Të rrëzohet ligji i arsimit të lartë

Redi Muci intervistë për gazetën “Shekulli”

Përse mbani këtë qëndrim, duke kërkuar rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë?

Po ta keni vënë re, kushdo që është njohur, pra që e ka lexuar këtë ligj, ka të njëjtin qëndrim për abrogimin e tij. Këtu përfshihen gjerësisht stafet akademike të fakulteteve të ndryshme publike. Madje kjo nuk është një qasje e lindur rishtazi; që para se ky ligj të miratohej në parlament me votat e mazhorancës së atëhershme PS-LSI, ai është kontestuar gjerësisht nga bota akademike, e cila duhet thënë se u injorua tërësisht. Madje, jo vetëm në kundërshtinë që shfaqi ndaj këtij ligji, por edhe ndaj vetë mënyrës se si nisi e ashtuquajtura reformë në arsim: nga një grusht njerëzish të përzgjedhur nga kryeministri, shumë prej të cilëve ishin në konflikt të hapur interesi duke qenë se përfaqësonin biznese private që pritej të përfitonin prej këtij ligji.

Sipas jush, cilat janë problemet e këtij ligji?

Problemi kryesor lidhet me vetë frymën e ligjit: universitetet publike pritet t’i sigurojnë vetë të ardhurat, ndërkohë që qeveria zhvishet nga përgjegjësia që ka për arsimin. Kështu, pjesa e buxhetit që shkon për arsimin, sipas frymës së këtij ligji, do të vijë duke u reduktuar, ndërkohë që i vetmi burim financimi për universitetet ngelen tarifat e studentëve. Kjo sjell dy efekte të padëshirueshme: nga njëra anë, rritjen e detyruar të tarifave të studimit që bëhen të papërballueshme për pjesën e gjerë të studentëve. Nga ana tjetër, heqjen e çdo kriteri për pranimin e studentëve qoftë në nivelin bachelor e qoftë në atë master. Nuk duhet harruar se tarifat e masterit përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të universiteteve në kushtet e braktisjes nga shteti.

Problematika e dytë lidhet me strukturën e re administrative të universiteteve. Nëpërmjet një gjuhe e cila i përngjan në mënyrë të frikshme romanit “1984” të Xhorxh Oruellit, qeveria e quan strukturën e ngritur si garantuesen e “autonomisë universitare” në një kohë kur përmes saj realizohet kapja përfundimtare e universitetit nga politika. Bordet e Administrimit në shumicën e universiteteve përbëhen në masën 60% nga burokratë të emëruar nga ministria, të cilët administrojnë të gjithë buxhetin financiar të universiteteve. Kjo strukturë e pazgjedhur nga universitarët kushtëzon shumëçka lidhet me botën akademike: që nga vendosja e tarifave e deri te tenderët për ndërtimin, apo vendosjen e llambave nëpër klasa. Aspekte të tjera të ligjit lidhen me krijimin e mundësisë së universiteteve private për të përfituar nga buxheti i shtetit, trajtimin e studentëve si klientë të cilëve u mohohet e drejta e votës, rrënimi i kërkimit shkencor, e shumë e shumë aspekte të tjera që do duheshin faqe për t’u trajtuar në detaje.

Përse pedagogët dhe studentët janë duke kërkuar 2 gjëra të ndryshme: Pedagogët rrëzimin e Ligjit, studentët plotësimin e 8 pikave?

Në thelb këto dy gjëra nuk janë aspak të ndryshme. Studentët kanë hartuar disa kërkesa imediate të cilat janë më të prekshme për ta, por nuk duhet harruar se plotësimi i përnjëmendtë i tyre do të nënkuptonte praktikisht abrogimin e ligjit, për vetë faktin se këto kërkesa shkojnë tërësisht kundër frymës dhe germës së ligjit. Studentët kanë pasur deri tani qartësinë e duhur në këmbënguljen e tyre për plotësimin e kushteve pa negociata. Ndërkohë Edi Rama është përpjekur që përmes “dialogut” të manovrojë duke u shtirë se po nxjerr mësime apo se po i plotëson pikat, kur dihet se po reciton ligjin ekzistues. Qëndrimi koherent i studentëve dhe pedagogëve duhet të jetë një: nuk ka negociata pa abrogimin e ligjit dhe pa rinisjen e reformës së re në arsim nga ato 8 pika, por edhe nga shumë nevoja që tjera specifike për çdo fakultet.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne