S’ka më “divorce sekrete”, femrat saudite do të njoftohen me SMS

Një legjislacion i ri në Arabinë Saudite pritet t’i japë fund praktikës së deritanishme të të mosnjoftuarit të femrave në raste divorci.

Duke nisur nga kjo e diel, gjykatave do t’iu kërkohet të njoftojnë femrat përmes një mesazhi SMS në telefonat celularë, mbi vendimet që konfirmojnë divorcet e tyre.

Avokatet lokale thonë se masa e re do t’u japë fund të ashtuquajturave “divorce sekrete”, në të cilat meshkujt mund të zgjedhin t’i japin fund martesës së tyre pa ua thënë këtë bashkëshorteve.

Direktiva e re do të garantojë që gratë të jenë tërësisht të informuara mbi statusin e tyre martesor, e sigurisht të mund të mbrojnë të drejtat për mbështetje financiare.

Vitin e kaluar, në Arabinë Saudite u hoq ndalimi disa dekadësh që nuk i lejonte femrat në timon. Megjithatë, femrat vijojnë të jenë subjekt i ligjeve të mbikëqyrjes nga meshkujt.

Por jo vetëm. Femrat saudite, ende edhe sot nuk mund të bëjnë shumë gjëra, pa miratimin e një mbikëqyrësi mashkull, zakonisht bashkëshorti, babai, vëllai apo djali. Mes tyre, për shembull, është aplikimi për pasaportë, udhëtimi jashtë vendit, martesa, hapja e një llogarie bankare, nisja e disa bizneseve të caktuara, kryerja e operacioneve kirurgjikale për qëllime estetike, apo largimi nga burgu.

Sistemi i mbikëqyrjes nga meshkujt ka bërë që të krijohet një nga shtetet me pabarazinë më të theksuar gjinore në Lindjen e Mesme./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne