Skandal me tenderin e UBT-së/ Fitoi firma që ofroi 100 mln më shumë se oferta më e ulët

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës tentativat e një grupi të vogël pedagogësh dhe studentësh të Universitetit Bujqësor të Tiranës për të penguar ndërtimin e një gjimnazi në Kodër Kamëz. Prona është e regjistruar në Hipotekë nga Bashkia e Tiranës, por prej disa ditësh, UBT kundërshton ndërtimin e kësaj shkolle, me arsyetimin se ka një projekt për ndërtimin e disa godinave.

Megjithëse nuk kanë pronë dhe para, përfaqësues të UBT-së pretendojnë se shkolla të transferohet vetëm 120 metra larg vendit aktual. Por, për bashkinë, një transferim i tillë do të dojë shumë kohë burokratike për ndërtimin e kësaj shkolle, që u vjen në ndihmë 30 mijë banorëve.

“Fiks Fare” shfletoi dokumentet dhe pyeti përfaqësues të bashkisë dhe universitetit. Nga dokumentet rezulton se Bashkia e Tiranës disponon me certifikatë pronësie një sipërfaqe rreth 9 mijë metra katrorë truall, në afërsi të UBT. Toka ka qenë private dhe i është kthyer një pronari. Por, më pas, bashkia ka shpronësuar pronarin dhe e ka regjistruar në hipotekë.

Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan me Jonida Dokun, administratoren e Njësisë Bashkiake Nr.11. Sipas saj, projekti prek 30 mijë banorë dhe aktualisht, në zonë nuk ka gjimnaz. Madje, 1 nga dy shkollat 9-vjeçare bën mësim me dy turne. Sipas saj, me ndërtimin e kësaj shkolle, zgjidhet ky problem. Fiksi bisedoi me rektorin e UBT, z.Bahri Musabelliu. Ai kërkoi që shkolla të zhvendoset pak më larg, në mënyrë që mos të ketë probleme me universitetin. Sipas tij, në vendin aktual është bërë një pedonale dhe se ka projekt për ndërtimin e disa godinave universitare.

Ilda Qazimllari, arkitekte në Bashkinë e Tiranës, thotë se pretendimet e përfaqësuesve të UBT, nuk kanë lidhje, pasi “prona është e bashkisë me certifikatë pronësie”. Sipas saj, shkolla do ndërtohet në pronën e bashkisë, e cila ka shpronësuar pronarin. “Universiteti nuk ka pronë, megjithëse pretendonte se do të bënte pemishte” thotë ajo.

Universitet i zaptuar

“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në brendësi të kampusit është një universitet privat “Qirjazi”. Mësohet se godina i është kthyer trashëgimtarëve të familjes Qirjazi, ndërsa disa kohë më parë, i është shitur z.Gjok Uldedaj, ish-deputet i Partisë Demokratike. Një punonjës i këtij universiteti thotë se z.Uldedaj është edhe pedagog në këtë universitet si dhe pronar i godinës. Më tej shtoi se aktualisht në këtë universitet ka rreth 200 studentë.

Edmond Terthorja, administrator i UBT-së, thotë se universiteti ka disa vite që funksionon në atë godinë, që i është kthyer pronarit. Ai shton se deri më tani, UBT dhe universiteti privat nuk kanë pasur probleme.

Ndërkohë, nga 10 konvikte, 8 janë zaptuar nga banorë dhe 2 janë vetëm për studentë. Mësohet se janë rreth 35 familje që jetojnë në ambientet e universitetit. “Janë 35 familje, janë pa ujë e drita. Jetojnë në kushte shumë të këqija” thotë Terthorja.

Tenderi 62 mln lekë i paracaktuar?!

Në vitin 2018, Universiteti Bujqësor i Tiranës tenderoi ndërtimin e një muri rrethues për kampusin dhe portën hyrëse. UBT akordoi plot 62 milionë lekë të reja, ku në garë morën pjesë 8 firma. Nga pjesëmarrësit në tender, u skualifikuan 5 firmat e para që kishin ofruar më pak dhe u shpall fituese firma e 6-të. Firma e parë ofroi 42 milionë lekë të reja, ndërkohë fituesi ofroi 52 milionë lekë. Janë rreth 10 milionë lekë që konsiderohen edhe si humbje.

“Firma e parë që ofroi më pak lekë u skualifikua se ishte poshtë mesatares së të gjitha ofertave. Pra, u skualifikua se kërkoi pak lekë për ta bërë!” thotë Tërthorja. I pyetur nëse firma do të kishte ofruar 30 milionë lekë të reja, a do të s’kualifikohej sërish, ai tha po. Pra, fitues në një tender shpallesh kur ke akorduar më shumë lekë!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne