400 mijë lekë të vjetra nën dorë mjaftojnë që në spitalin francez pranë QSUT-së të hysh në operacion pa radhë e pa asnjë dokument. Që të realizohet kjo duhet përdorur një truk i vogël. Veç parave që duan mjekët dhe infermierët, përfaqësuesit e bluzave të bardha duhet të të klasifikojnë si “rast urgjent”. Një i tillë ishte dhe qytetari që shkoi të hiqte perden e syrit. Emisioni “Stop” publikoi pamjet e fshehta se si ky qytetar me këtë problem në sy bisedoi fillimisht me infermierin Ylli Cora, i cili e informoi atë për pagesën (400 mijë lek), dhe përmes tij qytetari takoi mjeken Eneda Rustemi. Ai ia doli të kryejë ndërhyrjen menjëherë falë pagesës nën dorë.

BISEDA: 

Infermieri– Si je?

Qytetari – Mirë! Si të kam?

Infermieri– Mirë je? Erdhe?

Infermieri–Çfarë do bësh tani?

Qytetari – Me vënë lenten, me heq perden.

Infermieri– Këtë cipën?

Qytetari – Si tjetrin. A e mban mend si bëra tjetrin?

Infermieri– Aaa, është tjetër punë ajo. Flasim ndryshe tani.

Infermieri– Këto i planifikojmë të paktën një javë më përpara. Tani, ne do vemi t’i themi doktoreshës, t’i themi është aty ajo, nesër është e enjte?

Qytetari – Po!

Infermieri– T’i them unë, mbase të bën ndonjë kështu…, urgjencë. Të shtosh ndonjë lek më tepër, pastaj të hapë kartelën, sikur ta bëjmë urgjente, se kështu është më mirë.

Qytetari–Dhe më mirë.

Infermieri– Hajde një herë nesër!

Doktoresha – Të vijë një herë nesër! N.q.s, kemi mundësi të bëjmë nesër, të bëjmë nesër, se ka një rregull të caktuar. Duhet të futesh më përpara në sistem, pastaj.

Doktoresha – Kanë ndryshuar rregullat nga viti tjetër. Cdo ditë bëhen dhe kemi një numër të caktuar në ditë. E para njëherë, duhet të bësh urgjencë nesër. Duhet të jesh te mjeku i urgjencës. E dyta, mund të kalojë numrin e operacioneve dhe unë vetëm nesër, kam shtatë.

Doktoresha – Gjithsesi, ti nesër hajde në 8 gjysëm të mëngjesit njëherë! Po të kemi mundësi, do të fusim. Do të rregullojmë në një…,mënyrë tonën të mundshme.

Infermieri– Ma ler mua, të flas me doktoreshën dhe të shofim, sesi do bëjmë!

Infermieri–Ajo tha: jau ka ndaluar shefi, të bëjnë më shumë se pesë operacione. Ti, përveç që nuk do vish ligjërisht, që duhet të regjistrohesh një javë përpara! Duhet të planifikosh, duhet konfirmimi i shefit, shefi i fut në sistem, e…tyryly tyryly tyryly. Kështu që, ty do të futë direkt në urgjencë pa asnjë dokument fare. Për këtë do ta flasim me doktoreshën.

Qytetari – Duhet të përgatitem?

Infermieri–Këtu treqind mijë bëjmë.

Qytetari – E di!

Infermieri– Dyqind e pesëdhjetë lente. Po ti nuk do marrësh, se do i them kësaj unë, ta merr lenten vetë ajo, të rrish ta blesh farmacive.

Infermieri– Treqind të bëjnë këto një herë, që dhe një kafe kësaj doktoreshës. Për këtë jashtë radhe që po të bën ajo, urgjencë pa dokumente, pa gjë prej gjëje, unë nuk di, ca të them. Po them një katërqind mijë lekëshe, nuk do vish nesër.

Qytetari – Dhe një katërqindëshe plus?

Infermieri– Jo, jo!  Katërqind gjithsej, treqind dhe njëqind për këtë, që do të fusë pa radhë, do t’i thotë shefit, pa sistem, pa letra dhe ta bëjë nesër atje.

Qytetari – Ok!

Qytetari shkon në Spitalin Francez dhe dorëzon paratë.

Takimi II

Qytetari – Si kaluat?

Infermieri– Mirë!

Qytetari – A mundemi, ta bëjmë sot?

Infermieri–Po kështu them unë. Ja, të flasim me atë.

Qytetari – Ta bëjmë dhe pagesën?

Infermieri– Po mirë! Unë fola me xxxx,  i mbyll unë ato.

Infermieri– Mirë atëherë, hajde!

Qytetari – XXXX XXXX

Doktoresha – Sa vjec?

Qytetari – 50!

Doktoresha – Shumë i ri qenke! Pse i ke bërë?

Doktoresha –  Ore, dëgjo doktoreshën! Ke perde, po pse të është vënë? Ke ndonjë sëmundje tjetër?

Qytetari – Nuk shifsha.

Doktoresha – XXXX.. ore, hajde këtu! XXXX qartësohu! Ti ke bërë një perde, nuk është normal për moshën tënde. Shife, sa të moshuar janë këta, që bëjnë perden. Pse e ke bërë?

Ke ndonjë diabet, tension? Ke reumatizëm? Ca ke?

Qytetari – Vetëm m’u errësuan sytë.

Doktoresha – Ok! Shko te mjeku!

Kjo histori do të vazhdojë gjatë…

Tvklan shkruan se lekët vazhdojnë dhe jepen përditë nëpër spitale dhe është një fenomen që rëndon mbi kurrizin e shqiptarëve dhe familjarëve të varfër që nuk kanë mundësi të paguajnë dhe nuk e prekin me dorë.

18