Skandalet e Vangjush Dakos me tendera: Prokuroria hesht, majmet me paratë e sheikut të Durrësit

Skema është e thjeshtë. Drejtuesi i një prej njësive më të mëdha në Shqipëri rregullon letrat duke u dhënë tendera të njëjtit grupi klientësh, ndërsa më pas ndajnë fitimet, sipas rolit në zhvatjen e taksave.

Nëse ‘Lala i Elbasanit’, në mënyrë të trashë i jep tendera pa garë një biznesmeni me kompani të falimentuar, pa pasur frikë se ky marifet e çon në burg, sheiku i Durrësit, Vangjush Dako, ka një tjetër metodë. Për t’u dhënë tenderat atyre që do, Vangjush Dako nxjerr jashtë loje çdo kompani që merr pjesë në tender. Njerëzit e Dakos që ‘rregullojnë letrat’ sajojnë lloj-lloj kriteresh, për të skualifikuar çdo kompani që mund të rrezikojë fituesin e paracaktuar. Kur përjashtimi i të gjitha kompanive është i pamundur, tenderin ja japin sërish kompanisë që duan me ofertën më të lartë. Kështu ka ndodhur me disa tendera në Bashkinë e Durrësit, për të cilat prokuroria ka mbyllur sytë dhe veshët. Gara me një tender, në raste të veçanta, lejohet nga ligjet shqiptare, por kur kjo metodë është bërë praktikë pune në Bashkinë e Durrësit.

Më 26 maj të 2017, Bashkia e Durrësit ka shpallur tenderin për rikonstruksionin e rrugës, lagjja kuksiane në Rashbull, me fond limit 4 166 000 lekë. Në garë kanë marrë pjesë katër kompani, RAJLI NDERTIM SHPK & VARAKU SHPK, SHAMO CONSTRUCTION SHPK, SARK SHPK dhe NIKA SHPK. Më 6 qershor, Bashkia e Durrësit ka shpallur fituesin e tenderit RAJLI NDERTIM SHPK dhe VARAKU SHPK, duke skualifikuar tre kompanitë e tjera. Komisioni i vlerësimit të ofertave i ka skualifikuar kompanitë e tjera në kundërshtim me Ligjin nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar dhe, me VKM-në nr. 1 datë 10.01.2007 “Për rregullat Prokurimit Publik” i ndryshuar. Pronari i Varaku shpk rezulton të jetë Shpëtim Varaku, i cili në të njëjtën formë rezulton se ka fituar edhe tendera të tjerë nga Bashkia e Durrësit, si rikonstruksionin e rrugës Aurora Plazh në Durrës, me fond limit 9 982 000 lekë. Në këtë tender janë nxjerrë jashtë loje kompanitë ALESIO, KOMBEAS, “SHKELQIMI 07” dhe EURONDERTIMI 2000.

Tre vjet më parë, Shpëtim Varaku akuzonte nënkryetarin e Bashkisë së Durrësi,t Zhylien Varfin, si kumbarin e tenderave korruptivë në bashki, duke denoncuar një tender kur dëmi në buxhet ishte 550 milionë lekë vetëm nga eliminimi i kompanive me oferta më të ulëta. Por fijet e interesave kanë ndryshuar.

Kjo kompani, në kohë të ndryshme, ka fituar dhe po fiton shumë tendera të tjerë nga Vangjush Dako, herë duke skualifikuar të gjithë kompanitë e tjera konkurrente dhe herë më metoda të tjera. Varaku ka fituar edhe tenderat për rikonstruksionin e dy rrugëve “Polumbari” dhe

“Durrësi në shekuj”. Tenderat janë zhvilluar në të njëjtën datë. Varaku dhe Çaushi shpk kanë paraqitur të njëjtat makineri për kryerjen e punimeve, në dy objekte të ndryshme, me të

njëjtin afat kohor, grafik punimesh, duke moszbatuar VKM nr. 1, datë 10.01.07, “Për rregullat e

prokurimit publik”, i ndryshuar Kreu V, “Zhvillimi i procedurave”, pika 4, “Hapja dhe vlerësimi i ofertave”, pika “ç”. Shpëtim Varaku ka fituar më të njëjtën praktikë edhe tenderat për asfaltimin e rrugës së Kënetës.

Edhe tenderi për rikonstruksionin e sheshit para Portit të Durrësit me vlerë 124,993,000 lekë është zhvilluar vetëm me një kompani në garë. Tenderin e ka fituar bashkimi i kompanive EVEREST SHPK & G.P.G COMPANY SHPK, ku janë përjashtuar, BE-IS SHPK & CURRI SHPK, ALKO-IMPEX dhe General Construcion.

Tenderi për rikonstruksion e rrugëve Ksanthipi Syko dhe Abdyl Ypi janë zhvilluar vetëm me kompaninë CAUSHI SHPK, ku janë përjashtuar nga gara 2T SHPK, ELIRA SHPK & MURATI SHPK, BOSHNJAKU. B SHPK, LIQENI VII SHPK & KUPA SHPK, SHENDELLI SHPK dhe EURONDERTIM M.K. SHPK.

Tenderat e Bashkisë së Durrësit me fitues të diktuar janë me dhjetëra. Nga verifikimet, rezulton se Bashkia e Durrësit ka skualifikuar në mënyrë të paligjshme të gjitha kompanitë nga tenderi për rikonstruksionin e rrugës Qafebot dhe vazhdimi deri tek rruga “Pavarësia”, me fond limit 31,844,000 lekë. Edhe nga tenderi për rikonstruksionin e rrugëve “Parthineve dhe Shqipeve”, me fond limit 23,092,897 lekë, janë skualifikuar kompani në kundërshtim me ligjin, për t’i dhënë tenderin kompanisë së paracaktuar. Për dy tenderat e fundit ka pasur edhe ankesa nga kompanitë, çka hedh poshtë opsionin e një marrëveshjeje mes kompanive të përfshira në garë.

Për tenderin e shpallur për rikonstruksionin e segmentit “Bulevardi Dyrrah – Sheshi Liria”, me fond limit 56.328.000 lekë, Bashkia Durrës ka pranuar ofertën më të lartë nga kompanitë

“Eurondërtimi 2000”shpk & “Everest”shpk, duke shkaktuar një dëm 14.505.444 lekë.

Vjedhja me anë të tenderave është vetëm një pjesë e mozaikut të korrupsionit në Bashkinë e Durrësit. Lejet e ndërtimit, shpenzimet e ndryshme, dëmet me vendime, koncesionet etj., janë histori më vete aferash./Pamfleti.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne