Sipas nje sondazhi te fundit te Institutit te Medias nje e treta e gazetareve dhe punonjesve te medias aktualisht nuk kanë nje kontratë pune, ndërkohë që vetëm 24% e të anketuarve thanë se kishin pasur kontratë gjatë gjithë karrierës së tyre në media. Të pyetur për rastet e largimeve nga puna, 32% e të anketuarve thanë se kishte ndodhur që t’i largonin nga puna, kryesisht pasi media ishte mbyllur apo ishte ristrukturuar redaksia, por në shumë raste edhe pa asnjë lloj motivimi.

Sondazhi i realizuar identifikoi edhe njëherë problemet e konfirmuara prej vitesh në diskutimet për gjendjen e medias në Shqipëri, si problemet me kontratat, me fiktivitetin e tyre, shkeljen e të drejtave të punës, problemet me pagat, etj.

Niveli i pagesës dhe rregullsia e saj ishte një tjetër problem për gazetarët. 55% e të anketuarve thanë se paga që merrnin ishte më e ulët sesa paga mesatare e sektorit publik dhe 59% thanë se ka vonesa në marrjen e pagës rregullisht ose me raste, ndonjëherë edhe për disa muaj rresht. 45% e të anketuarve deklaruan se në mediat e tyre aplikoheshin gjoba brenda redaksisë, për arsye profesionale dhe disipline, duke ulur më shumë shpërblimet financiare të gazetarëve. Po kështu, 67% e të anketuarve thanë se nuk është praktikë që në mediat e tyre të jepen shpërblime apo të paguhet puna jashtë orarit.

Respektimi i kushteve të punës ishte gjithashtu problematik, pasi 54% e të anketuarve thanë se kushtet e punës shkelen rregullisht apo me raste nga punëdhënësi. Sipas anketës rezulton se orari ditor i punës shkelet për 68% të grupit të anketuar, ndërkohë që shkelje ka dhe për pushimin javor dhe vjetor.

58% e pjesëmarrësve në anketë thanë se ngarkesa e punës është rritur në krahasim me dy vite më parë. Në përgjithësi 42% e të anketuarve thanë se mendonin që gjendja e punësimit të gazetarëve nuk kishte asnjë ndryshim krahasuar me dy vite më parë, ndërsa për 32% të tyre gjendja është përkeqësuar më tej.

Anketa është pjesë e një projekti që Instituti Shqiptar i Medias po zbaton së bashku me Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve, me mbështetjen e Bashkimit Europian.

7