Tahiri bëhet zyrtari i parë që akuzohet drejtpërsëdrejti për pjesëmarrje në organizatë kriminale

Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Saimir Tahiri tregon se ky i fundit akuzohet zyrtarisht nga Prokuroria për trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim dhe korrupsion i zyrtarëve të lartë. Tahiri udhëtoi në makinë bashkë me të dyshuarit Habilaj.

Kërkesa zyrtare e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit, arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit Saimir Tahiri mbështetet sipas prokurorisë në përgjimet telefonike të të dyshuarve Habilaj si dhe në faktin që Tahiri ka udhëtuar me të dyshuarin Artan Habilaj dhe persona të tjerë me makinën që ai më herët ua kishte shitur të dyshuarve.

“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera është arritur të zbulohet se personi nën hetim Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorë t etij kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të policisë së shtetit, ku si person i dyshuar është edhe ish Ministri i Brendshëm, person nën hetim Saimir Tahiri,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

“Personi në hetim Moisi Habilaj në bashkëpunim me persona të tjerë duke përfituar nga lidhjet e ngushta me ish Ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve kanë bërë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë vendit. Në dijeni të këtyre detajeve dhe me veprime aktive dyshohet të ketë vepruar dhe ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal”.

Tahiri bëhet zyrtari i parë i këtij niveli në Shqipëri që akuzohet drejtpërsëdrejti për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Prokuroria thotë gjithashtu se hetimin ndaj tij e ka nisur me iniciativë të vet më 17 tetor 2017, një ditë pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali pas hetimeve katërvjeçare të drejtësisë Italiane. Dosja gjyqësore e masës së arrestit për të dhe dhjetë të dyshuar të tjerë, u bë publike nga kreu i opozitës Lulzim Basha. Në të, të dyshuarit janë përgjuar duke thënë se do t’i japin 30 mijë euro Saimirit, ndërsa thonë gjithashtu se kanë blerë dy byzylykë me vlerë 2 mijë euro, një për bashkëshorten e Saimirit. Tahiri i ka mohuar akuzat duke argumentuar se i ka kushërinj të dhjetë Habilajt dhe i ka konsideruar komentet e të dyshuarve për të “pallavra të dy kriminelëve që mburren se kush ka më shumë ndikim”.

Por fakti i ri i zbuluar nga kërkesa e prokurorisë është që Tahiri, pasi u ka shitur makinën Habilajve më 5 nëntor 2013, ka udhëtuar në datat 16 gusht, 30 gusht, 29 gusht dhe 8 gusht “nën shoqërinë e subjekteve të dyshuar Artan Habilaj, etj”.

Link: Kërkesa e Prokurorisë për Tahirin

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne