Sulm terrorist ne Shkoder: Tritol inspektores se DAR

Një shpërthim me eksploziv ka tronditur qytetin e Shkodrës në orët e para të së mërkurës.  Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 00:50 pranë automjetit tip Volswagen me targa AA 700 IY i cili ka qenë i parkuar në anë të rrugës “Vaso Kadia” fare pranë qendrës së qytetit të Shkodrës.

Eksplozivi i është vendosur në anësore të automjetit në pronësi të inspektores së Drejtorisë Arsimore Rajonale, Frida Kopliku 60-vjeçe. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur dëme në njerëz, pasi në momentin e shpërthimit nuk ka qenë asnjë person pranë automjetit.

Nga shpërthimi makina është përfshirë nga flakët, ndërsa zjarrfikësja ka arritur në kohë duke parandaluar djegien e plotë të autoveturës. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Fillimisht është dyshuar për një shkëndije elektrike por pasi është këqyrur vendi i ngjarjes, policia ka gjetur një gropë të shkaktuar nga shpërthimi në anë të autoveturës, pranë sediljes së pasagjerit. Sipas policisë eksplozivi i vendosur ka qenë i një sasie të vogël por nuk përjashtohet që lënda shpërthyese të ketë qenë edhe artizanale.

Frida Kopliku: Nuk kam konflikte
Pas ngjarjes Frida Kopliku ka deklaruar para grupit hetimor se nuk ka konflikte me askënd. “Nuk e di se cili mund të ketë qenë autori, pasi nuk kam konflikte” mësohet se është shprehur ajo. Policia vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të vendosur autorin para drejtësië për shpërthimin me eksploziv. Frida Kopliku është inspektore e DAR në Shkodër dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën.

Sekuestrohen pamjet filmike pranë vendit të ngjarjes
Dyshohet se autori në momentin që ka kaluar në trotuar, ka lëshuar edhe lëndën shpërthyese poshtë automjetit, dhe më pas mund të jetë larguar në lulishten ngjitur. Efektivët e policisë së Shkodrës kanë sekuestruar edhe pamjet filmike të një lokali pranë vendit të ngjarjes, për të identifikuar autorin e kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor ka marrë edhe dëshminë e inspektores për konfliktet e mundshme për të shkuar në gjurmët e autorëve.

Deklarata e policisë

Më datë 11.10.2017, rreth orës 00:50, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative se në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër, në rrugë është dëgjuar një shpërthim i lehtë.

Menjëhere në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe shërbimi zjarrfikës ku kanë konstatuar se:

Si pasojë e shpërthimit kishte marrë flakë mjeti tip Volksëagen në pronësi të shtetases F. K. 60 vjeçe, banuese në lagjen “Vojo Kushi”, me detyrë Inspektore në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër.

Ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur fikjen e zjarrit.

Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje dyshohet se ka patur një shpërthim të lehtë poshtë mjetit i cili ka qënë i parkuar dhe për pasojë mjeti ka marrë flakë.

Automjeti është dëmtuar lehtë në pjesën e prapme, dhe nuk ka patur dëme në njerëz.

Po kryhen veprimet me grup hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. / Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne