Stoltenberg: Blerja e sistemit S-400, “vendim kombëtar”

Blerja e sistemit të avancuar të mbrojtjes raketore S-400 nga ana e Turqisë është një “vendim kombëtar”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Anadolu Agency.

Stoltenberg u adresua para gazetarëve në Washington, ku aleanca transatlantike shënoi 70-vjetorin e saj.

Vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus S-400 ka çuar në tensione me Washingtonin, i cili në fillim të javës pezulloi ofrimin e pjesëve dhe shërbimeve të nevojshme për Turqinë për pranimin e avionëve luftarakë F-35.

Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar që Turqia duhet të blejë sistemin raketor amerikan Patriot në vend të sistemit rus S-400, duke argumentuar se ai nuk përputhet me sistemet e NATO-s dhe ekspozon avionin F-35 ndaj mashtrimeve të mundshme ruse, duke përfshirë përpjekjet e fshehta për të marrë informacione kritike mbi avionin, që më pas mund të përcillen në Rusi.

Shefi i NATO-s tha se çështja nuk ishte në agjendën e takimit të NATO-s në Washington, por tha se pret që ajo të trajtohet në margjinat e bisedimeve të ditës së sotme.

“Ne shohim se kjo është një çështje që ka krijuar mosmarrëveshje midis aleatëve dhe NATO është një platformë për aleatët për të trajtuar çështje të tilla”, tha Stoltenberg.

“NATO siguron mbështetje që tashmë shton mbrojtjen ajrore të Turqisë”, shtoi ai.

Në përgjigje të pozicionit të SHBA-së se sistemi raketor S-400 është i papajtueshëm me pajisjet ushtarake të NATO-s, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dje tha se sistemi do të shërbejë vetëm për përdorim të Turqisë.

“Nuk duhet të integrohet në sistemin e NATO-s dhe ky nuk është qëllimi ynë. Është për përdorim vetjak. Ky sistem nuk do të konsiderojë si armik asnjë sistem të NATO-s, përfshirë avionin F-35”, ka thënë kryediplomati turk.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne