Të prekurit nga stresi në rritje, si ta parandaloni pa ilaçe

TIRANE– Numri i personave të prekur nga stresi është në rritje, ndërkohë që çdokush mund ta parandalojë këtë çrregullim mendor pa përdorur medikamente”. Deklarata vjen nga mjekja psikiatre pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 3, Arjana Rreli, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin “Life Pages” të “Gazeta Shqiptare”, shpjegon në detaje shenjat e sëmundjes dhe kur ato duhet të na drejtojnë te specialisti përkatës.

Doktoreshë, çfarë është stresi?
Stresi është një çrregullim i shëndetit mendor. Quhet çrregullim kur kjo problematikë të ndikon në gjithë funksionin dhe veprimtarinë e përditshme. Në fakt, ka një stres që quhet normal, që na shtyn ne drejt veprimtarive tona të përditshme. Është pikërisht ai stresi që na motivon, na rrit adrenalinën që ne të kërkojmë nga vetja zgjidhjen e problemeve, sidomos kur kemi të përcaktuara objektivat tona, kur kemi pritshmëri për këto objektiva dhe kur kemi afate kohore për t’i arritur. Në këtë rast, organizmi ynë e menaxhon gjithë këtë kërkesë që realiteti apo ambienti përplas ndaj nesh. Pjesa tjetër e patologjisë së stresit, që ndryshe quhet gjendje e ankthit, është kur kjo gjë ndikon te ne jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht. Kjo do të thotë se çrregullimi i stresit quhet momenti kur ne vuajmë shenjat psikologjike dhe fizike të tij.

Cilat janë disa nga shenjat fizike dhe psikologjike?
Te shenjat fizike fusim takikardinë ose rrahjen e shpejtë të zemrës, djersitjen, ndjesitë e mpirjes së duarve dhe të këmbëve, dhimbje koke, gjendje sikur frymëmarrja jonë nuk shkon deri në fund dhe nuk mund ta ngopin organizmin me oksigjen, gjendje të një boshllëku në stomak, dhimbje të kokës, ndjesi sikur diçka po mbytemi dhe vështirësi në gëlltitje, frikë se mos mbytemi ku kapërcejmë diçka. Shenjat fizike janë nga më të ndryshmet dhe ngjajnë kaq shumë me problematika të vërteta organike, saqë ndonjëherë njerëzit, në kërkim të një shkaktari të vërtetë organik shkojnë dhe shëtisin nga mjeku në mjek, duke mos akuzuar direkt asgjë, por që në fakt kemi të bëjmë me stresin. Pjesa tjetër është ajo psikologjike. Njeriu që ka bërë një çrregullim të ankthit është lehtësisht i shpërqendrueshëm. Nuk arrin të përqendrohet dhe rrjedhimisht kjo e çon në një çrregullim të memories. Duket sikur ai s’mban mend, ndonëse memoria është plotësisht e rikthyeshme. Pjesa tjetër është e një frike: nuk përcakton dot subjektin e frikës, por ka ndjesinë dhe nuk e shpjegon dot përse i vjen. Në disa lloje stresi kemi dhe derealizimin, ku personi duket sikur humbet kontrollin e ambientit dhe nga momenti në moment “do rrëzohet”, “do çmendet”, “do t’i bjerë të fikët” ose “do t’i pushojë zemra”. Të gjitha këto janë prononcime nga vetë pacientët.

Kur duhet të fillojë të shqetësohet një person që ka këto shenja e të drejtohet te specialisti?
Në rastet kur stresi, me gjithë këtë tablo që unë përmenda më sipër, por jo domosdoshmërisht me të gjitha simptomat, shfaqet dhe bëhet i vazhdueshëm çdo ditë për të paktën 3 javë rresht, atëherë ky është momenti që personi duhet t’i drejtohet një specialisti të shëndetit mendor. Jo domosdoshmërisht psikiatrit, sepse shumë persona këtë e kanë si një pengesë. Nuk ka rëndësi nëse specialisti është psikolog, punonjës social, por edhe një infermier i shëndetit mendor që është po aq mirë i trajnuar për të njohur dhe ndihmuar me një këshillim personin.

Cilat janë disa nga shkaqet e stresit?
Janë nga më të ndryshmet. Unë në plan të parë do të vendosja tiparet e personalitetit të një individi, sepse njerëzit që janë më të ndjeshëm, që janë shumë të përgjegjshëm ndaj detyrave që marrin, ata që punojnë në profesione që i vënë përpara detyrimeve për të pasur kufizime në kohë për të arritur objektivat, janë nga shkaqet më stresante sot për sot. Po ashtu, edhe personat që janë analitikë, që analizojnë në detaje një ngjarje apo bëjnë analiza të thelluara të punës, të raporteve të tyre me të tjerët. Gjithashtu, njerëzit perfeksionistë, që i duan gjërat e veta deri në imtësi të realizuara në mënyrë perfeksioniste janë të predispozuar për t’u prekur më tepër nga çrregullimet e stresit dhe të ankthit. Shkak tjetër, përveç tipareve të personalitetit janë dhe stresorët e jashtëm: Pa diskutim, një njeri që është në kërkim të një pune, që nuk ka gjetur dot shpërblimin për një investim në një vend pune, por edhe ata që janë të vetmuar. Është parë nga studimet që beqarët apo njerëzit që kanë humbur lidhjet, qoftë shoqërore apo civile, janë njerëzit më të predispozuar për t’u prekur nga stresi. Po ashtu, personat që gjenden në vështirësi ekonomike të konsiderueshme, dhe që minimalisht, një krye familjar që s’ka mundësi të çojë në shtëpi ushqimet e shportës, ndodhet në presionin e njeriut përgjegjës për sigurimin e të ardhurave materiale. Pa diskutim është edhe pjesa që zhvillon aktivitetet e veta në mjedise pune me kërkesa ekstreme, me konflikte.

Çfarë mund të bëjmë për parandalimin e stresit?
Ne kemi shumë në dorë për parandalimin, sepse përmes një jete të shëndetshme gjithkush mban larg stresin. Pra, duke ngrënë shëndetshëm, minimalisht ne ruajmë forcat tona mbrojtëse dhe investojmë me këto forca të mbrojmë edhe sistemin tonë nervor. Nga ana tjetër, raportet sociale janë shumë të rëndësishme që të prekemi sa më pak nga stresi. Duke bërë të ditur problematikën tënde, duke e vënë në tavolinë si një problem ku ti nuk ke asnjë kompleks për ta ndarë me të tjerët, jo vetëm shkarkon nga vetja një ngarkesë që nuk është mirë ta mbash, por e ke shtruar edhe për zgjidhje problemin tënd, dhe këtë zgjidhje, e cila mund të mos të vijë ty për momentin, ti e merr nga një anëtar tjetër i grupit. Nga ana tjetër, në këto raporte sociale ti mund të gjesh “bashkëvuajtës”, gjë që ta lehtëson ty mënyrën e perceptimit, sepse shumë shpesh personat mendojnë se janë të vetmit që vuajnë nga stresi. Pjesa tjetër e rëndësishme është aktiviteti sportiv. Jo vetëm shëtitjet në ajër të pastër, por ecja sportive, vrapi, më pak palestrat, sepse janë ambiente të mbyllura, por sidomos vrapi në natyrë ku ka oksigjen, ka një tjetër impakt në sistemin nervor dhe është pjesë e relaksit që njeriu merr. Po ashtu, edhe shkarkimi i adrenalinës, që është vërtetuar që me anë të aktivitetit fizik ulet, pasi nivelet e larta të adrenalinës nuk na ndihmojnë të tejkalojmë gjendje të ankthit. Këto masa janë të barasvlershme me një medikament, që ndihmon në gjendjet e ankthit. Këto janë “dhurata”, që gjithkush prej nesh duhet t’i praktikojë për të mbajtur sa më larg gjendjet e stresit.

Çfarë rrezikon një stres i patrajtuar?
Çrregullimi i stresit, edhe pse bën pjesë te çrregullimet e vogla të sistemit nervor, si të gjitha problematikat e tjera, nëse neglizhohet dhe nuk trajtohet në kohën e duhur dhe për kohën e duhur, patjetër që mund të çojë në thellim të gjendjeve, që shkojnë, nga atak paniku apo sulm i ankthit, dhe deri te çrregullime madhore të humorit, siç është depresioni apo çrregullimi bipolar i humorit. Si gjithë patologjitë e tjera, stresi është mirë të kapet dhe trajtohet në kohë dhe gjithmonë duke iu drejtuar profesionistëve të shëndetit mendor.

Cilat janë shifrat e të prekurve nga stresi?
Statistika të mirëfillta nuk ka, por pa dyshim shifrat janë në rritje.

(LifePages/Gazeta Shqiptare)27

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne