Stoltenberg: NATO nuk ka plan B për Maqedoninë, shansi vjen një herë në jetë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg sot porositi se nuk ka plan B për Maqedoninë, pasi sipas tij, vendi tani ka mundësinë e cila ndodh njëherë në jetë dhe se mund të bëhet anëtare e NATO-s vetëm nëse e pranon marrëveshjen me Greqinë.

“Besoj fuqishëm se ajo të cilën duhet ta bëjë vendi tani është që të sjellë vendime për hapat e mëtejshme. Qeveria dhe Kuvendi duhet t’i sjellin këto vendime. Të vendosin, se si do të shkojnë përpara, si të reagojnë për referendumin dhe të gjitha pasojat dhe implikimet politike të cilat i solli ai”, deklaroi Stoltenberg, i cili sot është për vizitë në Serbi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s theksoi se nëse institucionet demokratike në Shkup vendosin që ta zbatojnë në tërësi marrëveshjen me Greqinë, atëherë NATO-ja është e gatshme që shpejt ta pranojë Maqedoninë si anëtaren e saj të 30-të.

“Mundet që shpejt të fillojmë me nënshkrimin e protokollit për anëtarësim, shumë shpejt pas ndryshimit të emrit. U mbetet institucioneve të zgjedhura demokratike në Maqedoni se a do ta pranojnë dhe do ta zbatojnë marrëveshjen për emrin. Ne jemi të gatshëm që ta pranojmë Maqedoninë si anëtare të re”, theksoi Stoltenberg.

Ai përsëriti se nuk ekziston plan B ose alternativë tjetër për anëtarësimin e Maqedonisë përveç zbatimit të marrëveshjes me Greqinë.

“Nuk ka anëtarësim pa marrëveshjen për emrin. Mënyra e vetme për anëtarësim është që vendi të merret vesh me Greqinë rreth kontestit për emrin. Për këtë ne e përshëndesim marrëveshjen ndërmjet dy vendeve”, deklaroi Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s thotë se Aleanca nuk do t’i bëjë presion Maqedonisë që të sjellë vendime, sepse bëhet fjalë për vendime sovrane të një vendi sovran.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne