Skandali në burgje/ Tenderi një milionë euro për uniformat, vetëm një firmë bëri ofertë

Institucioni i cili duhet të riedukojë mbi 5000 shqiptarë, të arrestuar dhe dënuar, është përfshirë sërish në një skandal financiar. Dy ish drejtorët e fundit janë vënë nën akuzë për abuzime me detyrën, ndërsa sërish ky institucion ka bërë një tender që dyshohet të jetë i paracaktuar, me vlerë mbi një milionë euro.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e tenderit për blerjen e uniformave dhe elementëve përbërës të tyre. Sipas tyre, fitues ka dalë bashkimi i operatorëve “Gjergjefi”, “Toni Oil” dhe “Koan”. Në tender thuhet se përzgjedhja e fituesit është bërë nga çmimi më i ulët i ofruar dhe rezulton se kanë qenë pjesëmarrës në këtë procedurë katër firma.
Por, këtu qëndron edhe hija e dyshimit për këtë tender. Në dokumente rezulton se vetëm firmat fituese, pra “Gjergjefi” ka dhënë ofertë ekonomike, rreth 98 % të vlerës së akorduar. Kompanitë e tjera që kanë dorëzuar vetëm dokumentet në Drejtorinë e Burgjeve, janë tërhequr.

Kompania e dytë, “Muça” ka bërë një ofertë prej 0 lekësh, ashtu si edhe “Adem Pojani Pf” dhe “Ekspo Sistem”, pra 0 (ZERO) lekë pa TVSH! Të paktën, kështu shkruhet në dokumentet e tenderit.

Për rrjedhojë, të gjitha firmat që nuk kanë bërë ofertë, janë skualifikuar, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se e gjithë procedura ka qenë e paravendosur, ose tenderi është bërë fiktivisht. Tpz.al synon që të zbardhë dokumentet dhe procedurën  e këtij tenderi  për publikun dhe  institucionet shtetërore, prokuroria apo Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të bëjnë verifikimet e nevojshme.

Siç e thamë edhe më lart, një nga kompanitë që fitoi këtë tender është edhe “Gjergjefi”. Pak kohë më parë, kjo kompani fitoi një tjetër tender prej 1.5 milionë euro të bërë nga ministria e Brendshme. Në atë kohë, ne publikuam se, referuar burimeve zyrtare nga policia dhe prokuroria, kompania “Gjergjefi Sh.p.k” është hetuar disa herë për korrupsion për tenderët e uniformave të policisë. Hetimet nisën në vitin 2011 dhe u iniciuan pas denoncimit të deputetëve të PS-së, të cilët mbi bazën e denoncimeve publike gjetën një dëm ekonomik 1.5 miliardë lekë të reja. Por, këto denoncime, hetimet, apo vendime janë hedhur në “kosh” dhe aktualisht kjo firmë, e atakuar në atë kohë, po fiton sërish tenderët e majmë nga qeveria aktuale.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne