Sulltan Nevruzi, historia dhe rëndësia që ka për bektashinjtë

Nevruz, që fjalë për fjalë do të thotë “ditë e re”, është emri i Vitit të Ri iranian i njohur në mbarë botën nga iranianët edhe si Viti i Ri Persian.
Edhe pse e ka origjinën nga feja e vjetër Zoroastriane, Nevruzi është festuar nga komunitete të ndryshme etno-gjuhësore. Ai është festuar për mbi 3.000 vjet në Azinë Perëndimore, Azinë Qendrore, Kaukaz, rajonin e Detit të Zi dhe Ballkan.

Para islamit, këtë festë e kanë festuar persianët. Ata kanë pasur dy stinë, verën dhe dimrin. Në 22 mars ata festonin ardhjen e verës, e cila zgjaste deri në 22 shtator. Më vonë, në botën islame në 22 mars lindi imam Aliu, i cili është i vetmi fëmijë i lindur brenda në Qabe. Që prej asaj kohe Sulltan Nevruzi u festua nga tarikatet si ditëlindja e imam Aliut. Komuniteti bektashian ka rreth 800 vjet që e feston këtë festë në të njëjtën datë. Kjo festë simbolizon rigjallërimin e natyrës. Kafshët zgjohen nga gjumi dimëror, pemët çelin sythat dhe bimësia gjallërohet. Çdo gjë nis të marrë jetë dhe gjallëri. Emri “Sulltan” është titull i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Në Shqipëri kjo festë ka nisur të festohet rreth shekullit XIV, kur u përhap bektashizmi në Shqipëri.

Kjo festë zgjat tri ditë. Në 22 mars ka lindur imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. Besimtarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas luten dhe falen. Ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë. Në mëngjes, për besimtarët dhe të gjithë të pranishmit, shpërndahet qumësht dhe sherbet, që simbolizon pastrimin e trupit dhe shpirtit. Këto dy pije konsiderohen pije parajse. Gjithmonë në orën 10:00 bëhet ceremonia. Dalin klerikët përjashta, bashkë me besimtarët këndojnë në kor këngën e Sulltan Nevruzit. Më pas, jepen bekimet nga udhëheqësi shpirtëror për jetimët, të vobektit, për të gjithë ata që gjenden në vështirësi. Jepen bekime për ushtrinë shqiptare, Presidentin, mësuesit, intelektualët etj. Ceremonia e festës vazhdon me hyrjen në tyrbe, ku bëhen lutje.

Festa e Sulltan Nevruzit është shumë e rëndësishme për besimtarët bektashinj. Besimtarët gostiten me ëmbëlsira të shumëllojshme, për të treguar dashurinë që kanë për njëri-tjetrin dhe bujarinë e tyre. Ata duhet të ndihmojnë të varfrit dhe personat që janë në vështirësi duke ju falur ushqime ose të ardhura. Nëse nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, duhet të luten për njerëzit që vuajnë. Në këtë ditë feste bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose bimë të tjera. Vendosin nëpër portat e shtëpive degë thane ose ulliri. Një rit interesant është dhe varja e veroreve të Ditës së Verës në degët e trëndafilit ose të shegës. Në mëngjes duhet pirë qumësht dhe duhet bërë sherbet, sepse këto dy pije quhen pije parajse. Në këtë ditë bektashinjtë gatuajnë disa ushqime karakteristike, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Për Sulltan Nevruz bektashinjtë gatuajnë byrek me 12 lloje të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës kanë një rëndësi të veçantë, sepse simbolizojnë jetën e re, që çel në pranverë dhe begatinë. Në byrek futet edhe një monedhe metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe i jepet secilit prej anëtarëve të familjes. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij konsiderohet njeri me fat dhe se do të ketë një vit të mbarë dhe të begatë. Në këtë ditë gatuhet edhe përshesh me pulë ose me mish qengji.

Për Sulltan Nevruz besimtarët bektashinj duhet të therin kurban. Në tryezat e tyre nuk mungon mishi i pjekur. Ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste është sultiashi. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës; orizi, që simbolizon drithërat dhe bollëkun, dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe. Si ëmbëlsirë mund të gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). Në zonat fushore bëhet edhe kulaç me petë që fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk në familje.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne