Stina e verës, 920 zjarre, që do të thotë koncesion për këtë shërbim

Zjarret e kësaj vere shoqëruar me temperatura ekstreme të larta dhe thatësirë të tejzgjatur, krijuan një situatë të paprecedentë për vendin tonë.

Drejtori i Emergjencave Civile në një raport paraprak, pasi ende ka vende ku luftohet me flakët, ka bërë të ditur numrin e vatrave të zjarreve në të gjithë vendin dhe mënyrat e ndërhyrjes për fikjen e tyre.

“Janë regjistruar mbi 900 vatra zjarri, nga ato më të voglat e deri tek zjarret masive e në rrezikshmëri të lartë, nga të cilat rreth 500 raste janë menaxhuar nga strukturat vendore të shërbimit zjarrfikës  të EC. Mbi 280 raste të zjarreve masive me rrezikshmëri për jetën njerëzore,  pasuri e mjedis, është kërkuar domosdoshmërisht mbështetje e strukturave operacioniale në nivel qëndror”, thotë Shemsi Premçi, kreu i Emergjencave Civile.

Ndërkohë vetëm ditën e hënë janë regjistruar 8 vatra zjarri në të gjithë vendin në qarqet e Shkodrës, Lezhës, Fierit, Dibrës, Elbasanit, Vlorës dhe Korçës, ku janë angazhuar 40 punonjës zjarrfikës, 50 forca të armatosura, 90 punonjës të pyjores dhe dy automjete zjarrfikëse.

Nisur nga situata e kësaj vere Premçi, përveç shtimit të kapaciteteve mekanike dhe njerëzore për zjarrfikëset, kërkon edhe rikonceptim të shërbimit zjarrfikës si në vendet e Europës.

“Për këtë situatë kërkohet një rivlerësim dhe rikonceptim në të ardhmen, pasi në Europë fatura financiare e shërbimit zjarrfikës paguhet nga shërbimmarrësi, ndërsa në Shqipëri shërbimi zjarrfikës ndërkohë që paguan faturat e ujit, shërbimin për fikjen e zjarrit e ofron falas dhe ndaj atyre që shkelin rregullat dhe mosgarantimin e sistemit të mbrojtjes nga zjarri të objekteve, qoftë këto dhe me rëndësi të madhe ekonomike”, thotë Premçi.

Këto deklarata u bënë gjatë ceremonisë së dhurimit të 600 pompave të shpinës për fikjen e zjarreve dhe 100 uniformave zjarrduruese nga gazsjellësi TAP. / Top Channel 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne