“Sulmet islamofobike në Mbretërinë e Bashkuar po shënojnë rritje”

Fiyaz Mughal, kryetari i grupit “Tell Mama”, i cili regjistron sulmet ndaj muslimanëve në Mbretërinë e Bashkuar, bëri të ditur se javëve të fundit në këtë vend është regjistruar rritje e madhe në sulmet që kanë për shënjestër muslimanët, raporton Anadolu Agency (AA).

“Javëve të fundit janë rritur sulmet e urrejtjes ndaj komunitetit musliman që jeton në këtë vend”, theksoi Mughal, duke folur për BBC Radio 4 lidhur me sulmin me automjet ndaj muslimanëve që po dilnin nga xhamia në Finsbury Park në veri të Londrës.

“Sulmet e ekstremistëve bëhen shkaktar të rritjes së këtij lloji të sulmeve të urrejtjes. Këtë e pamë në mënyrë të qartë pas sulmit në Manchester. Kishte rritje të madhe. Rritjen e njëjtë e vërejtëm edhe pas sulmit ndaj Urës së Londrës”, shtoi Mughal.

Sipas të dhënave të Tell Mama, që nga muaji maj i vitit 2013 e deri në shtator të vitit 2016, 100 xhami në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë shënjestër e agresorëve.

Ndërkaq, Nasser Alyarimi, musliman 18 vjeçar që jeton në Finsbury Park, duke folur për BBC është shprehur se sulmet e tilla janë të shumta.

“Një person që njoh e shtynë nga shkallët. Një gruaje me mbulesë i derdhën birrë mbi kokë vetëm pse është muslimane. Unë habitem me këtë lloj shënjestrimi ndaj muslimanëve. Islamofobia pa dyshim është rritur”, ka thënë Alyarimi.

Ndryshe, sulmi në Londër ndodhi kur një person përplasi me veturë muslimanët që po dilnin nga namazi i teravisë në xhaminë në Finsbury Park, ku si pasojë një person humbi jetën, kurse dhjetë të tjerë u lënduan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne