Shkolla 9-vjeçare e Bastar-Murrizë është vetëm 19 km nga Tirana, por grupit të xhirimit të “Stop” iu desh më shumë se dy orë për të mbërritur atje. Por veç rrugës, një tjetër arsye na ka sjellë këtu.

Që nga viti 2010 e deri tani, mësues e nxënës e zhvillojnë procesin mësimor në një magazinë mallrash, që çfarë bie jashtë, e fut brenda. Në magazinën e improvizuar si shkollë, ka 4 klasa e 40 nxënës. Klasat janë në gjendje të mjerueshme, ndërsa për tualetet kanë ndarë zonat me konsensus. Si për ironi, shkolla e re ka 7 vjet që është ndërtuar dhe duket se është e pajisur me çdo gjë.

Por ende askush nuk ka hyrë në të. Drejtoresha e shkollës Sadete Duka thotë se vonesa në përdorimin e shkollës së re ka ardhur pasi nuk është vënë sistemi hidraulik, elektrik dhe kanalizimet e ujërave të zeza.

Eglantina Metani, drejtoreshë e DAR Tiranë, thotë se shqetësimi i ka kaluar për zgjidhje bashkisë së Tiranës. Ndërsa Liman Këta, përgjegjës i shërbimeve në njësinë administrative thotë se brenda dy javësh do të zgjidhet gjithçka. Por ka kaluar një muaj dhe situata është e njejtë?!

Gazetarja e Emisonit “Stop” ka udhëtuar për dy orë për të shkuar tek shkolla dhe shikon nga afër gjendjen e mjerueshme ku zhvillojnë mësim 40 nxënës.

10