S&P, vlerësim B+ për borxhin publik të Shqipërisë

Gjigandi ndërkombëtar i financave, Standard and Poor’s konfirmoi vlerësimin B+ për borxhin publik të Shqipërisë duke e cilësuar financat e vendit me perspektivë të qëndrueshme. Agjencia prestigjoze e ratingut vlerëson se borxhi public i Shqipërisë është ulur me 5 pikë përqindje në tre vitet e fundit duke zbritur në nivelin 67.9 për qind e prodhimit kombëtar i mbështetur nga rritja ekonomike dhe ulja e huamarrjes nga qeveria. Sipas Standard and Poor’s nëse kjo tendencë do të vazhdojë, vlerësimi për borxhin public të Shqipërisë mund të rritet në një notë më të lartë.

“Një periudhë me rritje të qëndrueshme ekonomike e shoqëruar nga përmirësimi I klimës së biznesit dhe reduktimi I informalitetit mund të çojë në rritjen e vlerësimit për Shqipërinë”, thuhet në raport.

Standard and Poor’s parashikon se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet me rreth 4 për qind edhe gjatë tre viteve të ardhshme duke ndihmuar në rënien e mëtejshme të borxhit public. Por gjigandi ndërkombëtar paralajmëron se këto pritshmëri pozitive mund të përmbysen nga dy rreziqe, devijimi I qeverisë nga politika e konsolidimit fiskal dhe koncesionet.

“Ne mund të ulim notën për borxhin e Shqipërisë nëse qeveria rrit huamarrjen ose nëse kontratat koncesionare krijojnë detyrime të mëdha për buxhetin.

Sipas Standard and Poor’s koncesionet përbëjnë një risk domethënës për financat e shtetit dhe detyrimet që ato mund të krijojnë për buxhetin është e pamundur të vlerësohen saktësisht.

Ndërsa në lidhje me zhvillimet politike, gjigandi ndërkombëtar i financave paralajmëron se zëvendësimi i gjysmës së ministrave në kabinetin qeveritar mund të çojë përkohësisht në ngadalësimin e reformave, por ka pak gjasa që të ndryshojë angazhimin e qeverisë për të vazhduar me uljen e borxhit publik.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne