Spastrimet pas grushtit të shtetit në Turqi dhe ushtria personale e Erdoganit

Nga LLeela Jacinto*

13 korrik 2017 – Një vit pas tentativës së dështuar grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, ushtria turke – dikur një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit laik me shumicë muslimane, forca e dytë më e rëndësishme e NATO-s – tashmë e ka humbur shkëlqimin e saj Kemalist.

Gjeneralët që i mbijetuan spastrimeve masive që pasuan natën fatale të tentativës së grushtit të shtetit të vitit të kaluar, tashmë janë të tmerruar nga zemërimi hakmarrës i presidentit, Rexhep Tajjip Erdogan për operacionet e ushtrisë turke në territorin e Sirisë – një prespektivë që ata i rezistuan një herë – pa shumë zhurmë. Spastrimet masive që filluan menjëherë pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit, çuan në largimin e mijëra nëpunësve civilë, gjyqtarëve, zyrtarëve të sigurisë dhe punonjësve nga rradhët e administratës shtetërore.

Vendet vakante po mbushen me shpejtësi, shpesh duke u zëvendësuar me persona të pakualifikuar, përmes një sistemi kryekëput klientelist të quajtur “kadrolasma”– fjalëpër fjalë, ndërtimi i një sistemi me kuadro besnikë. Ushtria nuk bën përjashtim nga ky projekt. Komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Curtis Scaparrotti, në dhjetor të vitit të kaluar ngriti alarmin, kur paralajmëroi për një “degradim” të operacioneve të komandës së aleancës, pas shkarkimit të zyrtarëve të lartë ushtarakë turq “të talentuar dhe të aftë”.

Mëngjesin pas tentativës së grushtit të shtetit, ku humbën jetën mbi 200 persona, ndërsa turqit analizonin atë çfarë kishte ndodhur gjatë asaj nate të gjatë dhe tronditëse, Erdogani e dinte saktësisht se kush ishin përgjegjësit për atë që ai e quajti “dhuratë nga Zoti”. Fajtorët, të cilët ai i bëri përgjegjës madje pa filluar ende hetimet, ishin gylenistët, ndjekësit e Fethullah Gylenit, klerikut që jeton në mërgim në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili dikur ishte një nga përkrahësit e Erdoganit, por që marrëdhëniet e tyre u përkeqësuan menjëherë pas publikimit të akuzave të korrupsionit në rradhët e bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit turk.

Por, një vit pas ngjarjeve të 15 korrikut, zyrtarët e inteligjencës perëndimore dhe analistët më në zë në Turqi, nuk janë aspak të bindur për përfshirjen e Gylenit në tentativën e grushtit të shtetit. Më herët, në fillim të këtij viti, kreu i

intelegjencës gjermane, Bruno Kahl deklaroi se Ankaraja nuk ka paraqitur asnjë provë bindëse dhe se nuk ka arritur të bindë inteligjencën gjermane të zbulimit, BND-në, se Gylen qëndronte pas komplotit të tentativës së dështuar të grushtit të shtetit.

“Turqia është përpjekur të na bindë për këtë në çdo nivel, duke tentuar mënyra të ndryshme, por deri më tani nuk kanë paraqitur asnjë provë konkrete për këtë”, tha Kahl për të përjavshmen gjermane “Der Spiegel” në mars. I pyetur nëse Lëvizja – emri zyrtar i të cilës është Hizmet, ose “shërbim” – ishte një lëvizje islamike ekstremiste ose lëvizje terroriste, Kahl tha se: “Lëvizja Gylen është një lëvizje e shoqërisë civile, e cila ka fokus të punës së saj edukimin fetar dhe laik”. Një raport i publikuar nga “Intcen”, Shërbimi i përbashkët i inteligjencës së BE-së, arriti në konkuzionin se Erdogani kishte planifikuar një pastrim masiv para ngjarjeve të 15 korrikut 2016, dhe një grup ushtarakësh, të frikësuar nga shkarkimet në masë të planifikuara më herët, nisën me nxitim një grusht shteti.

Një projekt-raport prej 630 faqesh i komisionit hetimor parlamentar të Turqisë, i publikuar në muajin maj, ripërsëriste qëndrimin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] në pushtet, por nuk arriti të sigurojë prova bindëse. Ndërkohë, në seancat gyqësore ndaj të akuzuarve për organizimin e grushtit të shtetit, e cila mori vemëndjen kryesore të mediave në fillim të këtij viti, mbizotëronin dëshmitë alogjike, derisa u shty më në fund më 30 tetor.

Transkriptet e mesazheve të WhatsApp, ndërmjet komplotistëve të grushtit të shtetit në natën famëkeqe, tregojnë se grupi i puçistëve në Stamboll e quante veten “Yurtta Sulh”, një term që i referohej një maksime shumë të njohur, të përdorur nga themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturku, që ishte, “Yurtta sulh, cihanda Sulh” (“Paqe brenda nesh, paqe në botë”. Pikërisht zgjedhja e kësaj motoje sugjeron se grupi i komplotistëve mund të ketë qenë një përzierje e gylenistëve të pakënaqur, kemalistëve dhe ushtarakëve ultranacionalistë. Ndërsa, për sa i përket provave inkriminuese – një urdhëri të dalë nga vendbanimi i Gylenit në Pokonos – ende nuk kemi parë asnjë provë bindëse që e implikon atë në tentativën e grushtit të shtetit.

Ajo që dimë me siguri, është fakti se sot ushtria turke nuk është ajo që ishte dikur. Turqia ka humbur disa prej gjeneralëve të saj më të mirë dhe më të përgatitur. Rreth 400 ushtarakë, që kanë përfaqësuar Turqinë në NATO, u shkarkuan në muajt pasardhës pas tentativës së grushtit të shtetit, sipas një raporti të Reuters të publikuar në tetor të vitit 2016. Ndërsa brenda rradhëve të ushtrisë turke, spastrimet e ushtarakëve janë shumë herë më të mëdha. Analisti turk i çështjeve ushtarake, Metin Gurxhan vlerëson se nga muaji mars deri në shtatori 2016, ka pasur një tkurrje me 38 për qind të numrit të gjeneralëve dhe një tkurrje prej 8 për qind të kuadrove të oficerëve të rreth 350 mijë forcave të armatosura turke.

Qindra zyrtarë të lartë dhe ushtarakë, në qendrat e NATO-s anembanë Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përpara tentativës së grushtit të shtetit, po shesin makinat dhe bizhuteritë e familjeve të tyre, ndërsa përpiqen të rindërtojnë një jetë të pasigurtë, pasi refuzojnë urdhrat e komandës ushtarake për t’u kthyer në vendin e tyre – dhe të zhduken në burgjet turke.

Një intervistë me një oficer të pa identifikuar turk në revistën “Vocal Europe” me qendër në Bruksel, portretizon profilin e një ushtaraku që vendi ka humbur. “Kam marrë pjesë në shumë trajnime ushtarake në Turqi dhe jashtë vendit … Jam diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ashtu sikundër shumë oficerë të tjerë të përjashtuar nga rradhët e ushtrisë, jam një oficer karriere që kam përfaqësuar vendin tim, dhe jam diplomuar në Kolegjin e Luftës”, thekson zyrtari ushtarak, i cili aktualisht posedon një llogarinë @PurgedNATO në Twitter. “Personalisht, ende nuk e di pse jam shkarkuar nga detyra… Jam shkolluar dhe trajnuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe mbase nuk jam i përshtatshëm për klikën e re euroazianiste që dominojnë forcat e armatosura turke”.

“Klika euroazianiste” është një term jo i njohur jashtë qarqeve të ushtrisë turke, por gjithsesi nuk është një term i ri. Një kabllogram i prillit të vitit 2003 të Ambasadës së SHBA-ve në Ankara, i publikuar nga WikiLeaks, i përshkruan euroazianistët si një grup oficerësh brenda ushtrisë turke “të cilët, pa e kuptuar natyrën dominuese nga Rusia të konceptit “Eurasia”, prej kohësh janë në kërkim të një alternative për zëvëndësimin e marrëdhënieve të ngushta me SHBA-të dhe po konsiderojnë seriozisht intesifikimin e marrëdhënieve më të ngushta me Rusinë”. Kabllogrami jep detaje të hollësishme se si një grup rival, i quajtur “Atlantistët”, që besojnë se interesat strategjike të Turqisë janë të lidhura ngusht me marrëdhëniet e ngushta me SHBA-të dhe NATO-n, po humbisnin ndikimin e tyre brenda Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë.

Dashuria e madhe për Rusinë

Pas pak më shumë se një dekade pas dërgimit të kabllogramit, euroasianistët në rradhët elitave civilo-ushtarake të Turqisë po fitojnë terren dhe implikimet e politikës së jashtme po shtrihen nga Siria, në BE dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe natyrisht dhe në Rusi. Me spastrimin e kundërshtarëve të Erdoganit pas tentativës së grushtit të shtetit të korrikut 2016, përfshirë gylenistët dhe atlanticistët e rinj nga radhët e ushtrisë turke, Ankaraja dhe Moska kanë përmirësuar ndjeshëm dhe në mënyrë befasuese marrëdhëniet e tyre diplomatike. Gjatë dimrit 2015-2016, marrëdhëniet Rusi-Turqi u përkeqësuan ndjeshëm dhe ishin pothuajse inekzistente, pas rrëzimit avionit rus Su-24 nga një F-16 i forcave ajrore turke në afërsi të kufirit Turqi-Siri.

Pastaj tentativa e dështuar e grushtit të shtetit ringjalli papritur një pranverë dashurie Ankara-Moskë. Katër ditë pas tentativës së grushtit të shtetit, dy pilotët e forcave ajrore turke që rrëzuan avionin Su-24 rus, u arrestuan për këtë çështje dhe u akuzuan për lidhje me gylenistët. Kryebashkiaku i Ankarasë, Melih Gëkçek – një lloj Donald Trumpi turk, i cili në mënyrë të pavullnetshme mund të jetë qesharak, nëse jo djallëzor– fajësoi dy pilotët fatkeqë për prishjen e marrëdhënieve dypalëshe Turqi-Rusi. “E them këtë, si

Melih Gëkçek, këto kryengritës shkaktuan përçarje mes nesh dhe Rusisë”, tha kryebashkiaku i Ankarasë për CNN Turk. “Pse? Sepse donin të na izolonin në politikën botërore. Dje, kam pasur një mysafir nga Rusia, një këshilltar të Putinit. Dhe ai ndan të njëjtin mendim me mua”.

Turqia dhe Rusia kanë rënë dakord për një sërë çështjesh, kryesisht për një strategji të përbashkët ushtarake në Siri, e cila është një arritje e madhe, pasi dy palët ishin anëtarët më të vështirë të kampeve të tyre përkatëse që kundërshtonin njëra-tjetrën në fushë betejen siriane. Një muaj pas tentativës së grushtit të shtetit, Turqia nisi operacionin e saj të parë ushtarak ndërkufitar në Siri. Kreu i Forcave të Armatosura Turke, gjenerali Hulusi Akar – i konsideruar si një besnik i Erdoganit – i mbijetoi spastrimeve pas grushtit të shtetit; duke mbajtur postin e tij, ai e kishte të pamundur që t’i rezistonte planit ushtarak të presidentit turk në Siri.

Operacioni i ushtarak i Turqisë “Mburoja e Eufratit” në Siri, nisi si një përpjekje për të bllokuar avancimin e kurdëve në territorin sirian. Ankaraja është kryesisht e fokusuar tek veprimtaria e Njësive të Mbrojtjes së Popullit (YPG), fraksioni sirian i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), me të cilët ajo prej dekadash ështënë luftë. Rusia, me syrin e saj në pjatën e madhe gjeostrategjike – domethënë një vend në anën juglindore të NATO-s, po përpiqej ta përdorte këtë fakt si avantazh të saj, duke vendosur që, si gjithmonë, të flijonte kurdët. Operacionet e Turqisë në Siri u suportuan dhe nga një shkëmbim informacioni me inteligjincën ruse, sipas një informacioni të postuar në blogun “Purged NATO Officer”, një faqe interneti që menaxhohej nga @PurgedNATO. Ky koordinim, i ndihmuar nga euroazianistët, rezultoi kritik në rënien e Alepos. Në shtypin turk, për shembull, heroi i operacionit “Mburoja e Eufratit”, është komandanti i Forcave Speciale turke, Zekai Aksakalli, një euroazianist, i cili u promovua në rangun e Gjeneral Leitnantit më 28 korrik 2016, pasi luajti një rol të rëndësishëm në parandalimin e tentativës së grushtit të shtetit.

Kjo dashuri e re mes Turqisë dhe Rusisë gjithashtu po përkthehet në marrëveshje qindra milionë dollarëshe për blerjen e armatimeve. Gjatë këtij viti, Ministri turk i Mbrojtjes, Fikri Ishik (Fikri Ëshëk) deklaroi se Ankaraja ishte në “fazën e finalizimit” të marrëveshjes për blerjen e sistemit antiraketor S-400 nga Rusia. Para tentativës së grushtit të shtetit, Moska nuk ishte në listën e ofertuesve, listë e cila përfshinte sistemin antiraketor “Patriot” të SHBA-ve, një ofertë të një konsorciumi franko-italian dhe një marrëveshje kineze për HQ-9. Pekini arriti një marrëveshje të përkohshme, e cila më pas u braktis në favor të sistemit antiraketor rus.

Dhe, ndërsa Trump po ishte i dehur nga buja që bëri deklarata e tij në mediat ndërkombëtare se NATO është “e vjetëruar”, Turqia në heshtje po arrinte një marrëveshje për një sistem antiraketor që nuk mund të integrohet me strukturën e mbrojtjes raketore të NATO-s. Rusia së shpejti do të ketë qasje në informacione shumë të rëndësishme për aftësitë kritike të NATO-s – pa përmendur arritjen e Rusisë në një vend që prek Evropën dhe Azinë, me qasje në Kaukaz, Detit të Zi dhe Mesdhe dhe një portë e rëndësishme për Lindjen e Mesme.

“Shteti i thellë”

Dhe kur flasim për fuqizimin e euroazianistëve dhe natyrën makiaveliste të riorganizimit të fuqisë turke, figura e Dogu Perinçek, kreut të Partisë Patriotike të ekstremit të majtë, një parti e vogël ultranacionaliste, ku forca e saj bazohet në shërbimet e inteligjencës turke, është e pakrahasushme. Termi “grupi i Perinçekut” shfaqet shpesh në qarqet e zhurmshme të politikës turke, shoqëruar me doza të rënda të intrigave politike, çka e bën tejet të vështirë të veçosh mitin nga individi. Për fillestarët, po rendisim disa fakte: Perinçek është një avokat 75-vjeçar më shumë eksperiencë, i cili ndoshta është më i njohur jashtë Turqisë për mohimin e genocidit ndaj armenëve, i cili fitoi një apel të fjalës së lirë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një nga avokatët që mbronte çështjen armene ishte Amal Clooney, e cila ndihmoi që të fitohej kjo çështje në 15 sekondat e saj të famshme në mediat ndërkombëtare.

Në Turqi, Perinçek është një figurë e njohur që i urren kurdët dhe gylenistët në të njëjtën masë; Ndjenja është reciproke. Një komunist i thekur që i referohet kohortëve të tij të ekstremit të majtë si “”socialistë shkencorë” dhe islamistëve si “reaksionarë”, Perinçek i sheh armiqtë e tij si “kukulla të Kryqëzatave të Perëndimit ” – një temë që ai e shtjellon në librin e tij “Hacli Irtica”, ose “Reaksionizmi i Kryqëzatave”. Ndjekësit e tij ultranacionalistë, laikë dhe ata të vijës së ashpër, janë të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale në shërbimet e sigurisë, e cila ishte dhe vazhdon të jetë një aset i rëndësishëm gjatë sulmeve periodike të Turqisë ndaj kurdëve.

Gjatë viteve të hershme të Erdoganit, kur kukullat reaksionare të Kryqëzatave të Perëndimit ishin më bashkëpunuese me kurdët, duke i hapur rrugën fillimit të një procesi paqeje me PKK-në, grupi i Perinçekut shiheshin si një forcë pa asnjë fuqi apo ndikim, një mbetje e së kaluarës laike të vijës së ashpër të Turqisë. Por, pjata e Perinçekut ishte gatuar gjatë procesit të Ergenekon, kur Erdogan bëri aleancë me gylenistët për të spastruar ushtrinë nga sekularistët e vjetër që pretendohej se po përgatisnin një grusht shteti kundër qeverisë së AKP-së. Por, pastaj, gylenistët bënë gabimin fatal, duke publikuar akuzat për korrupsion të rrethit të ngushtë të Erdoganit, përfshirë dhe familjen e presidentit. Me nisjen e një lufte intra-islamiste mes AKP-së dhe gylenistëve, Perinçek u lirua papritmas nga burgu – ku ai ishte duke vuajtur një dënim të përjetshëm për një komplot të një grusht shteti kundër qeverisë islamike të AKP-së – dhe hyri sërish në skenë.

Pas tentativës së grushtit të shtetit të korrikut 2016, me ushtrinë turke të spastruar nga gylenistët e kualifikuar dhe Atlanticistët pro-perëndimorë, Erdogani, pragmatisti i fundit, mbështeti Perinçekun me një përqafim vëllazëror. “Me konservatorët fetarë, kemi formuar një front të përbashkët patriotik”, tha Perinçek për median turke këtë vit.

Për momentin, mes “shkencëtarëve socialë” dhe “reaksionarëve” lindi një dashuri e re, por është një martesë në ferr dhe Erdogani e di shumë mirë këtë fakt.

Ushtria personale e Erdoganit

Le të analizojmë gardës private pretoriane të Erdoganit. Një nga raportet e shumta të asaj që ka ndodhur në natën e tentativës së grushtit të shtetit, vinte theksin në faktin që anëtarët e një grupi privat të sigurisë kishin zbritur në rrugët e Stambollit duke luftuar puçistët në Urën e Bosforit. Në videot e skenave të ngjarjevetë tentativës së grushtit të shtetit në agim, tregonin burra trupmëdhenj të veshur me bluza dhe xhaketa antiplumb, me armë gjysmë automatike, që qëllonin në ajër dhe që nxisnin përkrahësit e Erdogan, shumë prej të cilëve u përpoqën të godisnin puçistët e shtrirë në tokë.

Në mediat sociale turke u tha se ata ishin anëtarë të SADAT-it, e cila e quan veten “kompania e parë dhe e vetme në Turqi, e cila ofron shërbime konsulence dhe ushtarake ndërkombëtare”. E themeluar në shkurt të vitit 2012 nga Adnan Tanrëverdi, një ish-gjeneral i larguar nga rradhët e ushtrisë për prirje islamike, misioni i SADAT-it, e përshkruar me gabime gramatikore në faqen e saj në gjuhën angleze, është krijimi i një “Bashkëpunimi për Mbrorjtjen dhe Bashkëpunimi Industrial Mbrojtës ndërmjet Vendeve Islame për të ndihmuar Botën Islame”.

Përpjekja për të ndihmuar vendet islame që të ndërtonin një botë islame, ishte një biznes i mirë gjatë pranverës arabe dhe operacionet e SADAT-it brenda Sirisë menjëherë tërhoqën vëmendjen e deputetëve të opozitës turke. Në shtator të vitit 2012, një deputet i opozitës laike paraqiti një listë me pyetje në parlament në lidhje trajnimet e pretenduara të SADAT-it dhe pajisjen e luftëtarëve rebelë brenda Sirisë dhe Turqisë me armatime.

Qeveria u përgjigj menjëherë duke mohuar kategorikisht një gjë të tillë, dhe pyetjet u hoqën më pas nga procesverbali, sipas Michael Rubin të Institutit të Inciativës Amerikane. Pak pas tentativës së grushtit të shtetit, Tanrëverdi u caktua si këshilltar i lartë i Erdoganit, dhe analistët opozitarë shtruan pyetjen nëse Erdogan po përpiqet të mobilizojë një ushtri paraushtarake.

Nëse kjo është e vërtetë, njësitë e luftëtarëve islamikë të SADAT-it mund të përplasen me luftëtarët socialistëve shkencorë të Perinçekut, pasi të humbasin durimin me reaksionarët në mesin e tyre.

E vetmja gjë që i bashkon këto dy grupe të ndryshme që të fuqizohen në ushtrinë turke, është një platformë e zakonshme antiamerikane. Euroazianistët dhe grupi pro-rus i Perinçekut prej kohësh e shohin Perëndimin kapitalist si armikun e tyre. Turma e SADAT-it dhe përfituesit pro-AKP të “kadrolasma” (kuadrove besnikë) janë tifozë e etur të retorikës anti-perëndimore të Erdoganit në vizionin e tyre për të ndihmuar botën

islame. Por, mund të ketë dhe një përplasje mes dy kampeve brenda ushtrisë turke, e cila do të jetë shumë e vështirë për t’u menaxhuar nga mendjemprehtësia politike e Erdoganit. Ndërkohë, anëtari i vetëm me shumicë myslimane i NATO-s, po i shmanget perëndimit, për të zgjeruar ndikimin e saj në Lindje. Një vit pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit që ndryshoi historinë moderne të Turqisë, rendi i vjetër i pasluftës është në rrezik.

*Leela Jacinto është reportere e çështjeve ndërkombëtare për France 24, e specializuar për çështjet e Lindjes së Mesme dhe Azinë Jugore, fituese e disa çmimeve.

Foreign Policy/ tema

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne