Talat Xhaferi: Ligji i gjuhës shqipe mund të hyjë në fuqi edhe pa nënshkrimin e presidentit

Ligji i përdorimit të gjuhëve vazhdon të mbetet një temë aktuale në Maqedoni, por që nuk dihet se kur dhe në çfarë mënyre do të shpallet në Gazetën Zyrtare, që të vazhdojë të zbatohet nga institucionet e vendit. Me këtë ligj, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.

Ligji në fjalë në muajin maj u votua sërish në Parlament, pasi më herët nuk u dekretua nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, i cili edhe pas votimit përsëri vazhdon të refuzojë dekretimin e tij, me arsyen se është antikushtetues.

Duke folur për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu Agency thotë se sistemi i një demokracie parlamentare parashikon edhe mundësitë alternative për rrugëdalje nga ky bllokim i ligjit.

Siç thekson Xhaferi, ”Kushtetuta e vendit sanksionon mundësinë që kreu i shtetit për projektligje të caktuara, që votohen në Parlament, të ketë të drejtën e vetos për çështje të caktuara, por sipas tij, ajo nuk nënkupton që presidenti të ketë veto absolute”.

Ai rikujton se kushtetuta sqaron se në rivotim, pas kthimit të ligjit nga kreu i shtetit, ky i fundit është i detyruar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit në fjalë. Kreu i shtetit dhe kryetari i Parlamentit, së bashku janë dy personat që dekretojnë aktin për shpalljen e ligjeve, por sipas Xhaferit, “Parlamenti ka kompetencat ligjvënëse dhe sipas logjikës kushtetuese dhe demokracisë parlamentare vullnetin e Parlamentit nuk mund ta cënojë asnjë institucion tjetër, pa marrë parasysh kompetencat e mundshme që ka në këtë drejtim”, shkruan ata.

Ai thekson se ligji mund t’i adresohet Gazetës Zyrtare edhe pa nënshkrimin e kreut të shtetit, në këtë rast pa nënshkrimin e presidentit Ivanov.

“Për faktin që kreu i shtetit ka vetëm se kompetencën e vetos për një kohë të caktuar, kjo nënkupton që kreu i shtetit me vendimet e tij nuk mund të cënojë punën e Parlamentit dhe në këtë drejtim mendoj se rrugëdalja është që ligji pa nënshkrimin e kreut të shtetit t’i adresohet Gazetës Zyrtare, që ajo ta nxjerrë ligjin dhe pas kësaj të mund të vihen në funksion institucionet e tjera kushtetuese që kanë kompetenca kundrejt dilemave që ka kreu i shtetit për ligjin”, deklaroi Xhaferi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne