Të huajt mrekullohen nga diversiteti i bashkëjetesës në Shqipëri

Zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, i pranishëm në panairin “Harmonia e Kulturave” në Tiranë, u shpreh se, “është një pamje e mrekullueshme kjo që po shikojmë sot këtu, ku ka studentë nga vende të ndryshme të botës. Nga pikëpamja gjeografike Shqipëria është një vend i vogël, por duke parë diversitetin e bashkëjetesës e shumë elementëve të ndryshëm në këtë vend, nuk është në dorën tonë që të mos mrekullohemi nga kjo pamje. Cilësia më e mirë që i simbolizon shqiptarët është tolerance dhe bashkëjetesa që kanë midis tyre. Në Shqipëri disa terma si racizmi apo terma të tjerë negativë nuk ekzistojnë. Në këtë pikëpamje, dua të theksoj se Shqipëria është shumë më përpara se disa shtete evropiane”,

Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra, tha se fondacioni që ai drejton, e ka kthyer në traditë organizimin e panairit të kulturave me rastin e ditës së diversitetit.

“Është viti i tretë që organizojmë këtë aktivitet. Në Shqipëri ka shumë studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët me kontaktet që kanë vendosur me bashkëmoshatarët e tyre nëpër universitete nuk ndihen të huaj. Ato janë integruar në shoqërinë shqiptare dhe si të gjithë studentët vendas edhe ata po vazhdojnë kryerjen e studimeve”, tha Gurra.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet shprehu mbështetjen për organizimin e aktiviteteve të tilla.

“Sot ne jemi në një vorbull të rëndësishme të emigracionit dhe të lëvizjeve të kulturave të ndryshme, shpërngulje masive të njerëzve për arsye të ndryshme, por që vendosen në disa sisteme të tjera, të cilat pasqyrojnë atë kulturë dhe trashëgimi që sjellin me vete këto lëvizje të kulturave të ndryshme. E parë në aspektin e shkëmbimeve kulturore mes shteteve të ndryshme edhe Shqipëria është bërë pjesë integrale e kësaj lëvizjeje, duke shkëmbyer jo vetëm emigracion, por edhe kultura të shteteve të ndryshme, nëpërmjet studentëve që vijnë këtu”, tha Hado.

Në panairin “Harmonia e Kulturave” organizuar nga Fondacioni Arsimor Kulturor Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Turqia, Italia, ShBA-ja, Spanja, Egjipti, Kanadaja, Irlanda, Polonia, Holanda, Kuvajti dhe Palestina prezantuan kulturat e vendeve të tyre në stenda promovuese.

Studentët prezantojnë vendet historike, kulturën, artin, veshjet tradicionale dhe monumentet historike, të shteteve që përfaqësojnë. (ATSH)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne