Skandal në institucionet e BE-së, ngacmime dhe favore seksuale

Uebfaqja “politico.eu”, portal ky që ngriti në rend të ditës pretendimet në fjalë, ka themeluar tashmë edhe një platformë, ku punonjësit e institucioneve të BE-së të mund të tregojnë pa u deshifruar çfarë kanë qenë të detyruar të jetojnë.

Sipas pretendimeve të “politico.eu”, historitë e tyre në këtë platformë i kanë publikuar tashmë 93 persona, 87 gra dhe 6 burra, duke pretenduar se janë bërë pre e ngacmimeve seksuale në institucionet e BE-së.

Personat në fjalë kanë treguar se në institucionet e Bashkimit Evropian u janë imponuar abuzime të llojllojshme, përfshi këtu favoret seksuale në këmbim të një kontrate pune, ndërkohë që viktimat më të mëdha janë gratë e reja.

Ata theksojnë se ngacmimet seksuale janë më të shpeshta veçanërisht në Parlamentin Evropian.

Ndërkaq, PE-ja po i merr me seriozitet maksimal raportet mbi ngacmimet seksuale, të cilat kanë dalë gjatë fundjavës. PE-ja ka tashmë edhe iniciativa për të trajtuar këtë fenomen.

Parlamenti Evropian ka pasur një Komision Këshillimor të deputetëve, që merren me ankesat e ngacmimeve ndërmjet asistentëve dhe anëtarëve që nga fillimi i kësaj legjislature. Ai nuk merret ekskluzivisht me ngacmimin seksual, por me të gjitha format e ngacmimit në vendin e punës. Deri më tani nuk ka marrë asnjë ankesë formale lidhur me ngacmimet seksuale.

Presidenti i PE-së, Antonio Tajani, reagoi fuqishëm të hënën në lidhje me këto pretendime.

“Kam mësuar i tronditur dhe me indinjatë pohimet e fundit për ngacmime seksuale në Parlamentin Evropian. Megjithatë tronditja nuk mund të jetë përgjigje dhe as zgjidhje. Edhe pse tashmë janë ndërmarrë hapa për të rritur ndërgjegjësimin për ekzistencën e komitetit të ankesave për ngacmime, është e nevojshme të rritet më tej ndërgjegjësimi i mjeteve që ekzistojnë”, deklaroi ai.

Në hapje të seancës, Tajani njoftoi gjithashtu se Byroja dhe Presidiumi i Parlamentit Evropian do ta diskutonte çështjen po atë mbrëmje.

Në fund të vitit të kaluar, Komiteti Këshillimor vendosi një fushatë më proaktive dhe parandaluese, e cila është ende në vazhdim. Me këtë, Komiteti Këshillimor po përpiqet për të rritur ndërgjegjësimin për ekzistencën e tij dhe për t’u bërë më i dukshëm për asistentët e deputetëve, si dhe për çështjen e ngacmimeve në mesin e deputetëve.

Fushata përbëhet nga afishe të vendosura rreth ndërtesave të Parlamentit Evropian dhe një fletëpalosje për të informuar deputetët, e cila titullohet: “Si të shmangni sjelljet e pahijshme ndaj stafit tuaj”. Tani është duke u përgatitur edhe një fletëpalosje për asistentët. Ka gjithashtu seanca trajnimi për anëtarët dhe asistentët, ndërkohë që ekziston po ashtu një sistem i hershëm i mbështetjes, i përbërë nga këshilltarë konfidencialë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne