Spanjë – Madridi kërkon sqarime nga Barcelona: U shpall pavarësia apo jo?

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, kërkoi të mërkurën që të sqarohet situata e Katalonjës dhe që Presidenti i saj, Carles Puigdemont, të konfirmojë nëse e ka shpallur apo jo pavarësinë.

Sipas kreut të Madridit zyrtar, një hap i tillë është i nevojshëm përpara se qeveria qendrore të marrë masa të mëtejshme.

“Puigdemont po krijon qëllimisht pështjellim, por unë dua që mbi këtë çështje të ketë qartësi”, tha Rahoy.

“Si pasojë e konfuzionit të krijuar, Këshilli i Ministrave ra dakord t’i kërkojë zyrtarisht qeverisë katalonase që të konfirmojë shpalljen ose jo të pavarësisë. Kjo kërkesë vjen përpara se qeveria të marrë masa sipas nenit 155. të Kushtetutës, ndërsa përpiqet t’u ofrojë qytetarëve sigurinë dhe qartësinë, e cila nevojitet për trajtimin e një çështjeje të tillë kaq të rëndësishme”, theksoi kryeministri spanjoll.

Neni 155. i Kushtetutës së Spanjës e autorizon Kryeministrin Rajoy të pezullojë autonominë e Katalonjës dhe t’i diktojë asaj administrimin e drejtpërdrejtë nga Madridi.

Madridi zyrtar e refuzoi më herët deklaratën e pavarësisë së firmosur nga Puigdemont, si dhe hodhi poshtë gjithashtu thirrjet e tij për ndërmjetësim.

Zëvendëskryeministri spanjoll e përshkroi liderin katalonas si një person “pa busull”, që nuk di se ku është dhe ku po shkon.

Partitë opozitare kataonase morën shkas nga lëvizja e Presidentit Puigdemont të martën duke i kujtuar atij se e kishte gabim që në fillim.

“Askush në Evropë nuk e mbështet atë që bëre ti”, tha kryetarja e partisë “Ciudadanos”, Ines Arrimadas.

Përçarje pati edhe te partitë pro pavarësisë, disa prej të cilave kërkojnë veprime radikale, ndërsa të tjerat luhaten me tone më pajtuese.

“Nga ky pozicion është krijuar paqartësi dhe këtë nuk ia lejojmë dot vetes. Shtyrja e diçkaje, që nuk po arrijmë ta mësojmë se çfarë është, vetëm sa e shton pasigurinë, Kjo është një pasiguri që prek jo vetëm kompanitë, por edhe familjet tona”, tha kreu i partisë socialiste (PSOE), Miquel Iceta.

Gjatë seancës së të martës në Parlamentin rajonal të Katalonjës, Carles Puigdemont bëri “shpalljen e një pavarësie të pezulluar” dhe më pas 72 deputetë separatistë firmosën këtë deklaratë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne