues të ndryshëm të civilizimit të armëve bërthamore dhe krimeve pafund ndaj njerëzimit, bashkë me ata të qytetërimit të mashtrimit, korrupsionit, gënjeshtrës dhe hiles, teksa së bashku, a veç e veç, vijnë e të flasin për tolerancë e harmoni, për modele “Islamesh” pa yndyrë e tëmth, për dialog qytetërimesh e të ngjashme..!?

Prandaj, detyrimisht duhet të ketë një rizgjim të Islamit të vërtetë dhe njerëzve të urtë që e njohin besën e Zotit dhe hakun e robit, për të shkelmuar gjithë këtë hipokrizi e nihilizëm ekstrem, që ka për tendencë të kthejë në manekinë bajatë e të pafytyrë, deri edhe shumë pretendues të fetarizmit a të fabrikuar për këtë gjë!

Siria, matësi i vërtetë i qytetërimit të sotëm, e nxorri të falsifikuar atë, para syve të mbarë njerëzimit!

*Myfti i Zonës Shkodër

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne