Të mbash Ramazan e ta çelësh me… “Ramë”

nga Namir Lapardhaja.

Sipas traditës islame, për agjëruesin e ditës së Ramazanit ka dy gëzime; një prej tyre është dita e shpërblimit për sakrificën, ndërsa gëzimi i parë është çelja e iftarit.Në këtë kuptim, iftari (ashtu si edhe syfyri në mëngjes herët) kanë në vetvete domethënie të rëndësisë së veçantë që kanë të bëjnë me shenjtërinë e këtij besimi, duke mos u konsideruar thjesht si dy vakte ngrënieje të zakonshme ushqimi.

Pikërisht, këtë shenjtëri edhe këtë vit, ashtu si vjet, është duke e thyer politika, e më konkretisht kryeministri i vendit Edi Rama, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Të paktën, në këto përmasat e viteve të fundit.

Iftaret me regji qendrore, me fjalime kryeministrore dhe në shërbim të propagandës së ditës janë duke u shndërruar në njolla turpi për elitën e myslimanëve në Shqipëri.

Drejtuesit e tyre, herë të korruptuar, herë të lajkatosur nga avujt e aromës së pushtetit, e herë nën dallditë e inferioritetit dhe të injorancës, e kanë shndërruar këtë gëzim të myslimanëve në makineri përfitimi dhe suportimi vetjak nga ana e pushtetit, duke mos kuptuar se pushteti (kushdo qoftë në të) ka nevojë për ata (ngase i sheh si oaz votash) dhe jo e kundërta.

Një javë më parë u ndjeva thellësisht i ofenduar, kur iu përgjigja me kënaqësi ftesës së institucionit më të lartë të besimit islam në Berat dhe kur në atë iftar pashë se showman-i i mbrëmbjes ishte kryeministri Edi Rama, me një fjalim që, ashtu siç e mora vesh më vonë, kishte zgjatur më shumë se 20 minuta dhe që sigurisht kishte vënë shumë njerëz në hall, për shkak se ata që kishin agjëruar përgjatë 17 orëve të nxehta të ditës do të duhet të dëgjonin për një kohë relativisht të gjatë një njeri që vinte aty dhe bënte llogje Kavaje me besimin dhe për besimin e tyre.

Po ashtu, edhe gjatë ditës së djeshme në Elbasan. Nuk e di kush ka qenë organizatori i iftarit të djeshëm, por më duket e palogjikshme dhe shumë e gabuar që institucionet fetare, pasi shtrojnë iftar për besimtarët, por edhe për institucionet vendore dhe qendrore të administratës publike e kështu me radhë, ia lënë në dorë fatin e organizimit të tyre qeverisë dhe propagandës.

Mendo dje në Elbasan një kryeministër, i cili gjatë gjithë ditës ishte përballur me të vërtetën e popullit të tij për një shëndetësi të degraduar dhe të dorëzuar totalisht dhe në mbrëmje shkon të mbajë leksione spirituale!

Gjithsesi, gjithë këtë Edi Rama e sheh si pjesë të propagandës së përgjithshme. Ai është në “të drejtën” e tij edhe për të manipuluar, edhe për ta parë bashkësinë e myslimanëve si oaz të votave, mirëpo problemi i madh këtu është me drejtuesit e kësaj bashkësie, të cilët duhet të ruajnë integritetin e tyre, në radhë të parë, por edhe të fesë dhe të përgjegjësisë që kanë mbi krye, duke mos i shndërruar besimtarët dhe agjëruesit e thjeshtë në figurantë të një filmi që nuk ka kurrfarë lidhjeje me ta.

Sigurisht që për fenë, në radhë të parë, por edhe për politikën, do të ishte mirë që të rrinin larg njëra me tjetrën, qoftë edhe në kësi evenimentesh, por edhe nëse do të takoheshin takimi të ndodhte në mënyrë dinjitoze dhe të virtytshme për të dyja palët dhe jo për të mirën e njërës e në dëm të palës tjetër.

Në fund të këtij shkrimi, meqenëse ende jemi me agjërim në gojë, do të më duhet të parafrazojë një thënie të popullit tonë për rastin konkret, që thotë: “Kësaj i bie të mbash Ramazan e ta çelësh me… “Ramë”!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne