Sulm terrorist në Florida: Vriten me armë 17 të rinj ditën e Shën Valentinit

Një 19-vjeçar hapi zjarr në një shkollë të mesme në Parkland të Floridës, duke lënë të vdekur 17 studentë.

Atentatori është identifikuar si Nikolas Cruz, një ish-student në këtë shkollë, i cili ishte përjashtuar nga shkolla.

Sherifi i Kontesë Brauard, Scott Israel, u tha gazetarëve se Cruz vrau 3 persona jashtë shkollës, përpara se të hynte në ndërtesë dhe të vriste 12 të tjerë. Ndërkohë, dy persona vdiqën në spital nga plagët e marra.

Ky është sulmi më vdekjeprurës nëpër shkolla që kur 26 persona u vranë në shkollën “Sandy Hook” të Konektikatit në vitin 2012.

Mësohet se Cruz ka aktivizuar alarmin e zjarrit në mënyrë që studentët të dilnin nga klasat e tyre e më pas hapi zjarr. Ai iu shmang policisë duke u shtirur si një prej studentëve të tmerruar që vraponin për të shpëtuar kokën.

Ai u arrestua një orë pas nisjes së masakrës. Sherifi i Kontesë së Brauardit, Scott Israel tha se 19-vjeçari ishte përjashtuar nga kjo shkollë një vit më parë për “arsye disiplinore” që ende nuk dihen.

Cruz ishte i armatosur me një pushkë AR – 15 dhe granata tymuese kur hyri në shkollë me maskë kundër gazit dhe vrau 17 studentë dhe staf.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne