Talebanët në Moskë: Jemi të përkushtuar për të drejtat e grave, aktivistët po e përhapin imoralitetin

Talebanët kanë thënë se janë të përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave legjitime të grave, ndërsa i kanë akuzuar aktivistët për të drejtat e grave se po e përdorin petkun e barazisë për ta përhapur imoralitetin.

Gjatë bisedimeve që po mbahen mes përfaqësuesve të qeverisë afgane dhe kundërshtarëve të tyre në Moskë, talibanët kanë premtuar se do ta sigurojnë lirinë e grave në një mënyrë që nuk i shkel të drejtat dhe dinjitetin e tyre. Ky grup i ka kritikuar aktivistët për të drejtat e grave, të cilët, sipas tyre, po i inkurajojnë njerëzit që të largohen nga traditat dhe vlerat e kulturës afgane.

“Për shkak të korrupsionit, mjetet financiare për të drejtat e grave kanë shkuar në xhepat e atyre që janë fshehur nën sloganet për të drejtat e tyre”, tha udhëheqësi i talibanëve në këto negociata, Sher Mohammed Abas Stanekzai. “Në emër të të drejtave të grave, dikush po punon për imoralitet dhe përhapje të kulturës joislame”, ka shtuar ai.

Bisedimet mes talibanëve dhe figurave të larta të opozitës afgane kanë për qëllim gjetjen e zgjidhjes paqësore. Në to po diskutohet mundësia që talibanët të bëhen pjesë e politikës zyrtare në të ardhmen. Ky grup e ka udhëhequr Afganistanin nga viti 1996 deri në vitin 2001, shkruan “Daily Mail”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne