Situatë e rëndë në Indonezi, mungojnë ushqime dhe veshmbathje

Qeveria e Indonezisë pritet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, në mënyrë që të mund të pranojë ndihma humanitare nga jashtë për njerëzit që kanë pësuar në tërmetin shkatërrues në ishullin Sulawesi, ku si pasojë u shkaktua edhe një cunami, tha drejtori dhe përgjegjësi i zyrës së Anadolu Agency (AA) në Xhakartë, Dandy Koswaraputra, pasi siç tha, deri më tani kanë marrë vetëm ndihmat organizatave turke IHH dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke.

Në bashkëbisedim me gazetarin e AA-së në shqip, Koswaraputra tha se nuk dinë saktë kur do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, por sipas informacioneve qeveritare, një gjë e tillë pritet të ndodhë së shpejti. Ai tha se situata në disa zona nuk është aspak e mirë, meqë ka vendbanime ku nuk kanë depërtuar ekipet për shpëtim nga shkaku i infrastrukturës dhe komunikimeve të paralizuara, ndërsa gjendjen e rëndon edhe ndërprerja e energjisë elektrike.

“Aktualisht rreth 16000 njerëz jetojnë në strehimore me mungesë të theksuar të ushqimit, mjeteve sanitare dhe veshmbathjeve, për çka tashmë kanë filluar edhe plaçkitjet e disa marketeve më të vogla ku qytetarët po marrin gjësendet elementare”, rrëfeu Koswaraputra mbi situatën aktuale në rajonet e prekura nga tërmeti.

Ai thotë se AA ka dërguar një ekip në zonat e prekura, dhe pjesa tjetër ndjek zhvillimet nga Xhakarta, meqë nga shkaku i infrastrukturës së dëmtuar nuk janë në gjendje të shkojnë atje.

Koswaraputra theksoi më tej se organizatat humanitare nga Turqia kanë ndihmuar banorët indonezianë.

“Deri më sot, Turqia është i vetmi vend që përmes organizatave të saj ka ndihmuar në zbutjen e pasojave nga tërmeti. Janë IHH dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke”, tha Koswaraputra, i cili sqaroi se ligjet e vendit të tij thonë se ndihmat nga jashtë mund të vijnë vetëm në situatën e shpallur të gjendjes së jashtëzakonshme.

Numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit prej 7,7 ballësh dhe cunamit pasues në Ishullin Sulawesi të Indonezisë është rritur në 1.203, dhe qindra të tjerë llogariten të zhdukur.

Ndërkohë qeveria ka paralajmëruar mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ushqimeve që popullata e rajonit mund t’i marrë nga dyqanet.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne