Tarrantizëm?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Pas sulmit terrorist të racistit të bardhë australian, Brenton Tarrant në Zelandën e Re, ku u vranë 50 myslimanë, ka ardhur përsëri në rend të ditës diskutimi se si duhet përkufizuar racizmi dhe e djathta ekstremiste, që si metodë përdorin terrorizmin. Emërtimet më të përhapura aktualisht janë këto: “terrorizëm islamofobik”, “islamofobi/armiqësi ndaj islamit”, “antiislamizëm”.

Antisemitizmi, antiislamizmi

Urrejtja ndaj hebrenjve dhe trajtimi çnjerëzor i tyre në Perëndim gjatë shekullit të 20-të, përkufizohet si antisemitizëm, një term i pranuar gjerësisht. Në mënyrë të ngjashme edhe përdorimi i koncepteve të tilla si antiislamizëm e islamofobi për ngjarjet e dhunshme dhe terroriste në rritje gjithnjë e më shumë ndaj myslimanëve, mund të jetë funksional si për të sjellë në mendje një tragjedi njerëzore, ashtu edhe për të dënuar së bashku antisemitizmin dhe antisilamizmin.

Por megjithëkëtë, emërtime të tilla nuk nxjerrin në shesh mentalitetin, që është burimi thelbësor i problemit. Një diçka e tillë më shumë e përkufizon problemin përmes viktimave dhe lë në hije mentalitetin dhe autorët që mbartin problemin.

Nga ana tjetër, kërcënimi i afërt dhe i vërtetë në Perëndim nuk përfshin vetëm islamofobinë. Ashtu siç vihet re në manifestin terrorist të Tarrantit, ku shpjegohet në mënyrë të detajuar se në shoqëritë perëndimore nuk ka asnjë rrugë tjetër, veçse të vriten të gjitha komunitetet e tjera që nuk janë të racës së bardhë, të gjitha diversitetet e tjera përveç racës së bardhë janë të kërcënuara. ‘Bardhësia’ për racistët e bardhë dhe të djathtën ekstreme, përfshin racën e bardhë në Evropë duke përjashtuar të gjithë të bardhët qe jetojnë në shoqëritë e tjera jo-Perëndimore.

Fashizëm, nazizëm, sionizëm

Koncepti që kërkojmë në fakt nuk është shumë i ri dhe me kornizë të panjohur. Ne e dimë kryetitullin e konceptit: Racizëm. Por situata me të cilën përballemi momentalisht, është shumë e pamjaftueshme për t’u shprehur me racizëm. Situata aktuale nuk ka të bëjnë me një racizëm që e do racën e vet në vetvete dhe punon e përpiqet për të, që synon ta nxjerrë atë në plan të parë. Kjo shkon përtej kësaj; kjo është një gjendje racizmi që ka si qëllim të zhdukë raca të tjera dhe mënyra të ndryshme jetese për të ruajtur racën e vet. Pra një formë racizmi që përvetëson çdo lloj sulmi terrorist, të djegë të gjallë njerëzit në faltoret dhe shtëpitë e tyre, gjë që vihet re shpesh në Evropë. Për situata të ngjashme në literaturë kemi koncepte të mjaftueshme që i përdorim.

Fashizmi mund të shihet si një lloj racizmi shtetëror. Kurse nazizmi është racizmi kombëtar, që bazohet në superioritetin e gjermanëve dhe që e shikon shtetin si mjetin e vet. Ndërsa sionizmi mund të shikohet si një përzierje e racizmit kombëtar me racizmin fetar. I zhvilluar nga ana e Thedore Herlz, sionizmi mund të shihet si një ideologji politike, që mbron mendimin se hebrenjtë janë popull i zgjedhur, se Zoti u ka premtuar atyre toka të caktuara (tokat e premtuara), ku përfshihet edhe një pjesë e Turqisë dhe për këtë arsye është legjitime bërja e çdo gjëje për ti fituar këto toka. Sipas Roger Garaudy kjo është një ideologji raciste dhe kolonizuese. Shumë gjëra që Izraeli bën ndaj palestinezëve duke shpërfillur vendimet e Kombeve të Bashkuara, drejtësinë kombëtare, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, krahasohen nga shumë mendimtarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut me ato që Hitleri u bëri hebrenjve. Padyshim që jo të gjithë hebrenjtë e pranojnë sionizmin. Ka edhe hebrenj ortodoksë që e refuzojnë tërësisht sionizmin, që mendojnë se krijimi i një shteti hebre bie ndesh me fenë dhe për këtë arsye ata nuk e njohin Izraelin.

“Whiteizëm”?, “Wasizëm”?, Tarrantizëm?

Nëse fashizmin e cilësojmë racizëm shtetëror, nazizmin racizëm kombëtar, sionizmin racizëm fetar, atëherë koncepti për të cilin kemi nevojë është racizmi i ngjyrës. Superioriteti i bardhë (White supremacy) është shumë i pamjaftueshëm dhe i pafajshëm për të shprehur racizmin e bardhë, që e përdor terrorin si një metodë. Sepse në pikën e arritur, superioriteti i racës së bardhë ka dalë jashtë të qenurit një besim dhe ky besim është kthyer në arsyen e terrorizmit.

Edhe nëse nuk vendosim plotësisht mbi konceptin që nevojitet, ne e dimë se nga duhet të prodhohet dhe çfarë duhet të tregojë. Koncepti duhet të prodhohet nga bota e mentalitetit të racistëve të bardhë, që e përvetësojnë terrorin dhe dhunën si një metodë. Në këtë pikë mund të prodhohen konceptet e “wasizmit” ose “whiteizmit” (bardhizëm) që të sjellin në mendje fashizmin dhe nazizmin dhe i dënojnë ato së bashku. “Wasizm”, nëse bëhet fjalë për një përdorim të përhapur, mund të pranohet në një kohë të shkurtër si një koncept që tregon terrorin e bardhë racist, diskriminimin dhe urrejtjen. Por në një gjendje të tillë, do të përballemi me probleme që i nënvizuam javën e kaluar. Të quash terror të krishterë terrorin që bëhet në emër të fesë së krishterë dhe terror islam terrorin që bëhet në emër të islamit do të jetë një deformim për shumicën e arsyeshme në nivel shumë të madh për këto grupe besimi.

Nga përdorime dhe polarizime të tilla do të përfitojnë më shumë organizatat terroriste. Në mënyrë të ngjashme duhet të evitohet edhe përdorimi i një gjuhe që lë në dyshim të gjithë të bardhët për shkak të atyre që bëjnë terror në emër të racës së bardhë. Nëse nazizmin e shohim si një racizëm kombëtar që lë jashtë gjermanët dhe sionizmin si një racizëm kombëtar e fetar që lë jashtë hebrenjtë, është e mundur që të veçojmë edhe të bardhët që nuk përvetësojnë racizmin e bardhë dhe të përdorim një terminologji që e dënon këtë lloj racizmi. Në këtë pikë, duke qenë se e kishte shkruar në manifestin e tij, për terrorin e bazuar në racizmin e bardhë, në mendje mund të vijë edhe fjala Tarrantizëm. Tarrantizmi nuk mund të përdoret për të gjithë të bardhët, por vetëm për ata që, ashtu siç nënvizohej në manifest, e shohin terrorin si një metodë legjitime. Nëse do të propozonim edhe koncepte të tjera, kjo duhet të bëhet duke marrë në konsideratë këtë dallim.

Si përfundim, është e qartë se nevojitet një koncept i ri për racizmin e bardhë ose ekstremizmin e djathtë, që shpërfill të drejtat dhe liritë themelore, lirinë e të shprehurit, të drejtën për të jetuar si dhe përdor terrorin si një metodë. Çdo koncept që do të prodhohet nuk duhet të vendosë në qendër viktimat, por duhet të nxjerrë në pah botën e mentalitetit të fajtorit dhe duhet ta dënojë këtë mentalitetit. Pra duhet të sjellë në kujtesë fashizmin, nazizmin dhe sionizmin dhe së bashku me ato, në mënyrë që të shprehë dënim, duhet të jetë një koncept i prodhuar nga superioriteti i bardhë, por që nuk i akuzon të gjithë të mardhët.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

 


NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne