Suksesi diplomatik i Turqisë mbrojti 4 milionë civilët e Idlibit

Rreth katër milionë civilë të strehuar në Idlib kanë shpëtuar nga masakra e mundshme e regjimit të Bashar Asadit dhe mbështetësve të tij dhe nga rreziku i migrimit në saje të përpjekjeve të Turqisë.

Provinca e Idlibit në veriperëndim të Sirisë u bë një nga rajonet me valën më të madhe të migrimit në luftën civile në këtë vend. Për këtë arsye, në mbledhjen e Astanas të mbajtur më 4 dhe 5 maj nga ana e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, Idlibi u shpall si një nga zonat e deeskalimit.

Në të njëjtën kohë, Idlibi, “kështjellë” e opozitarëve që gjendet pranë kufirit me Turqinë, është vendi që ka pranuar më së shumti migrantë gjatë luftës.

Si pasojë e sulmeve të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij, popullata e Idlibit arriti në katër milionë së bashku me civilët që ikën nga zona të ndryshme të vendit.

Po ashtu, edhe opozitarët ushtarakë të cilët u evakuuan nga shumë pika të marra nën kontroll nga regjimi përmes bllokadave, u tubuan në Idlib.

Krahas opozitës, në Idlib prani shfaqën edhe grupet e armatosura si Hayat Tahrir al-Sham dhe Hurassedin, ndërsa në muajt e verës, provinca u bë shënjestër e regjimit dhe mbështetësve.

Forcat e regjimit u tubuan në masë të madhe përreth Idlibit, të cilin e rrethuan nga tri drejtime, ndërkohë që lideri i regjimit, Bashar Asad, dhe zyrtarët rusë bënin deklarata kërcënuese.

Regjimi dhe mbështetësi i tij Rusia nisën sulmet ajrore në Idlib më 4 shtator. Dhjetëra mijëra civilë migruan në zonat e afërta me kufirin turk dhe në pikat e vëzhgimit të armëpushimit të ushtrisë turke.

Teksa Organizata e Kombeve të Bashkuara shtoi paralajmërimet kundër një masakre të madhe, vale migrimi dhe krize humanitare në Idlib, Turqia përshpejtoi përpjekjet e saj diplomatike.

Zyrtarët turq zhvilluan takime në tri vende me delegacionet e Rusisë dhe Iranit si garantues të armëpushimit në Siri në përputhje me marrëveshjet e arritura në Astana.

Pas një propozimi të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në samitin treplaësh të mbajtur më 7 shtator në Teheran, ai së bashku me homologun rus Vladimir Putin ranë dakord më 17 shtator në Soçi për një sërë masash shtesë për ta ruajtur armëpushimin në Idlib.

Pas marrëveshjes në Soçi, në Idlib filloi një epokë e re, pasi sulmet ajrore dhe kërcënimet e regjimit dhe Rusisë morën fund.

Afër 80 mijë civilë të cilët i braktisën shtëpitë e tyre gjatë dhe para sulmeve të fundit, janë kthyer mbrapa. Duke u inkurajuar edhe nga prania e ushtarëve turq në pikat e vëzhgimit, civilët tani janë fokusuar në riparimin e shtëpive të tyre të rrënuara.

Familjet, përkundër pamundësive, kanë filluar t’i çojnë fëmijët e tyre sërish në shkollë. Mjedisi i sigurisë, jeta sociale dhe ekonomike janë rigjallëruar.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne