Sulmi i terroristit kristjan në xhamitë e Zelandës së Re rihap plagët e vjetra në Ballkan

nga Jovan Matic dhe Nicolas Gaudichet.

Ndërsa terroristi i armatosur ecte me makinën e tij tek dy xhamitë e Zelandës së Re ku kreu vrasjet e tij masive, në sfondin e videos që transmetoi drejtpërdrejt në Facebook dëgjohej një këngë nacionaliste serbe.

Armët e terroristit mbanin të shkruara gjithashtu edhe emra të disa figurave historike nacionaliste serbe, që zbulon një interes të papritur për konfliktet e Ballkanit që nxitën gjakderdhjen famëkeqe në rajonin e copëtuar nga lufta.

Disa orë pasi 50 muslimanë u vranë në dy xhami në Christchurch nga terroristi australian i ekstremit të djathtë, ambasadori i Bosnjës shkoi në televizion lokal për të shprehur shqetësimin e tij rreth këngës së dëgjuar në videon e terroristit që tregonte sesi i ekzekutonte viktimat muslimanë me radhë njëri pas tjetrit.

Ishte një “këngë nacionaliste serbe në të cilën përmendet emri i Radovan Karaxhiçit ku i kërkohej që të udhëhiqte serbët”, tha ai, duke iu referuar kriminelit të dënuar të luftës i cili udhëhoqi serbët e Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-95.

Karaxhiçi do të paraqitet këtë javë përpara një gjykate të OKB-së për të dëgjuar vendimin përfundimtar të dënimit të tij 40-vjeçar për gjenocidin ndaj myslimanëve në Srebrenicë dhe për mizoritë e tjera gjatë konfliktit ndëretnik në Bosnje që la 100,000 të vdekur.

Sipas diplomatit boshnjak, teksti i këngës thoshte gjithashtu se “turqit duhet që të vriten”, një term që nacionalistët serbë ende në mënyrë rutinore e përdorin për t’iu referuar myslimanëve boshnjakë.

Megjithëse kënga lidhet me luftën e viteve 90, kënga e vënë nga 28-vjeçari Brenton Tarrant duket se është bërë serish e njohur kohët e fundit në internet si meme në rrethet e brendshme të së djathtës ekstreme.

Megjithatë Tarrant e lidhi aktin e tij barbar edhe me figura të vjetra të historisë së Ballkanit, së bashku me një listë ekstremistësh të tjerë të krahut të djathtë nga e gjithë bota të cilëve ai u bënte homazh në manifestin e tij të mbushur me urrejtje.

– Obsesioni osman –

Ndër figurat ushtarake historike, emrat e të cilëve gjendeshin të shkruar në armët e Tarrantit, ishin edhe disa figura nacionaliste serbe ikonë.

Ata kishin qenë njerëz që kishin luftuar në betejat e famshme kundër ushtrive të Perandorisë Otomane, si Millos Obiliq, një kalorës luftëtar i folklorit serb dhe Stefan Lazar, një princ serb i shekullit të 14-të.

Të shkruar mbi armët e terroristit gjendeshin edhe emrat e dy udhëheqësve ushtarakë ballkanikë të shekullit të 19-të që kishin luftuar kundër osmanëve, përfshirë edhe gjeneralin malazez Marko Miljenov.

Gjatë kohës se Perandorisë Osmane Ballkani ishte një vend kontaktesh dhe konfliktesh të shpeshta mes botës myslimane dhe asaj të krishterë.

Kjo histori mbetet sot një pikë referimi kryesore për ultra-nacionalistët serbë.

Sipas autoriteteve lokale, Tarrant udhëtoi vetë në rajon në vitin 2016 dhe në fillim të vitit 2017. Terroristi kishte kaluar nëpër Mal të Zi, Serbi, Bosnjë dhe Kroaci, pastaj në nëntor të vitit 2018 edhe në Bullgari. Ai kishte vizituar gjithashtu edhe Turqinë.

– “I frymëzuar nga nacionalizmi serb” –

Në Sarajevë, Bashkësia Islame e Bosnjes tha se ishte alarmuar që “vrasësi e kishte filluar masakren e tij të përgjakshme nën tingujt e një kënge që glorifikonte krimet e luftës në Bosnje”.

Ai “ishte frymëzuar qartë nga kjo ideologji dhe urrejtje ekstremiste” e viteve 1990, shtoi grupi.

Referencat e vrasësit mbi Ballkanin ringjallën gjithashtu kujtime të këqija në Kosovë, një ish provincë e Serbisë e banuar kryesisht nga myslimanë shqiptarë por që u shkëput nga Serbia me një luftë guerile në vitet 1998-99. Gati pothuajse 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë, u vranë në atë konflikt.

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Petrit Selimi shkroi në Twitter se vrasësi australian ishte “frymëzuar veçanërisht prej nacionalizmit supremacist të bardhë serb me rrënjë në Serbi”.

Ai shtoi: “Luftërat dhe gjenocidi i kryer nga ideologët serbë në Kosovë dhe Bosnjë duket se janë bërë një pikë frymëzimi për shumë persona të ekstremit të djathtë anembanë botës”.

– ‘Histeria anti-serbe’ –

Zyrtarët në Serbi dhe Bosnjë, komuniteti i të cilëve shtrihet nëpër Ballkan, kanë qenë të shpejtë për të denoncuar vënien e gishtit.

Ministri i Jashtëm serb i Bosnjës Igor Crnadak dënoi “histerinë anti-serbe” që ai e ndiente se kishte kapur rajonin pas masakrave në Christchurch.

“Është e rrezikshme dhe papërgjegjshmëri që të vendoset një lidhje mes veprimeve të çmendura të një personi të çrregulluar dhe të sëmurë dhe një populli të tërë”, tha ai në një deklaratë.

Bashkëpresidenti serb i vendit Milorad Dodik, i cili ndan postin me homologët e tij kroat dhe myslimanë, kritikoi gjithashtu “fushatën e keqe” kundër komunitetit të tij.

Ndërkohë në Beograd, ministri i jashtëm Ivica Daçiç insistoi se “Serbia nuk kishte të bënte me” masakrën.

Edhe politikani ultra-nacionalist serb Vojisllav Sheshelj, i cili është dënuar për krime kundër njerëzimit, por që ende shërben në parlament, u shfaq për të treguar se edhe ai kishte qenë viktimë e ngjarjes.

“Demonizimi i serbëve ka për të vazhduar derisa vendi ynë të dorëzohet,” tha ai për kanalin lokal Happy TV./AFP/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne