Taksa progresive në Shqipëri, një eksperiment i dështuar

Duke lënë pas krizën ballkanike dhe globale të pas vitit 2010, dhe me thirrjet kontraverse politike se Shqipëria nga njëra anë i shpëtoi dhe nga ana tjetër pësoi rënien më të madhe ekonomike, 8 vite më pas me dy shifra krejt naive dhe po aq kontraverse, vendi ynë rezulton me rritje ekonomike 3.8 për qind dhe me 325 mijë banorë më pak. Me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama 1, politikave e taksave ndryshoi nga skema e sheshtë në atë progresive, një sistem që ndiqet edhe sot nga qeveria Rama 2, e për të cilën ekzekutivi referonte që nga 1 janari 2014 se ajo do të jetë bekim për shtresën e mesme dhe në nevojë, dhe përsëri sot thuhet se 97 për qind e të punësuarve paguajnë më pak, ndërsa opozita këmbëngul se ky model taksimi ka rrënuar ekonominë.

Por përtej deklaratave politike, institucione të pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare kanë përpiluar të dhëna konkrete mbi ndikimin që taksat kanë luajtuar në konsum dhe në përshkallëzimin e shtresave sociale. Një raport PNUD-Albania, programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri ndalet si ka qenë në konsum efekti i taksimit mbi të ardhurat, i cili ndryshoi në fund të vitit 2013, duke kaluar në sistemin progresiv deri në 13% për pagat mbi 130 mijë lekë nga 10% që ishte më pare, ku në të dy rastet pagat deri në 30 mijë lekë kishin tatim zero.

Rezultatet tregojnë se shpërndarja agregate e popullsisë sipas grupit të konsumit (të varfër, në nevojë dhe klasa e mesme) nuk ka ndryshuar shumë gjatë periudhës 2008-2014, ku familjet në nevojë janë tkurrur me 3.4%. Përqindja e kryefamiljarëve që jetojnë në varfëri në vitin 2014 u rrit me 1% krahasuar me vitin 2008, ndërsa klasa e mesme u zgjerua me rreth 2.8% gjatë kësaj periudhe. Nëse nuk do të kishte pasur një ndryshim nga taksa e sheshtë tek tatimi progresiv, konsumi i parashikuar në krahasim me konsumin aktual tregon se varfëria do të kishte rënë dhe klasa e mesme do të zgjerohej me 2.5% më shumë”. Pra, PNUD deklaron se nëse në fuqi do të ishte taksa e sheshtë dhe jo ajo progresive parashikimi tregon se do të kishim një rënie të varfërisë dhe një zgjerim akoma edhe më të madh të shtresës së mesme.

“Pavarësisht faktit se në përgjithësi nuk ka ndryshime thelbësore mes grupeve të ndryshme të konsumit, lëvizja nga 2008 në 2014 është e dukshme. Duket se shumica e kësaj lëvizjeje ka zbritur familjet në kategorinë e të qenët në nevojë ose të varfër në 2014. Gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit në 2008 kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri në 2014. Ndërkohë që 17% e familjeve me tendencë drejt varfërisë u bënë të varfër në 2014” vlerëson PNUD.

Por, si e komentojnë ekspertët e ekonomisë efektin që ka dhënë taksa progresive dhe taksa e sheshtë në vend?

Për profesor Selami Xhepën, taksimi progresiv mbi të ardhurat personale ka rritur barrën fiskale, veçanërisht për shtresën e mesme të popullsisë, duke reduktuar edhe të ardhurat, dhe për këtë duhet të merret në konsideratë propozimi për taksën e sheshtë. Më tej, Xhepa sjell në vëmendje edhe rezultatet që ka dhënë taksa progresive në konsum.

Ndërsa, profesor Arben Malaj thotë se aplikimi progresiv i tatimit mbi të adhurat, ka larguar ekspertët e kompanive, megjithatë ai tregohet më neutral sa i përket propozimit për skemën e sheshtë.

Eksperti Elvin Meka mbështet taksimin progresiv, ndërsa komenton se për nxitjen e konsumit ka vend për uljen e mëtejshme të TVSH-së së shportit dhe akcizës.

Në linjë me raportin PNUD, por edhe atë të Bankës Botërore që raportoi në mars 2018 rritjen me 29 për qind të numrit të ekonomive familjare që u zhytën në varfëri, duke pasur në referencë taksimin progresiv, e djathta ka parë me vend të shpalosë programin e saj ekonomik, mbështetur në frymën e taksimit të sheshtë. Në planin ekonomik të qeversjes, PD ka propozuar përjashtimin nga ky sistem taksimi për të gjitha pagat nën 35.000 lekë dhe uljen e normës së tatimit në 9 për qind për të gjithë pagat mbi 35.000 lekë.

Që nga viti 2014, në fuqi është taksimi progresiv, ku për pagën deri në 30 mijë lekë, të ardhurat nuk tatohen, më tej nga 30.000 deri në 130.000 lekë tatohet 13 për qind e shumës dhe për pagat mbi 130 mijë lekë tatimi është 23 për qind. Por, kjo skemë ka lënë vend edhe për evazion, i shfrytëzuar ky brenda hapësirave ligjore, ku individë me paga të larta, për t’ju shmangur 23 përqindshit, kanë pranuar të mbajnë pagë të deklaruar më të ulët se 130 000 lekë. Sipas Arben Malajt, programi i opozitës mund të qëndrojë në rast se ai nuk gjykohet në retrospektivë, sipas modelit të qeverisë Berisha.

Edhe pse është një nga burimet kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit, e cila zë 8,6% të të ardhurave tatimore, për vitin 2017 ka një mosrealizm me 11 për qind nga plani. Për këtë zë ishte planifikuar të arkëtoheshin 36 miliardë lekë, por në fakt janë realizuar 32 miliardë lekë. E megjithatë, në buxhetin e vitit 2018, qeveria planifikon rritjen e të ardhurave nga zëri i “Tatimit mbi të ardhurat personale” me 3.3 miliardë lekë shtesë në vit, ndërsa ka pasur propozime edhe nga bizneset që të ndërrojë këtë skemë tatimi. Banka Botërore raportoi se në Shqipëri 6.3% e popullsisë së vendit (181,225 persona) jeton me tre dollarë në ditë këtë vit.

Numri personave që jetojnë me më pak se 3 dollarë në ditë në Shqipëri është relativisht i lartë. Ndërsa më shumë se 20 mijë e 300 persona jetojnë me 1.9 USD dollarë në ditë. . Por, sipas Bankës Botërore, efektin më të madh taksa progresive e ka pasur te individët apo familjet që jetojnë me 4 USD në ditë, duke prodhuar edhe më shumë varfëri tek ata të cilët e ndjejnë më shumë rritjen e taksave. Duke iu referuar shifrave për rritjen ekonomike, nga 1 për qind në vitin 2012, në 3.8 për qind në vitin 2017, ekspertët kanë këtë koment.

Por, ajo për të cilën bien dakord, ekspertët është se pavarësisht nga ideologjia për sistem fiskal të sheshtë apo progresiv, është ideja për një sistem të thjeshtuar taksash, si ato direkte ashtu edhe indirekte.

Për rishikim të sistemit fiskal, është edhe kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford i cili komenton se vendet e rajonit janë më mikëpritëse për thithjen e investimeve, ndërsa burokracia dhe varfëria mbeten në nivele të larta në Shqipëri.

Vetëm pak ditë më parë, ministri i Finacave dhe Ekonomisë theksoi se nuk ka asnjë angazhim apo strategji të qeverisë për të ulur normën e TVSH-së për shportën, sikundër parashikohej në programin qeverisës kur e majta erdhi në pushtet për ta cuar atë 10 për qind nga 20 për qind që është aktualisht, ndërsa kryetari i PD-së Lulzim Basha premtoi se do ta ulë TVSH-në në nivelin 15 për qind.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne