Skandali, LSI bëri fushatë me para të pista, nuk pranoi kontrollin e shpenzimeve marramendëse

Ka disa raportime zyrtare, të cilat konfirmojnë se Lëvizja Socialiste për Integrim, ka pastruar para të pista gjatë fushatës për zgjedhje parlamentare të 25 Qershorit. Krerët e LSI akuzojnë Partinë Socialiste se ka fituar zgjedhjet me paratë e drogës dhe krimit, por provat dhe dokumentet zyrtare të deritanishme implikojnë vetëm LSI dhe përfaqësuesit e saj në përdorimin e parave të korrupsionit për fushatë elektorale. Edhe hapja e 64 kutive të votimit në Tiranë damkosi LSI si partia që kishte vjedhur më shumë vota në kryeqytet, por pasi shqiptarët vendosën që ta largonin nga stani i pushtetit, nisi akuzat ndaj partive të tjera për vjedhje votash. KQZ ka kontraktuar dy ekspertë, Gëzim Jaupajn dhe Anida Nurin, për monitorimin e fushatës së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy ekspertët, në një raport zyrtar, kanë konstatuar se LSI ka ngritur dyfishin e zyrave elektorale në raport me numrin e banorëve, duke shpenzuar dy herë më shumë para për fushatë në krahasim me partitë e tjetra.

“Nga monitorimet vërehet prani e shtuar në qytete me zyra elektorale. Po të kemi parasysh se administrimi i një zyre për një muaj ka shpenzime për paga e honorare, energji elektrike, ujë, qira, materiale propagandistike, tatim mbi qiranë etj., janë shpenzime që zënë peshë të madhe në nivelin e shpenzimeve të fushatës. Vlerësojmë se ka shkelje të nenit 2 Udhëzimi nr. 1 i KQZ “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore” dhe mosrespektim të numrit të zyrave zgjedhore në zbatim të nenit 6 pika 3 e ligjit 139/2015 datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore” ku theksohet se një lagje përfshin territore mbi 20 000 banorë. Ne njësinë administrative nr. 1 në Tiranë, në drejtim të rrugës “Ali Demi” janë 8 zyra elektorale. Në këtë njësi popullsia e regjistruar është 70 000 banorë dhe duhej të kishte me pak se 4 zyra elektorale”, thuhet në raportin për LSI.

Në një raport të mëparshëm, ekspertët kanë raportuar pranë KQZ gjetjet gjatë monitorimit të fushatës së LSI në Durrës. Ekspertët raportojnë se njerëzit e LSI nuk i kanë lejuar për të kontrolluar dhe matur zyrat, për të bërë një bilanc për shpenzimet. Bllokomi është bërë qëllimisht për të fshehur shpenzimet e tepruara elektorale me para të pajustifikuara.

“Ne ekspertët financiarë Gëzim Jaupaj dhe Anida Nuri, me vendim nr. 370 datë 09.06.2017, jemi emëruar nga KQZ për të kryer monitorimin e subjektit politik të LSI. Ne kemi kryer monitorim në terren, në qytete dhe rrugë nacionale, në zyrat elektorale dhe në ambientet ku partia ka zhvilluar aktivitete elektorale. Është e vështirë të takosh ndonjë përfaqësues të partisë politike për të marrë informacion dhe dokumentacionin për kryerjen e detyrës. Subjekti zgjedhor nuk na dorëzoi listën e aktiviteteve të planifikuara për t’u zhvilluar. Në shumë raste, në zyrat elektorale të monitoruara, militantët e LSI nuk na lejuan që të hynim, të bënim matje, të bënim foto apo të merrnin informacion. Nga monitorimi në terren i zyrave elektorale të subjektit politik, në disa raste janë konstatuar shkelje të ligjit nr. 8580, datë 17.12.2000, për partitë politike si dhe të udhëzimit të KQZ nr. 1. datë 31.05.2017, për përdorimin e materialeve propagandistike dhe për vendimin e afishimit të tyre gjatë fushatës zgjedhore”, thuhet në dokument.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me para të pista, për të siguruar ndonjë takim të Ilir Metës me senatorë dhe për të përmirësuar imazhin si parti që vjedh paratë e shtetasve të saj. Disa muaj më parë BIRN zbuloi se LSI pagoi mbi 300 mijë USD për lobim në SHBA, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deklaroi vetëm 1/3 e shumës në fjalë. Pagesat përfshijnë tarifën mujore fikse prej 30,000 USD për kompaninë amerikane GSIS si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane. Shumat e paguara për GSIS-së i kanë siguruar liderëve të LSI-së takime të nivelit të lartë në Uashington. Por, kjo parti nuk ka deklaruar shumicën e shpenzimeve për lobim, duke hedhur hije dyshime për burimin e parave, që me shumë gjasë janë para korrupsioni, të fituara me anë të tenderave, shitjes së vendeve të punës dhe dallavereve të tjera, nga njerëzit e kësaj partie në zyrat e shtetit shqiptar.

Gjatë tetë viteve në pushtet, katër vite me Partinë Demokratike dhe katër vite me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka përdorur maksimalisht votat e saj për t’u vënë gjoba PD dhe PS, nën kërcënimin e bllokimit në Parlament. Deputetë të Partisë Socialiste kanë deklaruar se LSI ka bllokuar me dhjetëra nisma të qeverisë gjatë katër viteve, jo për parime dhe interesin qytetar, por si formë shantazhi për tendera, koncesione dhe zgjerimin e hartës së emërimeve në administratën shtetërore

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne