Skandal në Elbasan, 155 punëtore në fasoneri pa siguracione

Fiks Fare denoncoi sot rastin e një fasonerie në qytetin e Elbasanit, e cila që nga koha hapjes së biznesit e deri me sot nuk u ka paguar as edhe një ditë figuracione 155 punëtorëve të saj.

“Muka Industri” ka 5 muaj që ushtron aktivitetin e saj si prodhuese e rrobave të brendshme për tregun e jashtëm. Në këtë kompani punojnë 155 punëtore, njëra prej të cilave u ankua në emisionin investigativ për siguracionet dhe pagën.

Punëtorja nuk pranojë të identifikohet, pasi kishte frikë mos humbte vendin e punës, por bashkëpunoi me Fiks Fare për të kuptuar se çfarë ndodhte në këtë kompani. Në bisedat e zhvilluara mes punëtoreve tregohet qartë se normat e vënë nga kompania janë shumë të larta, gati të paarritshme nga punëtoret dhe kjo jo pa qëllim.

“Është norma shumë e lartë, ne nuk e kapim kurrë atë normë”, shprehet njëra prej tyre. Ato pohojnë se gjatë 8 orarëshit të punës arrijnë të paguhen në ditë 200 apo 300 lekë. “Dje arrita 2000 lekë të vjetra”, thotë e mërzitur njëra nga punëtoret. “Të punojë tërë ditën për të blerë një shishe qumësht”.

Përveç pagesës së ulet punonjëset ankohen edhe për siguracionet të cilat që prej hapjes së kësaj fabrike nuk u janë paguar as edhe një ditë. Ndërkohë që disa prej tyre janë informuar nga përgjegjësja që së shpejti kompania do t’iu paguaj edhe siguracionet. “5 muajt që kanë kaluar, kanë kaluar, ju kanë justifikuar në shtet sikur jeni nxënëse”, u thotë përgjegjësja punëtoreve.

Pas këtyre fakteve, gazetarët e Fiksit iu drejtuan kompanisë “Muka Industri”, ku si fillim takuan një punonjës, i cili pohojë se ishte më i vjetri në atë vend pune. Madje ai jep edhe informacione të tjera ku shpjegon se ambientet e punës janë të mira dhe në këtë kompani punojnë 155 punonjëse. Gazetarët nuk u lejuan të hynin në kompani, por përgjegjësja e kompanisë e cila u prezantua para gazetares me emrin Anisa tha se në këtë kompani nuk ka nisur akoma puna.

“Tani nuk ka punëtore këtu, puna nis pas 1 muaji”, u shpreh punonjësja. Gazetarja këmbëngul të hyjë brenda dhe të verifikojnë nëse vërtetë nuk ka punëtore, por përgjegjësja justifikohet duke thënë se kjo është pronë private dhe nuk mund t’ju lejojë të hyni. “Ejani pas 1 muaji, atëherë nis puna, tani nuk mund të futeni, këtu nuk ka punëtore”, mbyll bisedën përgjegjësja.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne